Osmani: Siljanovska-Davkova, në vend që të mbështesë të ardhmen evropiane të vendit, vazhdon të përhapë dezinformata

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në vend që ta përdorë pozicionin e saj për të mbështetur të ardhmen evropiane të vendit, vazhdon të përhapë dezinformata që dëshmojnë për injorancë serioze të procedurave themelore të Bashkimit Evropian, reagoi ish-ministri i Jashtëm Bujar Osmani, pas paraqitjes së mbrëmshme të presidentes në TV Telma, transmeton Portalb.mk. “Korniza Negociuese nuk është […]

maj 16, 2025 - 12:00
 0  4
Osmani: Siljanovska-Davkova, në vend që të mbështesë të ardhmen evropiane të vendit, vazhdon të përhapë dezinformata
Bujar Osmani, foto: Ministria e Punëve të Jashtme

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në vend që ta përdorë pozicionin e saj për të mbështetur të ardhmen evropiane të vendit, vazhdon të përhapë dezinformata që dëshmojnë për injorancë serioze të procedurave themelore të Bashkimit Evropian, reagoi ish-ministri i Jashtëm Bujar Osmani, pas paraqitjes së mbrëmshme të presidentes në TV Telma, transmeton Portalb.mk.

“Korniza Negociuese nuk është një dokument i nënshkruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, por është i harmonizuar dhe i miratuar nga të 27 vendet anëtare të BE-së, pas së cilës miratohet nga Qeveria dhe votohet nga Parlamenti. Në rastin tonë, Korniza Negociuese u mbështet me 67 vota në Parlament, përfshirë përmbajtjen e protokolleve. Më e pakta që mund të pritet nga një president është të jetë i informuar dhe të shprehet me përgjegjësi. Populizmi mund të sjellë pikë sot, por dëmton shtetin nesër. Dhe nga një profesore, të paktën pritet njohuri themelore për çështjen”, tha Osmani në Facebook.

Siljanovska-Davkova kritikoi Osmanin për tejkalimin e autoritetit të tij në lidhje me protokollin që është pjesë e Kornizës Negociuese me BE-në, duke theksuar se një protokoll nuk mund të jetë pjesë e një kornize dhe shprehu dyshime për mënyrën se si ai e nënshkroi këtë dokument.

Sipas saj, nëse Komisioni i Përbashkët Shumëdisiplinor i Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk e përfundon punën e tij dhe nuk arrin konsensus për çështjet e hapura midis Shkupit dhe Sofjes mbi historinë, atëherë historia e integrimit evropian të vendit nuk do të përfundojë, përkatësisht do të jetë një arsye për një veto të re nga Bullgaria.

Çështja e ndryshimeve kushtetuese është përfshirë në paketën e dokumenteve të miratuara në fillim të negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut në korrik 2022 – përfundimet e Këshillit të BE-së, Qëndrimi i Përgjithshëm, Korniza Negociuese, si dhe në Protokollin e Konferencës Ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i cili mbulon edhe punën e komisionit historik.

Protokolli u nënshkrua më 17 korrik 2022 në Sofje. Nënshkrimet në emër të dy vendeve u vendosën nga Ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe shefja e atëhershme e diplomacisë bullgare, Teodora Gençovska.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.