Nis obstruksioni qeveritar në Korridorin 8, paralajmërohet ulje e intensitetit të punimeve dhe largim i punëtorëve

Punimet në projektin e madh infrastrukturor Korridori 8 rrezikojnë të ngadalësohen ndjeshëm, ndërsa pritet edhe reduktim i fuqisë punëtore për shkak të vonesave në pagesat nga ana e shtetit ndaj The post Nis obstruksioni qeveritar në Korridorin 8, paralajmërohet ulje e intensitetit të punimeve dhe largim i punëtorëve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Mars 7, 2026 - 18:30
 0
Nis obstruksioni qeveritar në Korridorin 8, paralajmërohet ulje e intensitetit të punimeve dhe largim i punëtorëve

Punimet në projektin e madh infrastrukturor Korridori 8 rrezikojnë të ngadalësohen ndjeshëm, ndërsa pritet edhe reduktim i fuqisë punëtore për shkak të vonesave në pagesat nga ana e shtetit ndaj kompanisë realizuese.

Kështu ka bërë të ditur Sefer Ramadani nga Kërçova, i cili thotë se është pjesë e projektit që nga fillimi. Sipas tij, gjatë një takimi të mbajtur mëngjesin e sotëm, udhëheqësia e kompanisë Bechtel & Enka i ka njoftuar punëtorët se intensiteti i punimeve pritet të ulet ndjeshëm.

Sipas Ramadanit, kompania ka paralajmëruar se puna në projekt mund të përgjysmohet, ndërsa parashihet edhe reduktim i fuqisë punëtore, shkurtim i orarit të punës dhe ulje e intensitetit të punimeve deri në 50 për qind.

Ai thekson se arsyeja kryesore për këtë vendim lidhet me mosrealizimin e pagesave nga shteti sipas obligimeve të dakorduara, mjete nga të cilat kompania mbulon edhe pagat e punëtorëve të angazhuar në projekt.

Ramadani shton se kompania Bechtel & Enka, një konsorcium amerikano-turk me përvojë në realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në botë, sipas asaj që u është komunikuar punëtorëve, nuk është përballur më parë me pengesa të tilla në projektet e saj.

“Korridori 8 është projekti më i madh infrastrukturor në vend dhe duhej të ishte krenari dhe zhvillim për shtetin. Megjithatë, për shkak të papërgjegjësisë institucionale po përballet me vështirësi serioze”, thekson Ramadani.

Ai vlerëson se për situatën e krijuar përgjegjësinë duhet ta mbajnë institucionet shtetërore dhe qeveria, duke kërkuar më shumë transparencë për fatin e projektit dhe të punëtorëve të angazhuar në të.

Ndërkohë, zhvillimet vijnë pasi para dy ditësh ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski paralajmëroi se segmenti Trebenishtë–Strugë–Qafë Thanë mund të mos jetë pjesë e Korridori 8, duke u arsyetuar me dilemat e UNESCO për zonën.

Në të njëjtën kohë, rreth 50 punëtorë, shumica nga Maqedonia e Veriut, janë larguar nga puna në projektin që realizohet nga konsorciumi Bechtel & Enka. Sipas informacioneve të para nga punëtorët e prekur, vendimi është marrë papritur dhe pa paralajmërim paraprak.

Ata thonë se gjatë njoftimit u është komunikuar se arsyeja lidhet me mungesën e mjeteve financiare, përkatësisht me faktin se pagesat për pagat e tyre nuk janë siguruar. Deri më tani nuk ka një sqarim të detajuar zyrtar për këtë zhvillim.

Punëtorët shprehen se kanë mbetur pa punë brenda një kohe shumë të shkurtër, gjë që ka krijuar pasiguri për ta dhe familjet e tyre, ndërsa kërkojnë që kontratat e punës të respektohen dhe institucionet të përfshihen për të verifikuar situatën.

Korridori 8 konsiderohet një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut, që synon të lidhë vendin me korridoret rajonale dhe të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën rrugore dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

BDI alarmon: Heqja e Strugës nga Korridori 8 dëmton projektin strategjik

Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi pas deklaratës së ministrit të Transportit Aleksandar Nikollovski se segmenti Trebenishtë–Strugë–Qafë Thanë mund të përjashtohet nga Korridori 8 për shkak të kufizimeve që lidhen me UNESCO, duke e cilësuar këtë qëndrim alarmant dhe të papranueshëm. Sipas BDI-së, ky segment është pjesë përbërëse e korridorit strategjik që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe përfshin Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë në një aks të rëndësishëm ekonomik dhe gjeopolitik. Partia thekson se heqja e kësaj pjese do të dëmtonte funksionin e vetë korridorit dhe do të ndërpriste lidhjen natyrore mes Adriatikut dhe Ballkanit Lindor, duke dobësuar një projekt që ka rëndësi edhe për arkitekturën e sigurisë së NATO në rajon. BDI gjithashtu ngriti pikëpyetje për heshtjen e zëvendësministres së Transportit Kaltrina Zekoli dhe të kryetarit të Komunës së Strugës Mendi Qyra, duke kërkuar nga qeveria sqarime të menjëhershme nëse segmenti Trebenishtë–Strugë–Qafë Thanë do të mbetet pjesë e Korridori 8. Gazeta Flaka

The post Nis obstruksioni qeveritar në Korridorin 8, paralajmërohet ulje e intensitetit të punimeve dhe largim i punëtorëve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .