PD prezanton programin për mbrojtjen e familjes, Berisha: Paketa e Emergjencës do të varfërinë ekstreme!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë prezantimit të programit të PD-së për mbrojtjen e familjes kundër shpopullimit, paraqiti “Paketën e Emergjencës”, në të cilën vendos në fokus një sërë probematikash që prekin familjen shqiptare, e cila sipas tij është lënë pas dore me qeverinë aktuale të kryeministrit Edi Rama. Fillimisht, kryedemokrati u ndal tek […]

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë prezantimit të programit të PD-së për mbrojtjen e familjes kundër shpopullimit, paraqiti “Paketën e Emergjencës”, në të cilën vendos në fokus një sërë probematikash që prekin familjen shqiptare, e cila sipas tij është lënë pas dore me qeverinë aktuale të kryeministrit Edi Rama.
Fillimisht, kryedemokrati u ndal tek ndihma ekonomike me të cilën mbështeten qytetarët, duke marrë shembullin e qarkut të Kukësit, ku sipas Berishës, Rama ndëshkoi me ardhjen në pushtet të gjithë ata që nuk votuan pro Partisë Socialiste.
Më tej, Berisha shtoi se Shqipëria me rikthimin e opozitës në pushtet do t’u garantojë shqiptarëve ndihmën ekonomike që në tre muajit e parë.
“Kjo përpjekje, ky objektiv, për një familje të fortë, për një familje të konsoliduar, për një familje plot jetë, kërkon një përballje shumë planëshe. Prapë unë theksoj, e para varfëria. Në qoftë se ne nuk i bëjmë me urgjencë një sulm frontal varfërisë ekstreme, shqiptarët në qindra dhe mijëra do të vazhdojnë të ikin nga Shqipëria dhe familja shqiptare do zvogëlohet dhe do jetë gjithnjë në vështirësi. Ndaj dhe ajo paketë, që ne e kemi quajtur Paketë Emergjence ka një synim. Të zhdukë varfërinë ekstreme. Nuk zhduk varfërinë ajo se varfëria ekziston në çdo vend, por varfëria ekstreme në një vend me situatën ekonomike të Shqipërisë ekziston vetëm sepse ai vend vidhet, vidhet dhe vetëm vidhet nga qeveritarët. Asnjë shkak, asnjë arsye, nuk ka që kjo varfëri të ekzistojë. Ju them unë, çfarë ndodhi në Kukës? Sapo erdhi në pushtet Edi Rama hoqi ndihmën ekonomike për 20 mijë banorë në Kukës sepse votuan kundër, sepse qarku votoi kundër Partisë Socialiste. Mirëpo, ata që e njohin Kukësin e dinë që përveç pak fshatrave, fare pak fshatrave, në përgjithësi fshtatrat e atij qarku, janë fshatrat me më pak tokë. Janë fshatra të cilat pa ndihmë ekonomike nuk mund të jetojnë banorët. Dhe cila ishte Shqipëria në atë vit? Shqipëria atë vit duhet të shtonte, kishte 120 mijë qytetarë me ndihmë ekonomike, duhet të shtonte të paktën edhe 60 mijë të tjerë me regjistër. Dhe po të shtonte dhe këta 60 mijë, dhe ndihmën ekonomike, Shqipëria do realizonte atë që do realizojmë ne tani. E përjashtonte varfërinë ekstreme apo mjerimin. Përkundrazi, ato erdhën duke u thelluar dhe sot në një kohë kur 41% e popullatës janë në rrezik varfërie dhe janë varfëri, ndihmë ekonomike marrin gjithsej 61 mijë qytetarë. E gjitha kjo është një qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve dhe kjo merr fund në tre muajit e parë të qeverisjes sonë”, tha Sali Berisha.
Berisha sqaroi se, krahas premtimeve për minimumin jetik dhe rrogës minimale, respektivisht 200 dhe 500 Euro, do të ketë një proporcion, një përpjestim të tarifave të ujit, çmimit të energjisë, duke thënë se do të bëhet gjithçka në kohë rekord për të çliruar të gjithë shqiptarët nga ajo çfarë e quan kryedemokrati si dhimbje të skamjes.
Për Sali Berishën, realizimi i kësaj “Pakete Emergjente” kërkon një demografikë shumë serioze politike e cila duhet të synojë shtimin e popullatës në vend nga viti në vit. Sipas tij, në rrafshin moral, kjo ndodh kur ti e bën Shqipërinë një vend plot shpresë, plot besim, një vend ku të rinjtë, të rejat besojnë të ndërtojnë ëndrrën e tyre, ëndrrën shqiptare, pra, ti u rikthen ëndrrën shqiptarëve për t’u ndërtuar në Shqipëri.
Familja mbetet ajo që ka peshën më të madhe në zbatimin e premtimit të tij, duke përmendur kështu dhe përfitimet që do të vijnë nga qeveria për familjet shqiptare në rastin e lindjes së fëmijës së parë, të dytë dhe sidomos për të tretin, duke premtuar diçka madhore për këtë të fundit.
“Familja është ajo që ka peshën më të madhe në këtë mision, ndaj edhe ajo do të asistohet. Do të asistohet nga qeveria për fëmijën e parë, pagesë të përmuajshme, pagesë të përmuajshme për fëmijën e dytë dhe fëmija i tretë nga lindja gjer në moshën 23-vjeçare do të merret përsipër tërësisht nga shteti”, tha Berisha.
Në vazhdën e premtimeve për mbështetjen ndaj fëmijëve, kryedemokrati u premtoi gjithashtu nënave për një kuadër ligjor, për lehtësimin e barrës që ajo përballon, qoftë në aspektin financiar, qoftë në aspektin burokratik.
Ndër të tjera, Berisha potencoi se programi i kësaj fushe dhe suksesi i tij ka të bëjë me barometrin kryesor të arritjes së objektivate të qeverisë së ardhshme. Kreu i PD-së u tha hapur qytetarëve të pranishëm në konferencë se fitora e 11 Majit është e një rëndësie jetike vendimtare për të shpëtuar familjen shqiptare dhe zbrasjen e këtij vendi në mënyrën më të paimagjinueshme.