Një javë nga vendimi i Kushtetueses, Kurti paralajmëron takime me opozitën për Presidentin
Nuk ka pasur ende asnjë takim mes partive politike në Kosovë, një javë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Por, takime paralajmëroi sot kryeministri, Albin Kurti. I pyetur se a do të ketë ftesa për liderët opozitarë, Kurti u përgjigj shkurtimisht me “sigurisht”, ndërsa po shkonte në zyrën e grupit parlamentar të


Nuk ka pasur ende asnjë takim mes partive politike në Kosovë, një javë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Por, takime paralajmëroi sot kryeministri, Albin Kurti.
I pyetur se a do të ketë ftesa për liderët opozitarë, Kurti u përgjigj shkurtimisht me “sigurisht”, ndërsa po shkonte në zyrën e grupit parlamentar të LVV-së në Kuvend.
Gjykata Kushtetuese u ka dhënë kohë ligjvënësve të Kosovës mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi e rrëzoi një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, më 25 mars për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjedhjes së presidentit në një seancë më 5 mars.
Pas dekretit, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se do t’i thërrasë për konsultim liderët e partive opozitare për çështjen e presidentit. Mirëpo ftesa ende nuk ka pasur. Partitë opozitare tashmë e kanë bërë të qartë se barra kryesore për çështjen e presidentit, bie mbi partinë e parë.
Negociatat mes LVV-së dhe partive opozitare për gjetjen e një emri për president kishin dështuar pavarësisht takimeve të shumta. Kurti ndërkohë nuk ka pranuar që ta kandidojë edhe për një mandat, Vjosa Osmanin, gjë që ka çuar në një përplasje në mes të kabinetit të Vjosa Osmanit dhe kabinetit të Kurtit.
Kësisoj, në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën. Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.
Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Nëse procesi i zgjedhjes së presidentit dështon brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë, vendi shkon në zgjedhje.
