Paqartësi në milionat e Evropës nga Plani i rritjes për RMV-në: Eurot vijnë, por ku po shkojnë?

Shuma e parafinancimit nga Plani i Rritjes së BE-së për Maqedoninë e Veriut u raportua ndryshe në institucione të ndryshme, duke shkaktuar paqartësi në opinionin publik. Ministria e Çështjeve Evropiane deklaroi se janë transferuar 52.4 milionë euro, ndërsa Delegacioni i BE-së raportoi 52.2 milionë euro. Në disa media u përmend edhe shifra 52.5 milionë euro. […]

maj 1, 2025 - 12:00
 0  3
Paqartësi në milionat e Evropës nga Plani i rritjes për RMV-në: Eurot vijnë, por ku po shkojnë?
Flamuri i BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, euro. Foto e gjeneruar me Intelegjencë Artificiale/ChatGPT

Shuma e parafinancimit nga Plani i Rritjes së BE-së për Maqedoninë e Veriut u raportua ndryshe në institucione të ndryshme, duke shkaktuar paqartësi në opinionin publik. Ministria e Çështjeve Evropiane deklaroi se janë transferuar 52.4 milionë euro, ndërsa Delegacioni i BE-së raportoi 52.2 milionë euro. Në disa media u përmend edhe shifra 52.5 milionë euro. Për të sqaruar këtë mospërputhje, Portalb.mk kërkoi përgjigje nga të dy institucionet, nga ku konfirmuan se shuma përfundimtare e dërguar është 52,524,818.71 euro.

“Parafinancimi për Agjendën e Reformave për Maqedoninë e Veriut është në shumën prej 52,524,818.71 euro”, thuhet në përgjigjen e Delegacionit të BE-së.

Megjithatë, duke qenë se Plani i Rritjes i BE-së është një instrument kompleks dhe gjithëpërfshirës, mbeten shumë paqartësi për mënyrën se si zbatohet në praktikë: ku investohen fondet, çfarë përfshin konkretisht parafinancimi, dhe nëse institucionet vendore dhe ato evropiane kanë një plan të qartë për përdorimin e mjeteve.

Në këtë tekst, do të përpiqemi të sqarojmë disa nga çështjet kryesore: ku orientohet përafërsisht kjo shumë, si zbatohet Plani i Rritjes dhe çfarë nënkupton koncepti i parafinancimit.

Si do të investohen 28 milionë euro nga shuma e parafinancimit?

28.088.138.35 milionë euro do të injektohen direkt në WBIF (Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor) dhe do të përdoren për projekte infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë institucionet nuk specifikonin se çfarë projektesh, a ka plan dhe a ka listë projektesh. Nga Delegacioni i BE-së u përgjigjën se lista e investimeve të mbështetura përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) është e disponueshme publikisht dhe mund të gjendet në ueb-faqen e Ministrisë për Çështjet Evropiane (MÇE).

“Në listë janë përfshirë të gjitha projektet kryesore të infrastrukturës në vend dhe e njëjta pasqyron listat sektoriale ekzistuese dhe të publikuara të projekteve, të cilat janë gjithashtu të disponueshme në ueb-faqen e MÇE-së”, thonë nga Delegacioni i BE-së.

Sidoqoftë, kjo listë është shumë e gjatë dhe kërkon shumë më shumë para, e lidhur me këtë, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në një prej konferencave të tij për media, deklaroi se kjo listë do të reduktohet. Për këtë çështje na u përgjigjën edhe nga Delegacioni nga ku thanë se Qeveria është në komunikim me Komisionin Evropian dhe Delegacionin e BE-së për të përcaktuar më tej përparësitë e listës së projekteve të investimeve.

“Qeveria është në komunikim me Komisionin Evropian dhe Delegacionin e BE-së për të përcaktuar më tej përparësitë e listës së projekteve të investimeve. Ripublikimi i listës së prioritizuar (të shkurtër) do t’i nënshtrohet shqyrtimit nga eurodeputetët. Komisioni Evropian, sigurisht, do t’i publikojë emrat e projekteve të financuara në përputhje me rrethanat në ueb-faqen e instrumentit WBIF në kohën e miratimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e Delegacionit për Portalb.mk. 

Për të njëjtën çështje, nga MÇE thanë se kjo listë iu komunikua dy herë në dy përsëritje Komisionit Evropian, respektivisht Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore, në janar dhe në prill, duke adresuar komentet e tyre. Aktualisht, lista është në shikim në DG ENEST dhe pas arritjes së pëlqimit, e njëjta do të publikohet në ueb faqen e Ministrisë për Çështje Evropiane.

