OEMVP: “VLEN përqafoi idetë e odës”! Mexhiti dhe Aliu i japin prioritet “Hasan Prishtinës”

Kryesia e VLEN-it u takua me udhëheqësit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore. Takimi nisi me vonesë për shkak të kolonave të gjata në rrugën e mbingarkuar ku edhe ishte lokacioni takimit. Në fakt, kjo ishte edhe një nga pikat kryesore të diskutimit. Rruga industriale e Vizbegut, e quajtur “Hasan Prishtina” është në gjendje të […]

tetor 14, 2025 - 17:00
 0
OEMVP: “VLEN përqafoi idetë e odës”! Mexhiti dhe Aliu i japin prioritet “Hasan Prishtinës”

Kryesia e VLEN-it u takua me udhëheqësit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore. Takimi nisi me vonesë për shkak të kolonave të gjata në rrugën e mbingarkuar ku edhe ishte lokacioni takimit. Në fakt, kjo ishte edhe një nga pikat kryesore të diskutimit. Rruga industriale e Vizbegut, e quajtur “Hasan Prishtina” është në gjendje të rrënuar dhe me vetëm dy korsi vajtje-ardhje.

U.D. Kryetar i OEMVP-së, Nuhi Aliu tha se kanë marrë premtimin se kjo rrugë do të rekonstruohet.

“Arritëm konsensus bashkë me përfaqësuesit e VLEN-it që me prioritet të jetë rekonstruimi i rrugës ‘Hasan Prishtina’ si hap i parë dhe si hap i dytë të jetë asfaltimi i rrugës së Kaçanikut të vjetër asaj anësore për të cilën po ashtu kishim mirëkuptim dhe këta e morën si obligim që në të ardhmen do të japin maksimumin që në këto dy rrugë të funksionojnë ashtu siç duhet sepse ne jemi të vetëdijshëm se me çfarë problematike çdo ditë ballafaqohemi”, tha Nuhi Aliu.

Nga ana tjetër njëri nga liderët e VLEN-it Izet Mexhiti tha se përveç kësaj rruge, do të përmirësohen edhe kushte tjera infrastrukturore për bizneset shqiptare në zonat ekonomike të Sarajit dhe Tetovës.

“E lamë në parim të mbajmë edhe një takim, OEMVP me kandidatët që do të zgjedhën për të harmonizuar qëndrimet por nuk ka shumë punë për harmonizim pasi që edhe ODA e përshëndet decentralizimin që qeveria i mbështet fuqishëm komunat dhe harxhohen mjetet për projekte ekonomike dhe jo për përmendore dhe projekte tjera dhe e dyta kjo është mundësi edhe për një infuzion për kompanitë lokale vendore që janë të vogla e të mesme ku punojnë nëpër komunat ku gravitojnë”, deklaroi Izet Mexhiti

Kujtojmë se rruga industriale e Vizbegut është arteria kryesore ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës, që është me rëndësi të madhe për bizneset shqiptare të Maqedonisë që kanë shkëmbim të lartë tregtar me Kosovën. Aktualisht punime po zhvillohen tek lokaliteti “Momin Potok” të unazës mbi urë që punohet prej kohës kur kryetar i Shkupit ishte Petre Shilegov. Prej tek ajo nyje deri tek lidhja me qarkoren e kryeqytetit rruga që të shpie drejt vendkalimit kufitar të Bllacës akoma mbetet projekt i premtuar.