Ohri nën UNESCO, “Gorica” nën ekskavatorët e “Develop Group”

Në bregun е Liqenit të Ohrit, ku gjelbërimi i pushimores Gorica lëshohet drejt liqenit, po mbin një hotel i ri në një sipërfaqe prej 15.787 metrash katrorë. Nuk do të kishte asgjë të pazakontë nëse lokacioni nuk do të ishte pjesë e një trashëgimie kulturore dhe natyrore nën mbrojtjen e UNESCO-s, shkruan Radio Evropa e […]

Prill 11, 2025 - 09:00
 0  6
Ohri nën UNESCO, “Gorica” nën ekskavatorët e “Develop Group”
Ohër - Liqeni i Ohrit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në bregun е Liqenit të Ohrit, ku gjelbërimi i pushimores Gorica lëshohet drejt liqenit, po mbin një hotel i ri në një sipërfaqe prej 15.787 metrash katrorë. Nuk do të kishte asgjë të pazakontë nëse lokacioni nuk do të ishte pjesë e një trashëgimie kulturore dhe natyrore nën mbrojtjen e UNESCO-s, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Kompania “Develop Group”, një e treta e të cilës është në pronësi të Jordan Mijallkovit – djalit të ish-shefit të policisë sekrete Sasho Mijallkov, në vitin 2011 fitoi në një ankand publik për shitjen e tokës që atëkohë ishte në pronë shtetërore.

Atë vit Sasho Mijallkov ende ishte drejtor i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), ndërsa tenderin për tokën e kishte shpallur Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e udhëhequr nga kolegu i tij partiak, Mile Janakieski.

Sipas organizatës qytetare “Ohrid SOS” në verën e po atij viti, pikërisht në atë lokacion ka shpërthyer një zjarr ku janë djegur bar dhe pisha.

Sipas MPB-së, për shkak të mungesës së denoncimit të duhur nga inspektorati për zjarre nuk janë bërë hetime për shkakun e shpërthimit të zjarrit. Terreni pastrohet, ndërsa përveç drunjve të djegur, priten edhe drunjtë e shëndetshëm”, thonë nga “Ohrid SOS”.

“Ohrid SOS” është ndër organizatat qytetare për mbrojtjen e Ohrit, që së bashku me “Front 21/42” janë të mendimit se ndërtimi i hotelit është pasojë e korrupsionit.

Kompania “Develop Group” i hedh poshtë pretendimet e tilla, duke thënë se në publik po shpërdahen informacione për hotelin nga individë për ta bllokuar investimin dhe për t’i bërë dëm qytetit, shtetit dhe kompanisë.

Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë ndalimin e ndërtimeve

Viteve të fundit “Ohrid SOS” dhe “Fronti 21/42vazhdimisht po alarmojnë  se institucionet në Maqedoni kanë dhënë leje ndërtimi për lokacione në Ohër edhe pse e kanë ditur se janë nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Si ilustrim për këtë ata ndër të tjera i përmendën edhe rastet me hotelet në Llagadin dhe të një hoteli tjetër në lokacionin Akvalina – projekte që filluan të ndërtohen, e që pastaj u ndërprenë, por që ende nuk janë mbyllur plotësisht dhe mbeten në proces realizimi.

Për hotelin te Gorica të “Develop Group”, shoqatat qytetare “Ohrid SOS” dhe “Front 21/42” pretendojnë se “Mijallkov po përvetëson tokë shtetërore” në një nga lokacionet më atraktive të Ohrit dhe se me “ndërtimin ilegal aktual” po shkatërron një pjesë të trashëgimisë botërore.

Nga ana tjetër, kompania i mohon këto akuza duke thënë se janë të pasakta dhe tendencioze me qëllim të pengimit të investimit, për të cilin thonë se do të jetë krenaria e Ohrit dhe e vendit.

“Develop Group” – investimi do sjellë përfitime për Ohrin dhe vendin

“Develop Group” është regjistruar në vitin 2006 dhe sipas të dhënave nga Regjistri Qendror 32,5 përqind e saj është në pronësi të Jordan Mijallkovit, ndërsa pjesa tjetër prej 67,5 përqind është në pronësi të Aleksandar Ivanovskit, i njohur në publik si Alek Terranova.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, “Develop Group” ka thënë se çdo tezë e “Ohrid SOS” për gjoja paligjshmëritë rreth ndërtimit të kompleksit hotelierik është gënjeshtër dhe nuk përkon me gjendjen reale.

