Plani i Rritjes i BE-së dhe RMV-ja, intervistë me Steffen Hudolin për reformat dhe financimin: Fondet transferohen pas zbatimit të reformave 

750 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së për reforma janë të planifikuara për Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, në opinionin publik kishte shumë paqartësi se për çfarë dhe si do të përdoren këto fonde. Për të sqaruar shumë nga këto dilema, Portalb.mk foli me Steffen Hudolin, shefin e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në […]

maj 13, 2025 - 08:00
 0  6
Plani i Rritjes i BE-së dhe RMV-ja, intervistë me Steffen Hudolin për reformat dhe financimin: Fondet transferohen pas zbatimit të reformave 
Steffen Hudolin. Foto: Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.

750 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së për reforma janë të planifikuara për Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, në opinionin publik kishte shumë paqartësi se për çfarë dhe si do të përdoren këto fonde. Për të sqaruar shumë nga këto dilema, Portalb.mk foli me Steffen Hudolin, shefin e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Maqedoninë e Veriut. Hudolin shpjegoi strategjinë pas mbështetjes financiare, rolin kritik të agjendës së reformave dhe se si BE po siguron që qytetarët të fillojnë të ndiejnë përfitimet e integrimit para anëtarësimit formal. Ndër të tjera, ai deklaroi se fondet sipas Planit të Rritjes transferohen pasi të zbatohen reformat, jo para. 

Intervistoi: Fisnik Xhelili 

Portalb.mk: Para dy viteve Komisioni Evropian lançoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, na tregoni më shumë rreth tij? 

Steffen Hudolin: Në maj 2023, Komisioni Evropian lançoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një iniciativë që do t’i afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh se zgjerimi është prioritet kryesor për këtë Komision Evropian, Plani i Rritjes u lançua si një instrument që do të ndihmojë në transformimin e shoqërive të Ballkanit Perëndimor dhe do të krijojë përfitime reale për njerëzit, jo vetëm pas anëtarësimit në BE, por edhe tani. 

Do të doja të theksoja këtu se Plani i Rritjes nuk është një zëvendësim për anëtarësimin në BE. Është një sinjal i angazhimit tonë. Ne duam që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të ndiejnë përfitimet e integrimit në BE sot, jo dikur . 

Duke folur për procesin që secili vend të përfitonte nga Plani i Rritjes, ata duhej të përgatitnin një Agjendë Reformash e cila është një udhërrëfyes për transformim në përputhje me reformat kryesore të përcaktuara në marrëveshje me Komisionin Evropian. 

Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë që paraqiti Agjendën e saj të Reformave, e cila u miratua më 23 tetor 2024 me një vendim të Komisionit Evropian, pas një opinioni pozitiv të ahteteve anëtare. Pas vlerësimit pozitiv, Maqedonia e Veriut ishte gjithashtu vendi i parë që mori parafinancim. 

Portalb.mk: Çfarë do të thotë parafinancimi dhe financimi në praktikë? 

Steffen Hudolin: Parafinancimi është mbështetja fillestare që Komisioni Evropian ofron për të ndihmuar reformat e parashikuara me Agjendën Reforumese. Për Maqedoninë e Veriut, parafinancimi arriti në 52.5 milionë euro, afërsisht 7% e totalit të alokimit të vendit, që është 750 milionë euro. 

Pagesat e ardhshme lidhen me alokimin e duhur dhe mund të absorbohen pas zbatimit të plotë të hapave të parashikuar nga Agjenda e Reformave. Në përputhje me orarin e planifikuar të financimit, paratë do të transferohen në Ministrinë e Financave. 

Steffen Hudolin. Foto: Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.
Steffen Hudolin. Foto: Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.

Portalb.mk: Sa para ka marrë Maqedonia e Veriut nga Plani i Rritjes deri më tani? 

Steffen Hudolin: Deri më tani, Maqedonia e Veriut ka marrë parafinancimin prej 24.4 milionë eurosh që u transferua në Thesarin Kombëtar (buxheti i shtetit) në mars 2025. Fondet e mbetura prej 28.1 milionë eurosh do të kanalizohen përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe do të përdoren për të mbështetur projekte konkrete të infrastrukturës. 

