Për mbështetje të të prekurve në “Puls” janë mbledhur rreth 30.000 euro në ankadin e iniciuar nga “Support Kocani”

Rreth 30.000 euro janë mbledhur në ankandin e djeshëm humanitar të veprave artistike për të ndihmuar të prekurit në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, kumtoi “Support Kocani”, njofton Portalb.mk. Ankandi u mbajt në Qendrën kulturore të Koçanit “Beli mugri”, ndërsa të gjithë mjetet do të t’u donohen familjeve të 62 viktimave dhe rreth 200 […]

Prill 27, 2025 - 12:00
 0  5
Për mbështetje të të prekurve në “Puls” janë mbledhur rreth 30.000 euro në ankadin e iniciuar nga “Support Kocani”
Fotografi nga viktimat e zjarrit në Koçan në shesh të qytetit. Foto: Teuta Buço/Portalb.mk

Rreth 30.000 euro janë mbledhur në ankandin e djeshëm humanitar të veprave artistike për të ndihmuar të prekurit në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, kumtoi “Support Kocani”, njofton Portalb.mk.

Ankandi u mbajt në Qendrën kulturore të Koçanit “Beli mugri”, ndërsa të gjithë mjetet do të t’u donohen familjeve të 62 viktimave dhe rreth 200 të lënduarve në zjarrin e tmerrshëm të 16 marsit.

Në ankandin e djeshëm ka pasur mbi 140 vepra dhe punime dore nga artistë nga i gjithë vendi, të cilët edhe disa ditë do të jenë të ekspozuara në “Beli mugri” me çmimin sipas të cilit janë blerë dhe pronari i ri i tyre.

Në ankand kanë marrë pjyesë edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, u.d. kryetari i Komunës së Koçanit Venko Kërstevski, lideri i LSDM-së Venko Filipçe, deputetët Pavle Arsoski dhe Mile Lefkov, kryetari i Komunës Qendër Goran Gerasimovski dhe biznesmenë lokal.

Në shenjë respekti ndaj viktimave sot në Koçan do të mbahet tur çiklizmi “62 kilometra”, do të vozitet përgjatë rrugës së vjetër në drejtim të Shtipit dhe anasjelltas, në një gjatësi prej 62 kilometrash.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 25 prill ngriti kallëzim penal kundër K.B., G.L. dhe A.T, të gjithë policë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”  lidhur me tragjedinë e zjarrit në Koçan.