“Paratë nga mafia ruse shkonin te Orban”, dëshmia e ish-anëtarit të botës së krimit

Ish-anëtari i botës së krimit në Budapest, Laszlo Kovac, ka bërë akuza të rënda për lidhjet mes krimit, policisë dhe politikës në Hungarinë e viteve ’90, duke pretenduar se ka marrë pjesë personalisht në dërgimin e parave nga bosi rus i mafias, Semjon Mogileviq te shefi i atëhershëm i policisë hungareze, Sandor Pinter, dhe se […]

Prill 10, 2026 - 11:00
“Paratë nga mafia ruse shkonin te Orban”, dëshmia e ish-anëtarit të botës së krimit

Ish-anëtari i botës së krimit në Budapest, Laszlo Kovac, ka bërë akuza të rënda për lidhjet mes krimit, policisë dhe politikës në Hungarinë e viteve ’90, duke pretenduar se ka marrë pjesë personalisht në dërgimin e parave nga bosi rus i mafias, Semjon Mogileviq te shefi i atëhershëm i policisë hungareze, Sandor Pinter, dhe se një pjesë e këtyre parave ka përfunduar edhe te kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Kovac, i cili ka punuar për kriminelin Igor Korol, i tha mediumit “Insider” se shpesh mbante pako me dhjetëra mijëra dollarë. “Merrja një pako prej 50 mijë deri në 100 mijë dollarë dhe ia çoja Pinterit”, pretendon ai, duke shtuar se pagesat ndodhnin një ose dy herë në javë. Sipas tij, paratë shpesh lidheshin me raste kriminale “ndodhte një vrasje, dhe pastaj unë çoja paratë. Arrija në përfundimin se kështu mbylleshin hetimet”.

Ai pretendon se lidhja mes Mogileviqit dhe Pinterit ishte e thellë, si biznesore ashtu edhe politike. Sipas tij, shefi i policisë mund të “bënte që çdo procedurë penale të zhdukej”, për çka paguhej rregullisht.

Kovac përshkruan gjithashtu përplasje të dhunshme të asaj periudhe, duke pretenduar se edhe vetë ishte sulmuar kur refuzoi të paguante gjobë kriminale. “U përpoqën të ma ulnin kokën në tavolinë, por nuk ia dolën… njëri prej tyre më goditi me thikë. Plaga nuk ishte e thellë, por kishte shumë gjak”, tha ai.

Në akuzat më të rënda, Kovac pretendon se disa vrasje dhe sulme me bomba ishin të lidhura drejtpërdrejt me njerëz nga maja e pushtetit. Duke folur për një nga rastet më të njohura, ai tha se “shpërthimin më të madh në qendër të Budapestit e organizoi personalisht Pinter”. Sipas tij, vrasjet kryheshin përmes ndërmjetësve dhe vrasësve profesionistë, ndërsa objektiv ishin njerëzit që dinin shumë ose që përbënin pengesë.

Një pjesë veçanërisht kontroverse e dëshmisë së tij lidhet me financimin e politikës. Kovac pretendon se në vitin 1997 u shfaqën shuma shumë më të mëdha parash. “Shuma të mëdha ishin të destinuara për ‘Vita’ – kështu e quante Mogileviq Orbanin,” tha ai, duke shtuar se shumat arrinin deri në një milion dollarë. Sipas tij, këto para ka gjasa të jenë përdorur për fushatën e parë të suksesshme zgjedhore të Orbanit në vitin 1998.

Ai shton se Mogileviçi e shikonte Orbanin me përbuzje, pavarësisht bashkëpunimit “ai hungarez i qelbur jeton nga paratë e mia, do të bëjë atë që i them unë”, citon Kovac fjalët e supozuara të mafiozit rus.

Sipas versionit të tij të ngjarjeve, pas ardhjes së Orbanit në pushtet, situata ndryshoi. Personat nga bota e krimit që më parë e kishin ndihmuar u bënë barrë.

“Me ndihmën e të njëjtit Pinter, ai i eliminoi shpejt dhe i dërgoi në burg”, pretendon Kovac, duke shtuar se edhe vetë Mogileviqi u largua nga Hungaria dhe shkoi në Rusi.

Në fund, Kovac lë të hapur çështjen e një ndikimi të mundshëm politik nga Moska “nuk kam informacione të besueshme, por mendoj se autoritetet ruse sigurisht mund të përdorin materiale komprometuese ndaj Orbanit”.

Kovac, i cili pretendon se ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës në shumë nga këto ngjarje, ka njoftuar se është i gatshëm të dëshmojë në gjykatë nëse ndodh një ndryshim i pushtetit në Hungari.