“Po lista e projekteve infrastrukturore është përgatitur në bazë të listës së vetme të projekteve që përgatitet vitet e fundit për projektet që pretendojnë të përdorin mjete përmes Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor. Lista është indikative, por është përgatitur që të tregojë kapacitet për shfrytëzimin e fondeve nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje. Kjo listë iu komunikua dy herë në dy përsëritje Komisionit Evropian, respektivisht Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore, në janar dhe në prill, duke adresuar komentet e tyre. Aktualisht, lista është në shikim në DG ENEST dhe pas arritjes së pëlqimit, e njëjta do të publikohet në ueb faqen e Ministrisë për Çështje Evropiane. Ndërkaq mjetet tjera të Agjendës reformuese  janë të parapara për mbështetjen e proceseve reformuese”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë Evropiane.

Si do të investohen 24 milionë euro shuma e parafinancimit?

24.436.680.36 euro janë siguruar për buxhetin e shtetit si mbështetje për zbatimin e reformave të parashikuara me Agjendën e Reformave. Për këtë shumë nuk ekziston ndonjë listë. Këtë e konfirmuan nga Delegacioni, e nga MÇE ashtu sikurse mund të shihet më sipër thanë vetëm që “mjetet tjera të Agjendës reformuese  janë të parapara për mbështetjen e proceseve reformuese”.

“Siç thuhet në të gjitha dokumentet përkatëse, parafinancimi përfaqëson 7% të totalit të alokimit,e cila i është ndarë vendit përmes Planit të Rritjes dhe Reformës. Sipas Nenit 54 të Rregullores së BE-së 2024/1449 që përcakton Planin e Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor, e “Me qëllim për të siguruar që përfituesit të kenë financim fillestar për zbatimin e reformave të para, secili përfitues duhet të ketë qasje në një maksimum prej 7% të shumës totale të parashikuar sipas këtij instrumenti si ndihmë financiare në formën e parafinancimit, në varësi të disponueshmërisë së fondeve dhe respektimit të parakushteve për mbështetje sipas Instrumentit”. Teorikisht, kjo do të thotë që fondet e dhëna tashmë në buxhetin e vendit mund të përdoren për të mbështetur dhe financuar të gjitha hapat e reformës të përfshira në Agjendën e Reformës”, thuhet në përgjigjen e Delegacionit.

Këto fonde, shtojnë ata, janë menduar si mbështetje fillestare për zbatimin e aktiviteteve fillestare në secilën fushë të reformës. Përgjegjësia e plotë për rishpërndarjen e fondeve thuhet më tej, u takon autoriteteve kombëtare, në përputhje me planifikimin e tyre strategjik dhe buxhetor, si dhe me planin e tyre të prokurimit publik.

Nga ana tjetër, ministri Murtezani përmendi se më 14 mars, Komisionit Evropian, në afatin e paraparë i kanë dorëzuar kërkesën e parë për lirimin e mjeteve në shumë prej 17.1 milionë eurove për implementimin e reformave me afat dhjetor 2024, afat ky i cili pastaj nga Komisioni Evropian, siç th ai, u shty deri në fund të shkurtit 2025”.

Murtezani tha se nga këto 17 milionë euro për reformat e implementuara, 7.96 milionë euro janë të dedikuara për mbështetje buxhetore, ndërsa 9.15 milionë euro shtesë për projekte investuese përmes Fondit të Përbashkët të kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor.

Ashtu sikurse e theksuam paraprakisht, nuk morëm sqarim të detajuar nga MÇE se çka nënkuptohet me mbështetjen buxhetore dhe çfarë projektesh saktësisht përfshihen në shumën prej  9.15 milionë eurosh.

Nga ana tjetër, Delegacioni thekson se shuma prej 17,126,494,80 euro 3 përmendur në konferencën për shtyp nga ministri Murtezani, i referohen vlerës së hapave që vendi duhej të zbatonte deri më 28 shkurt 2025 dhe janë në shtesë të shumës së parafinancimit.

“Pagesa e kësaj shume varet nga niveli i zbatimit të reformave për atë periudhë të caktuar, të planifikuara në fushat e reformës së administratës publike, menaxhimit të financave publike, zhvillimit të sektorit privat, tranzicionit të energjisë së gjelbër dhe digjitalizimit, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, kapitalit njerëzor”, thonë nga Delegacioni i BE-së.

Sa para për cilën fushë do të shfrytëzohen nga shuma e përgjithshme prej 750 milionë eurosh

Me këmbënguljen e redaksisë sonë, MÇE dha disa shifra se sa para në cilat fusha do të shfrytëzohen nga shuma totale pre 750 milionë eurosh.

