Nuraj: Problemi kryesor i shqiptarëve në Sanxhak është frika dhe pasiguria
Intervista e huazuar nga Bota sot Intervistoi: Albulena Muji Në prag të zgjedhjeve parlamentare, “Bota sot” sjell një intervistë me kandidaten e “Koalicionit Shqiptar”, Amina Nuraj, e cila vjen nga Sanxhaku. Ajo thotë se kandidimi i saj nuk...
Intervista e huazuar nga Bota sot
Intervistoi: Albulena Muji
Në prag të zgjedhjeve parlamentare, “Bota sot” sjell një intervistë me kandidaten e “Koalicionit Shqiptar”, Amina Nuraj, e cila vjen nga Sanxhaku. Ajo thotë se kandidimi i saj nuk është vetëm një angazhim personal, por një përgjegjësi ndaj shqiptarëve të Sanxhakut, Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve kudo në Serbi.
Në intervistë, Nuraj flet për sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Sanxhak, veçanërisht frikën, pasigurinë dhe nevojën për një përfaqësim më të fuqishëm në institucionet e Serbisë.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës i kushtohet edhe rolit të grave shqiptare në politikë dhe vendimmarrje, si dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve të Sanxhakut dhe atyre të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Gjithashtu, Nuraj flet për situatën politike në Kosovë dhe për angazhimin e kryeministrit Albin Kurti në bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbashkët për zgjedhjet në Serbi.
Bota sot: Ju vini nga Sanxhaku dhe jeni pjesë e “Koalicionit Shqiptar”. Çfarë ju shtyu të kandidoni në këto zgjedhje?
Amina Nuraj: Unë vij nga Sanxhaku, nga një tokë ku Shqiptaria është ruajtur me sakrificë brez pas brezi. Kandidoj sepse besoj se ka ardhur koha që zëri i shqiptarëve të Sanxhakut të dëgjohet fuqishëm në institucionet e Serbisë.
Nuk kandidoj për veten time, por për shqiptarët e mi – nga Sanxhaku, Lugina e Preshevës dhe kudo tjetër në Serbi ku jetojnë shqiptarë. Dua të jem zëri i tyre dhe të mbroj gjuhën, identitetin, të drejtat dhe dinjitetin tonë kombëtar.
Nga vij nuk e harroj kurrë. Për kë luftoj, e mbaj në zemër. Dhe kudo që të jem, shqiptarinë do ta mbaj krenarisht me vete.
Koalicioni shqiptar – 17
Amina Nuroviq (Nuraj) – Numri 8
Me numrin 8 do të jem në listën e Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Ky numër për mua nuk është vetëm një numër në fletën e votimit. Është një përgjegjësi, një besë dhe një amanet për të gjithë shqiptarët e Sanxhakut, Luginës së Preshevës dhe mbarë Serbisë.
Me zemër shqiptare, me shpirt atdhetar dhe me përkushtimin që kam dëshmuar ndër vite, do të vazhdoj të luftoj për dinjitetin, të drejtat, gjuhën, kulturën dhe të ardhmen e shqiptarëve tanë.
Bota sot: Çfarë do të thotë për ju përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë, veçanërisht duke ardhur nga Sanxhaku?
Amina Nuraj: Për mua, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë do të thotë të jesh zëri i tyre dhe të mbrosh gjuhën, identitetin, të drejtat dhe dinjitetin tonë kombëtar.
Ky përfaqësim është një përgjegjësi, një besë dhe një amanet për të gjithë shqiptarët e Sanxhakut, Luginës së Preshevës dhe mbarë Serbisë.
Nga vij nuk e harroj kurrë. Për kë luftoj, e mbaj në zemër. Dhe kudo që të jem, shqiptarinë do ta mbaj krenarisht me vete.
Bota sot: Cilat janë sot problemet kryesore të shqiptarëve në Sanxhak dhe cilat janë zgjidhjet që ju propozoni?
Amina Nuraj: Problemi kryesor i shqiptarëve në Sanxhak është frika dhe pasiguria. Frika nga shteti, pasiguria për vendin e punës dhe ndjenja se mund të largohesh nga puna vetëm pse je shqiptar, kanë bërë që shumë njerëz të heshtin dhe të largohen.
Zgjidhja është të mos heshtim. Duhet përfaqësim i fortë, mbrojtje e të drejtave, siguri në punë, arsim dhe institucione që i shërbejnë qytetarit pa dallim kombësie. Unë dua që shqiptari të mos ketë frikë të thotë se është shqiptar dhe të jetojë me dinjitet aty ku ka lindur.
Bota sot: Si e shihni bashkëpunimin mes shqiptarëve të Sanxhakut dhe shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës?
Amina Nuraj: Për vëllezërit dhe motrat e mia nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, kam vetëm dashuri, respekt dhe vëllazëri. I shoh si pjesë të së njëjtës familje kombëtare. Edhe për çdo shqiptar tjetër në Serbi, nga veriu deri në jug, dera ime dhe zemra ime janë të hapura.
