Një muaj paraburgim për personin që goditi për vdekje motoçiklistin në Rahovec

Dega në Rahovec e Gjykatës Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj personit që dyshohet të ketë shkaktuar vdekjen e një personi dy ditë më parë. Ngjarja kishte ndodhur në Rahovec dy ditë më parë kur i dyshuari nga pakujdesia e kishte goditur në motoçiklist i cili ka vdekur si

Nëntor 4, 2025 - 18:30
 0
Një muaj paraburgim për personin që goditi për vdekje motoçiklistin në Rahovec
Një muaj paraburgim për personin që goditi për vdekje motoçiklistin në Rahovec

Një muaj paraburgim për personin që goditi për vdekje motoçiklistin në Rahovec

Dega në Rahovec e Gjykatës Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj personit që dyshohet të ketë shkaktuar vdekjen e një personi dy ditë më parë.

Ngjarja kishte ndodhur në Rahovec dy ditë më parë kur i dyshuari nga pakujdesia e kishte goditur në motoçiklist i cili ka vdekur si pasojë e lëndimeve.

“Gjykata Themelore në Gjakovë, Dega në Rahovec, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të rrezikimit të trafikut publik, me pasoje vdekjen”, thuhet në komunikatën e Gjykatës në fjalë.

“Sipas kërkesës, ‘më datë 02.11.2025, rreth orës 20:25 min, në Rahovec, nga pakujdesia vë në rrezik jetën e njerëzve në atë mënyrë që, duke drejtuar automjetin e tij të markës ‘VË Golf’, dhe duke mos i kushtuar kujdes të duhur rrugës dhe duke mos iu përshtatur lëvizjes dhe rrethanave të rrugës, në mënyrë të pasigurt bën kthim majtas duke mos respektuar përparësinë e kalimit të motoçikletës, e cila ka qenë duke lëvizur në përball kalim, ku me pjesën e parë të motoçikletës përplaset në automjetin e markës ‘Golf’, në krahun e djathtë, ku pas përplasjes drejtuesi i motoçikletës bie në asfalt, ku si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i veturës si dhe drejtuesi i motoçikletës kërkojnë ndihmë mjekësore në QKF – Rahovec, e më pas drejtuesi i motoçikletës dërgohet në Spitalin Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, por i njëjti ka qenë pa shenja jete”.

Sipas gjyqtarit të procedurës paraprake, Mizahir Shabani, janë përmbushur kushtet ligjore që i pandehuri të paraburgoset pasi ekziston mundësia që ai të pengojë rrjedhën e procedurës ose t’u shmanget organeve të ndjekjes.

“Gjyqtari i procedurës paraprake Mizahir Shabani, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke u fshehur apo shmangur organeve të ndjekjes dhe duke ndikuar në dëshmitarë”.