PDK-ja dhe Aleanca kërkojnë konstituimin e Kuvendit: Kurti po mban peng institucionet

“Albin, ktheja qytetarëve zërin që u takon”, vazhdojnë protestat e opozitës para Qeverisë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar sërish kthimin e kushtetutshmërisë dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Koso...

gusht 25, 2026 - 09:30
PDK-ja dhe Aleanca kërkojnë konstituimin e Kuvendit: Kurti po mban peng institucionet

“Albin, ktheja qytetarëve zërin që u takon”, vazhdojnë protestat e opozitës para Qeverisë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar sërish kthimin e kushtetutshmërisë dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të institucioneve.

Asamblistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fjolla Vukshinaj-Reçica, tha se pasojat e bllokimit të Kuvendit prekin drejtpërdrejt qytetarët, familjet dhe komunat.

“Bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk është një debat abstrakt politik. Nuk është vetëm një derë e mbyllur në këtë ndërtesë. Pas çdo dite që Kuvendi mbahet i bllokuar, është një qytetar që pret, një familje që ka një hall, një komunë që ka një projekt dhe një nevojë që mbetet pa zë. Këto janë pasojat reale të institucioneve të bllokuara. Sepse një Kuvend që nuk funksionon nuk mund t’i trajtojë siç duhet nevojat e qytetarëve, nuk mund të zhvillojë debatin për politikat dhe buxhetet që u duhen komunave dhe nuk mund t’i mbajë institucionet përgjegjëse”, deklaroi Vukshinaj-Reçica.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se Kurti dhe ministrat e tij duhet të largohen nga Qeveria në detyrë dhe të kthehen në Kuvend, në mënyrë që t’i hapet rrugë krijimit të institucioneve të reja.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.