Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të bashkëakuzuarve të tij.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, OVL-UÇK e ka cilësuar vendimin si të pritshëm, por të papranueshëm, duke shprehur kritika ndaj qasjes së Gjykatës Speciale.“Vendimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka qenë i pritshëm për ne, sepse tashmë e kemi kuptuar qartë qasjen dhe karakterin politik të kësaj Gjykate”, thuhet në reagimin e organizatës.

OVL-UÇK pretendon se Gjykata Speciale nuk po arrin të shkëputet nga ajo që organizata e konsideron agjendë politike, e cila, sipas saj, e ka shoqëruar këtë institucion që nga themelimi.

Më tej, organizata ka shprehur bindjen se kjo qasje, sipas saj, nuk i shërben drejtësisë së paanshme, por interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj, të cilët, sipas reagimit, kanë synuar për vite me radhë njollosjen e luftës çlirimtare dhe historisë së Kosovës.

“UÇK-ja nuk mund të gjykohet përmes agjendave politike, ndërsa e vërteta e luftës sonë nuk mund të nëpërkëmbet me vendime gjyqësore”, thuhet tutje në reagim.

Në fund, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të ditur se do të vazhdojë të kundërshtojë atë që e konsideron padrejtësi dhe çdo përpjekje për barazimin e luftës çlirimtare me projektin kriminal të Serbisë. /Telegrafi/

https://www.facebook.com/OVLzyrtare/posts/122191464254821313?ref=embed_post

Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.