Pacientet presin deri në tre muaj për termin të lirë në Klinikën e Urologjisë
Klinika e Urologjisë aktualisht funksionon me kapacitete të reduktuara, duke detyruar qytetarët të presin nga dy deri në tre muaj për të siguruar një termin. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se kjo situatë është rezultat i punimeve për rindërtim në gjashtë nga dhjetë sallat për ndërhyrje kirurgjike. Për momentin, klinika operon vetëm me një […]
Klinika e Urologjisë aktualisht funksionon me kapacitete të reduktuara, duke detyruar qytetarët të presin nga dy deri në tre muaj për të siguruar një termin. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se kjo situatë është rezultat i punimeve për rindërtim në gjashtë nga dhjetë sallat për ndërhyrje kirurgjike. Për momentin, klinika operon vetëm me një sallë funksionale.
“Në këtë periudhë, unë kërkojë falje për gjithë qytetarët të cilët presin më shumë se sa është dashur, por është puna e sallave pasi që punojnë vetëm me një sallë operative, pasi këto të tjerat janë pasive dhe janë duke u rinovuar…në këtë periudhë për fat të keq punohet veç në një sallë dhe lista për atë shkak është më e madhe se sa ka qenë më herët”, deklaroi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Mungesa e terminëve nuk është problem vetëm në Klinikën e Urologjisë, por është e pranishme edhe në disa klinika të tjera. Kjo situatë mund të verifikohet lehtësisht përmes sistemit “Termini im”. Aktualisht, ndër klinikat që përballen me mungesë të terminëve të lira janë Klinika e Kirurgjisë Plastike, Klinika e Reumatologjisë, si dhe shërbimet e hemodializës./Alsat.mk.