“Ato e dëmtojnë reputacionin e kompanisë, shkaktojnë pasiguri juridike dhe ekziston rreziku që të shkaktojnë dëm financiar për shtetin, komunën dhe kompaninë”, thuhet në reagimin e “Develop Group”.

Nga kompania thonë se Qeveria e Maqedonisë, si të gjitha vendet e rajonit, po bën përpjekje të mëdha për të tërhequr investime të huaja  që do t’ia shtojnë vlerën ekonomisë dhe turizmit dhe se ndërtimi i “kompleksit hotelierik reprezentativ është një investim me një vlerë prej miliona eurosh që në dekadat e ardhshme do të sjellë përfitime si për Ohrin ashtu edhe për Maqedoninë.”

“Ohrid SOS” dhe “Front 21/42” pretendojnë se hoteli është duke u ndërtuar me leje ndërtimi të paligjshme të lëshuar nga Komuna e Ohrit, pa Studim të miratuar për vlerësimin e ndikimit ndaj mjedisit jetësor dhe pa Vendim për pëlqim nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), për çka kërkojnë nga këto dy institucione dhe nga Qeveria që ta ndalojnë ndërtimin e hotelit, ta largojnë objektin  dhe lokacionin ta kthejnë në gjendjen që ka qenë para vitit 2011.

Deri në publikimin e këtij teksti ne nuk morëm një qëndrim nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Qeveria për pretendimet dhe kërkesat të tilla të shprehura në Letrën e Hapur për Publikun nga “Ohrid SOS” dhe “Front 21/42” të publikuar më datën 3 prill.

Nga “Ohrid SOS” dhe “Front 21/42” thonë edhe se ndërtimi i kompleksit hotelierik po bëhet në bazë të një plani urbanistik të paligjshëm të miratuar në vitin 2007, për të cilin theksojnë se Komuna e Ohrit ka pasur obligim ta anulojë atë dhe deri në vitin 2020 të hartojë një plan të ri që është në përputhje me zonat e mbrojtura dhe masat mbrojtëse të Planit për menaxhim me trashëgiminë natyrore dhe kulturore botërore të Rajonit të Ohrit (2020-2029).

“Nëse ky plan do të ishte në përputhje me ligjet, nuk do të parashihte një kompleks hotelierik, sepse “grupi i planifikuar i hoteleve në Goricë” në Raportin e vlerësimit strategjik të ndikimit ndaj mjedisit jetësor për Planin për menaxhimin e Rajonit të Ohrit është theksuar si “kërcënim” për trashëgiminë botërore”, thonë nga “Ohrid SOS” dhe “Front 21/42”, të cilët thonë se kryetari aktual i Ohrit, Pecakov, sipas detyrës zyrtare ka për obligim që ta shpallë të pavlefshme lejen për ndërtim.

Për dallim nga pretendimet e “Ohrid SOS” dhe “Front 21/42”, pushteti lokal në Ohër mendon se investitori ka dokumentacion të vlefshëm.

Komuna e Ohrit – i gjithë dokumentacioni është i vlefshëm

Në një bisedë telefonike për Radion Evropa e Lirë, Pecakov është përgjigjur se “Develop Group” ka leje të vlefshme për ndërtim.

“Gjithçka është e vlefshme dhe nuk ka se si të ndryshohet, edhe pse kemi provuar gjithçka dhe në përgjithësi procesi është udhëhequr nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve shumë vite më parë, në vitin 2010”, u përgjigj Pecakov.

Edhe nga “Develop Group” thonë se kompania punon në përputhje me ligjin, planin urbanistik të miratuar dhe se i kanë siguruar të gjitha dokumentet, elaboratet dhe pëlqimet e nevojshme për ekzekutimin ligjor të ndërtimit, pa të cilat thotë se nuk do të ishte e mundur të merret një leje ndërtimi e vlefshme.