Portalb.mk: A mund të shpjegoni më hollësisht se çfarë nënkuptojnë këto fonde në praktikë, për çfarë do të përdoren: mbështetja buxhetore, grantet dhe kreditë? 

Steffen Hudolin: Formula për ndarjen e fondeve në kuadër të Planit të Rritjes është e njëjtë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Fondet po transferohen si në formën e granteve ashtu edhe të kredive, në përputhje me vendimin e Komisionit Evropian. 

Kjo është se 1/3 e totalit të fondeve ofrohen në formën e granteve të pakthyeshme dhe 2/3 janë kredi të favorshme. Të gjitha këto fonde janë ndarë për mbështetjen e reformave kryesore të dakordësuara me Komisionin Evropian, të ndara në pesë fusha strategjike të politikave: Qeverisja – duke u përqendruar në administratën publike dhe financat publike, mjedisi i biznesit dhe zhvillimi i sektorit privat, tranzicionet e gjelbra dhe digjitale, investimet në kapitalin njerëzor dhe forcimi i sundimit të ligjit dhe themeleve. 

Përveç reformave, të cilat do të mbështeten me kredi përmes thesarit kombëtar, pjesa tjetër e fondeve, kombinim i granteve dhe kredive, do të zbatohet përmes WBIF-it. 

Portalb.mk: A mund të na jepni shifra konkrete se sa para do të përdoren për secilën fushë? 

Steffen Hudolin: Nëse i shikoni nga afër Shtojcat e Agjendës së Reformave, mund të shihni se ekziston çmim për secilën reformë sipas pesë fushave të politikave. Fondet programohen sipas kompleksitetit të secilit hap.

Për shembull, le të marrim fushën e politikave të qeverisjes ku lista e reformave prek nënfushën menaxhimi i financave publike (PFM) dhe nënfushën reformat e administratës publike (PAR). Nën menaxhimin e financave publike kemi 13 hapa reformash në shumën prej 74.928 milionë eurosh dhe nën reformat e administratës publike kemi 8 hapa reformash në shumën prej 36.394 milionë eurosh. Nënfusha e tranzicionit të energjisë së gjelbër ka kosto prej 145.575 milionë eurosh dhe nënfusha e tranzicionit digjital ka kosto prej 50.309 milionë eurosh, fusha e politikave të kapitalit njerëzor ka kosto prej 83.491 milionë eurosh, fusha e politikave të mjedisit të biznesit dhe zhvillimit të sektorit privat ka një kosto prej 193.743 milionë eurosh dhe hapat e reformave në kuadër të fushës së politikave sundimi i ligjit dhe themelet kanë kosto prej 148.786 milionë eurosh.

Thithja e këtyre fondeve varet nga institucionet përkatëse kombëtare dhe ritmi i tyre i zbatimit të reformave. Është e rëndësishme të theksohet se ekziston edhe periudha ‘grace’ (periudha e mospagimit, kur paratë e marra si kredi janë në dispozicion të huamarrësit, por shlyerja ende nuk ka filluar) njëvjeçare për zbatimin e hapave, në rast se plani fillestar nuk përmbushet. 

Steffen Hudolin. Foto: Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.
Steffen Hudolin. Foto: Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.

Portalb.mk: Si transferohen paratë, para apo pas zbatimit të reformave? 

Steffen Hudolin: Fondet sipas Planit të Rritjes transferohen pasi të zbatohen reformat, jo para. Çdo gjashtë muaj vendet mund të kërkojnë pagesa bazuar në hapat e reformave që kanë përfunduar. Pastaj, Komisioni Evropian vlerëson nëse janë përmbushur të gjitha kushtet. Pas vlerësimit pozitiv, fondet lirohen.

Portalb.mk: Si matet suksesi i reformave, veçanërisht në kapitullin ‘themelet’? 

Steffen Hudolin: Ne mbështetemi në tregues të qartë, tregues cilësorë dhe sasiorë që janë rënë dakord bashkërisht, nga Komisioni Evropian dhe vendi partner. Përveç kësaj, kur bëjmë vlerësimin, ne gjithmonë konsultohemi me burimet e verifikimit. Është thelbësore për ne të verifikojmë që këto reforma ndodhin vërtet dhe që ato bëjnë ndryshime në terren.