Sanxhaku dhe Lugina nuk duhet të shihen si dy botë të ndara. Na bashkon gjuha, gjaku, historia dhe dashuria për kombin. Kur jemi të bashkuar, zëri ynë dëgjohet më fort.
Bota sot: Lista juaj ka pesë gra dhe pesë burra. Sa e rëndësishme është përfshirja e grave shqiptare në politikë dhe në vendimmarrje?
Amina Nuraj: Për mua, fakti që lista jonë ka pesë gra dhe pesë burra është një mesazh i fuqishëm se gruaja shqiptare nuk është vetëm shtylla e familjes, por edhe zë i fuqishëm i kombit.
Jam krenare për çdo grua shqiptare që guxon të hyjë në politikë, të marrë përgjegjësi dhe të ngrejë zërin për popullin e saj. Gratë tona kanë mbajtur gjallë familjen, gjuhën, traditën dhe identitetin shqiptar edhe në kohët më të vështira. Sot është koha që ato të jenë edhe aty ku merren vendimet.
Ne nuk kërkojmë privilegj sepse jemi gra. Kërkojmë respekt, mundësi dhe hapësirën që na takon për të shërbyer.
Unë besoj se kur një grua shqiptare ngrihet, ajo nuk ngrihet vetëm për veten e saj — ngrihet me të edhe familja, komuniteti dhe kombi.
Bota sot: Si e shihni situatën politike në Kosovë dhe rolin e kryeministrit Albin Kurti?
Amina Nuraj: Situatën në Kosovë e përjetoj me dhimbje në zemër, sepse Kosova për mua nuk është politikë — është gjak, sakrificë, kujtim dhe atdhe.
Kam qenë atë natë kur partitë tona u bashkuan dhe, falë z. Albin Kurti, i cili, me gjithë vështirësitë personale e zyrtare, u përpoq të na bashkonte.
Prandaj më dhemb sot kur shoh përsëri përçarje. Kosova është mbi çdo parti, mbi çdo pushtet dhe mbi çdo individ. Nuk kemi të drejtë ta harrojmë gjakun e atyre që ranë për këtë tokë.
Mund të kemi mendime të ndryshme, por për Kosovën duhet të jemi një. Sepse kur atdheu thërret, flamuri nuk pyet se cilës parti i përkasim — na thërret të gjithëve.
Bota sot: Kryeministri Kurti ka qenë iniciator i bashkimit të partive shqiptare në një listë të përbashkët për zgjedhjet në Serbi. Si e vlerësoni këtë angazhim?
Amina Nuraj: Kam qenë atë natë kur partitë tona u bashkuan dhe, falë z. Albin Kurti, i cili, me gjithë vështirësitë personale e zyrtare, u përpoq të na bashkonte.
Për mua, ky bashkim është një mesazh se shqiptarët, kur janë të bashkuar, mund ta bëjnë zërin e tyre më të fuqishëm. Mund të kemi mendime të ndryshme, por për çështjet që na bashkojnë duhet të jemi një.
Bota sot: Ju keni pasur edhe kontakte me kryeministrin Kurti. Çfarë prisni konkretisht nga Kosova për shqiptarët që jetojnë në Sanxhak dhe në pjesët e tjera të Serbisë?
Amina Nuraj: Kosova dhe Shqipëria për mua nuk janë thjesht dy shtete. Janë dy zemra të së njëjtit komb. Prandaj, nga Kosova pres jo mëshirë, por vëmendje, respekt dhe një dorë të shtrirë për shqiptarët që jetojnë në Sanxhak dhe në çdo pjesë tjetër të Serbisë.
Kam pasur kontakte me kryeministrin Albin Kurti dhe e kam parë nga afër se sa e rëndësishme është që zëri i shqiptarëve të Sanxhakut të dëgjohet në Prishtinë. Ne nuk kërkojmë privilegje; kërkojmë të mos harrohemi. Kërkojmë mbështetje për arsimin në gjuhën shqipe, kulturën, ruajtjen e identitetit kombëtar, zhvillimin ekonomik dhe lidhjet më të forta mes shqiptarëve kudo që jetojnë.
Nga Kosova dhe Shqipëria pres që ta shohin Sanxhakun si pjesë të pandashme të kujtesës dhe të shpirtit tonë kombëtar. Sepse ne, shqiptarët e Sanxhakut, edhe pse jetojmë jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë, shqipen, flamurin dhe dashurinë për kombin i kemi mbajtur gjallë në zemër.
Unë besoj se kur Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët kudo që jetojnë e mbajnë dorën e njëri-tjetrit, atëherë askush nuk ndihet i harruar. Kjo është ajo që pres: jo vetëm fjalë, por bashkëpunim, prani dhe solidaritet kombëtar./Bota Sot
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.