Gjithashtu, në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë nga kompania theksojnë se bashkëpunojnë me të gjitha shërbimet inspektuese dhe se inspektimi i fundit është bërë para më pak se dy muajsh dhe inspektorët nuk kanë pasur asnjë vërejtje.

Sipas “Develop Group” janë të pasakta pretendimet e “Ohrid SOS” se ndërtimi i hotelit është në kundërshtim me rekomandimet e UNESCO-s  dhe se nuk devijon nga rekomandimet pavarësisht se ato janë miratuar pas shitjes së tokës nga shteti dhe pas marrjes së lejes së ndërtimit.

“Plani i menaxhimit në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s parasheh shfrytëzim të objektit deri në 40 përqind dhe lartësi P+3 (kati përdhes plus tre kate), ndërsa kompleksi hotelierik i cili po ndërtohet ka 22 përqind shfrytëzim të parcelës dhe vetëm tre kate, pra një kat në lartësi dhe minus dy kate”, thonë nga “Develop Group”.

Në përgjigjen e saj “Develop Group” thekson se hoteli po ndërtohet në kufirin maksimal të lejuar të parcelës – nga 1,85 përqind të parapara ata thonë se shfrytëzojnë 0,52 përqind, si dhe theksojnë se është respektuar ndalimi i ndërtimit në 50 metra nga bregu i liqenit, sepse objekti ndodhet në një distancë më të madhe prej tij.

Pecakov thotë se nëse deri më tani kishte pasur një mënyrë, me siguri do ta kishin shpallur të pavlefshme lejen e ndërtimit dhe po ashtu thotë se kompania nuk po shkel Planin e menaxhimit të trashëgimisë botërore dhe kulturore me atë që hoteli nuk po ndërtohet në më pak se 50 metra nga bregu, ndërtimi ka qenë në shfrytëzim prej 22 përqind të parcelës dhe se numri i kateve nuk është tejkaluar.

Lidhur me pretendimin se “ndërtimi i paligjshëm i kompleksit hotelierik po bëhet mbi bazë të një plani urbanistik të paligjshëm”, Pecakov thotë se nuk është e vërtetë që Komuna e Ohrit është përgjegjëse për planin urbanistik, gjegjësisht se ai është hartuar nga Agjencia e Planifikimit Hapësinor dhe se nuk bëhet fjalë për hartimin e një plani urbanistik të detajuar.

UNESCO do të vendosë për Ohrin në korrik

Në një letër të hapur drejtuar Qeverisë dhe institucioneve kompetente, “Ohrid SOS” dhe “Front 21/42” kërkojnë ndalimin dhe largimin e menjëhershëm të hotelit të “Develop Group” në Goricë, i cili sipas tyre është ndërtuar në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet vendore dhe ligjet ndërkombëtare.

Ata kërkojnë edhe përgjegjësi penale për institucionet dhe kompaninë që sipas tyre ka mundësuar transformimin e paligjshëm urban në bregun e Liqenit të Ohrit.

Përndryshe, UNESCO në korrik të këtij viti do të vendosë nëse rajoni i Ohrit do të vendoset në listën e trashëgimisë kulturore botërore në rrezik.

Gjendja me trashëgiminë natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit ka qenë një shqetësim serioz për Komitetin e Trashëgimisë Botërore për një kohë të gjatë, veçanërisht për shkak të ndikimit të aktiviteteve njerëzore dhe zhvillimit intensiv urbanistik.

“Prandaj, vendi është nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga UNESCO, nga ku kërkohet raportim të rregullt nga shteti për nivelin e ruajtjes së kësaj trashëgimie unike”, thanë nga UNESCO si përgjigje  në muajin nëntor të vitit 2024.

Rajoni i Ohrit dhe Liqeni i Ohrit mbrohen nga UNESCO si trashëgimi natyrore dhe kulturore botërore për shkak të vlerave të tyre unike. Liqeni është më i vjetri në Evropë dhe një nga rezervatet më të vjetër biologjikë në botë – habitat i rreth 200 specieve endemike, përfshirë troftën e famshme të Ohrit.

Pjesa e liqenit nga ana e Maqedonisë u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore në vitin 1979 dhe në muajin maj të vitit 2019 statusi iu dha edhe palës shqiptare, duke e vënë të gjithë rajonin nën mbrojtjen e UNESCO-s.