“Për secilën fushë të Agjendës  reformuese 2024-2027, parashihen hapa cilësorë dhe kuantitative dhe janë caktuar institucione kompetente për krahasimin e tyre. Mjetet financiare për realizimin e hapave duhet ti planifikojnë dhe ti sigurojnë institucionet kompetente në planet e tyre buxhetore ose përmes ndihmës së donatorëve, por duhet të sigurohet që nuk ka financim të dyfishtë. Nga ana tjetër, për secilin hap nga ana e KE-së është përcaktuar vlerë e përshtatshme financiare”, thonë nga MÇE.

Me realizim të suksesshëm të hapave për secilën fushë, thuhet në përgjigje, vendi potencialisht do të fitojë:

  • Për fushën e Qeverisjes: Menaxhim me financat publike dhe reforma në administratës publike mbi 111 milionë euro,
  • Për fushën e Tranzicionit energjetik mbi 145 milionë euro,
  • Për fushën e digjitalizimit mbi 67 milionë euro
  • Për fushën e kapitalit njerëzor mbi 83 milionë euro
  • Për fushën e mjedisit të biznesit mbi 193 milionë euro dhe
  • Për fushën e sundimit të së drejtës, mbi 148 milionë euro.
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Çka nënkuptojmë me parafinancimin?

Parafinancimi është “të financosh diçka paraprakisht”. Është një term i përdorur në çdo operacion ekonomik.

Ideja e parafinancimit është të mbështesë ndër të tjera përpjekjet kombëtare për të siguruar koordinimin e duhur, monitorimin, raportimin, shkrimin dhe miratimin e legjislacionit të ndryshëm, zbatimin e tyre etj.

Si bëhet transferimi i parave, para apo pas bërjes së reformave?

Në pyetjen e Portalb.mk se si bëhet transferimi i parave, para apo pas bërjes së reformave, nga MÇE thanë se suksesi i reformave do të vlerësohet nga KE në bazë në treguesve që janë të përcaktuara për secilin hap. Për hapat cilësorë që nënkupton miratimin e ligjeve, strategjive, planeve e të ngjashme, vlerësohet se a është miratuar rregullorja dhe a është arritur qëllimi i reformës. Për hapat kuantitative, do të matet a janë arritur qëllimet e përcaktuara me treguesit, bazuar në vlerat fillestare të përcaktuara në Agjendën reformuese.

“Në përputhje me kërkesat e Rregullores për Instrumentin për reforma dhe rritje dhe e ratifikuar për marrëveshjen për Instrumentin për reforma dhe rritjes, kërkesat për lirimin e mjeteve dërgohen dy herë në vit pas skadimit të afateve për realizimin e hapave, respektivisht nga 1-15 korriku për hapat me afat realizimi deri në qershor dhe nga 1-15 janar për hapat me afat realizimi dhjetor”, thuhet në përgjigjen e MÇE-së.

I gjithë procesi për BE-në dhe vendin ‘learning by doing’ (bëj e mëso)

Autoritetet në vend pranojnë se përfitimet nga Plani i Rritjes të BE-së nuk janë mjaftueshëm të njohura për opinionin në Maqedoninë e Veriut. Këtë mes tjerash e tha më 23 prill ministri i Çështjeve Evropiane. Ndërsa sipas kryeministrit, Agjenda e Reformave nuk është vetëm kusht për integrim, por është instrument për shërimin e shoqërisë së RMV-së.

Sipas ministrit Orhan Murtezani, “i gjithë ky proces, jo vetëm për ne, por edhe për Komisionin Evropain është ‘learning by doing’ (duke mësuar nga të bërit), është proces i ri”. 

Ai tha se reformat që janë duke u zbatuar për periudhën 2024–2027 janë pjesë e një pikture më të madhe dhe nuk synojnë vetëm t’i plotësojnë kërkesat e Komisionit Evropian.

“Ato synojnë për çdo qytetar që dëshiron arsimim të qasshëm, administratë efikase, ajër të pastër, drejtësi të ndershme dhe punë të vyeshme. Agjenda e reformave është më shumë se dokument programor. Është kornizë konceptuare për ripërcaktimin e logjikës institucionale të shtetit, mënyrë për të kapërcyer zbrazëtirat sistematike mes ligjit dhe drejtësisë, mes politikës dhe interesit publik, mes politikave ekonomike dhe zhvillimit njerëzor”, tha Murtezani. 

Maqedonia e Veriut më 24 mars, u bë vendi i parë në rajon që ka marrë këstin e parë prej 52 milionë eurove në në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje nga ana e Komisionit Evropian.

Me heqjen e mjeteve për para-financim, të gjitha këstet tjera do të bëhen pas zbatimit të suksesshëm të reformave, në bazë të vlerësimin nga KE-ja. 

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat. 

Për Maqedoninë e Veriut janë të dedikuara 750 milionë euro.

Mbështetja financiare për Instrumentin e reformave përbëhet nga dy komponentë edhe atë: nga komponent grant dhe komponenti hua.