Punoj si kamarier, ndihem si skllav: Paga të ulëta dhe jetë pa siguri në Maqedoninë e Veriut
Kamarierët në Maqedoninë e Veriut përballen me kushte të vështira si: paga të ulëta, stres i lartë dhe orar pune deri në orët e vona të natës. Disa me të cilët bisedoi Portab.mk thonë se punojnë pa sigurim shëndetësor e pensional. Sipas analistit ekonomik Visar Ademit, kjo kategori punëtorësh është ndër profesionet më të pambrojtura […]


Kamarierët në Maqedoninë e Veriut përballen me kushte të vështira si: paga të ulëta, stres i lartë dhe orar pune deri në orët e vona të natës. Disa me të cilët bisedoi Portab.mk thonë se punojnë pa sigurim shëndetësor e pensional. Sipas analistit ekonomik Visar Ademit, kjo kategori punëtorësh është ndër profesionet më të pambrojtura në tregun e punës dhe më i nënvlerësuar në ekonomi.
Punoj si kamarier, por ndihem si skllav
Punoj si kamarier, por ndihem si skllav. Kështu i tha Portalbit Z.I nga Shkupi i cili u shpreh i revoltuar nga puna e tij. Ai tha se merr një rrogë që nuk i mjafton as për të mbushur frigoriferin.
“Çdo ditë në këmbë, me buzëqeshje të detyruar, duke duruar klientë të vështirë dhe presion pa fund. Në fund të muajit marr një rrogë që nuk më mjafton as për të mbushur frigoriferin. Kërkohet që të jem i shpejtë, i sjellshëm, i durueshëm dhe çdo ditë jetoj me stres, lodhje dhe padrejtësi. Na shohin si të zëvendësueshëm, por pa ne lokalet nuk funksionojnë. Por kërkoj minimumin që meriton një njeri që punon ndershëm: dinjitet dhe një rrogë që të më lejojë të jetoj, jo të mbijetoj”, tha Z.I.
Me situatë të ngjashme ballafaqohet edhe A.I. nga Kumanova, i cili tha se nuk paguhet as sa një pagë minimale.
“Ka shtatë vite që punoj si kamarier dhe paga ime është rreth 24 mijë denarë. Kjo punë është shumë stresuese, është e lodhshme, nuk ke zhvillim në këtë profesion, dhe gjithmonë mbetesh një person i nënvlerësuar. Nuk është e njëjtë si të punosh kamarier në Maqedoninë e Veriut, dhe si të punosh në Evropë, atje çdo punë vlerësohet dhe paguhet. Fatkeqësisht ky sistem te ne nuk funksionon dhe më e keqja është se në vend se të kemi sigurim shëndetësor si punëtor, ata i sigurojnë familjarët e tyre”, tha A.I.
Edhe L.M nga Tetova theksoi se paga që merr është shumë më e ulët, në krahasim me punën që bënë.
“Pavarësisht orëve të gjata në këmbë, presionit të lartë të punës dhe përgjegjësive që kam për të siguruar një shërbim cilësor ndaj klientëve, paga që marr është shumë më e ulët se sa puna që jap. Paga aktuale nuk mjafton për të mbuluar nevojat bazë të jetesës dhe nuk pasqyron aspak përkushtimin dhe lodhjen që ky profesion kërkon. Për më tepër, shpesh herë na kërkohet të punojmë jashtë orarit pa kompensim të drejtë”, tha L.M.
Kamarierët duhet të trajtohen ngjashëm me policët dhe të kenë stazh pune të favorshëm
Situata e kamarierëve në Maqedoninë e Veriut mbetet një nga profesionet më të nënvlerësuar që lidhen me zhvillimin profesional të individëve që janë pothuajse inekzistente. Kështu vlerësoi për Portalb.mk analisti ekonomik Visar Ademi.
Sipas tij ata paguhen me para në dorë, dhe nuk marrin kompensime siç janë trajnimet, seminaret apo udhëtimet që profesionet e tjera i përfitojnë rregullisht.
“Rreziku në punë është i konsiderueshëm për shkak të natyrës së punës: kontakt i vazhdueshëm me klientë, ekspozim ndaj kushteve të pafavorshme si shi, breshër, rrëshqitje etj. Edhe në raste të aksidenteve apo problemeve shëndetësore, kompensimet nga kompanitë janë të pakta ose inekzistente. Shërbimet sociale, sigurimi shëndetësor apo pensional shpesh nuk u takojnë fare, dhe mungojnë ndërhyrjet për përmirësimin e kushteve të punës apo të shëndetit të tyre. Ky është ndoshta profesioni më i nënvlerësuar në një ekonomi ku shumëçka varet nga puna e kamarierëve”, tha Ademi.
Ai theksoi se kamarierët duhet të trajtohen ngjashëm me policët dhe të kenë stazh pune të favorshëm. Ai tha se nëse për çdo vit pune, stazhi i kamarierit llogaritet me koeficient 1.3 apo 1.4, dhe kjo për shkak të punës stresuese dhe dinamike. Ata duhet të kenë të drejtën për të dalë në pension jo më vonë se në moshën 50 vjeç, sepse sipas Ademit pas kësaj moshe është e paimagjinueshme të vazhdojnë të ofrojnë shërbim në atë intensitet.
“Kamarieri duhet të integrohet më shumë në ekonominë formale. Sipërmarrësi duhet t’i paguajë kontributet, sigurimet dhe gjithçka tjetër që i takon ligjërisht një punonjësi të rregullt”, shtoi Ademi.
Kërkuam informacione nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, nëse dhe ku kanë kryer kontrolle për kushtet e punës së kamarierëve në mbarë vendin, si rastet ku punojnë pa kontrata apo pa sigurime, por nga aty nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) për Portalb.mk e konfirmoi se në Maqedoninë e Veriut nga muaji mars 2025 deri në muajin shkurt 2026 rroga minimale bruto është 36.037 denarë, ndërsa rroga neto 24.379 denarë.
Ndërkaq rroga mesatare bruto gjatë muajit shkurt arriti në 64 634 denarë, kurse rroga neto 43 043 denarë.
Ndryshe, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot do të protestojë për paga më të larta, protesta do të fillijë nga Shtëpia e Punëtorëve, përmes Parlamentit dhe Odës Ekonomike deri në Qeveri.