Tretja e rinisë, ikja drejt së ardhmes
“Motivimi im kryesor për të shkuar për të studiuar jashtë vendit ishte dëshira për ndryshim, në kuptimin që doja të përjetoja të jetuarit diku jashtë në vitet e mia të njëzeta” – thotë një nga studentët malazezë që aktualisht studion në Slloveni. Emigrimi i të rinjve nuk është problem vetëm për shoqërinë në Maqedoninë e […]


“Motivimi im kryesor për të shkuar për të studiuar jashtë vendit ishte dëshira për ndryshim, në kuptimin që doja të përjetoja të jetuarit diku jashtë në vitet e mia të njëzeta” – thotë një nga studentët malazezë që aktualisht studion në Slloveni. Emigrimi i të rinjve nuk është problem vetëm për shoqërinë në Maqedoninë e Veriut, por edhe në vendet e tjera të rajonit. Ka shumë studentë nga vende të tjera të Ballkanit me një histori të ngjashme, shkruan Portalb.mk.
Autore: Antonija Janevska dhe Kristina Radovic
Kristiani është nga Maqedonia e Veriut dhe studion për inxhinieri mekanike në Lubjanë. Vendimi i tij për të studiuar jashtë vendit u bazua në faktin se Universiteti i Inxhinierisë Mekanike në Lubjanë është ndër më të mirët në këtë fushë në Evropën Lindore, por edhe me kosto më efektive. Ai jeton me disa shokë dhome sepse nuk mund të zërë vend në konviktet e studentëve.
“Një ditë e zakonshme për mua fillon me shkuarjen në ligjërata” – shpjegon Kristiani.
“Brenda ligjëratave, zakonisht kemi dy pushime. Më pas kemi ushtrime në klasë ose ushtrime laboratorike. Ushtrimet në klasë janë shumë të ngjashme me ligjëratat teorike që i ndjekim, por fokusohen në detyrat dhe problemet e matematikës dhe fizikës. Ushtrimet laboratorike janë më ndryshe, në varësi të lëndës, por gjithmonë ndahemi në grupe më të vogla, zakonisht nga katër deri në tetë vetë. Këtu punojmë në projekte, marrim nota dhe fitojmë njohuri praktike të koncepteve teorike që i kemi studiuar. Në fund të ditës, shkoj në bibliotekë për të bërë një përmbledhje të asaj që e kam mësuar, dhe më pas marr pjesë në programet sportive të ofruara nga universiteti”, thotë ai.
Shumica e të rinjve nga Ballkani vendosin të largohen nga vendet e tyre për shkak të standardeve dhe kushteve të këqija sociale, jetësore dhe ekonomike. Në Mal të Zi, një e pesta e të rinjve shprehën dëshirën për t’u larguar, tregon Studimi për të Rinjtë nga Evropa Juglindore 2024 nga Fondacioni “Friedrich Ebert”.
“Të rinjtë po largohen vazhdimisht nga Mali i Zi. Shkaqet për një dukuri të këtillë duhen kërkuar në mjedisin e paqëndrueshëm ekonomik dhe politik, i cili ofron terren pjellor për vazhdimin e praktikave joevropiane, siç janë punësimi mbi baza partiake dhe i bazuar në nepotizëm, korrupsioni, paligjshmëria, mediat e kapura dhe mbështetja e pamjaftueshme për të rinjtë, ose thjesht mbështetje deklarative që nuk e reflekton sjelljen e vërtetë të vendimmarrësve”, thotë David Vukiçeviç, kryetar i Rrjetit për Aktivizmin Rinor të Malit të Zi (MOACG).
Për të rinjtë nga Ballkani Perëndimor, Shtetet e Bashkuara (SHBA) janë një nga destinacionet më të dëshirueshme për të emigruar. Por, shumë prej aplikimeve të tyre për viza po refuzohen. Në vitin 2024, më shumë se e një e treta e aplikimeve për viza amerikane në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri ishin të pasuksesshme. Në Maqedoni shkalla e refuzimit ishte 28 për qind.
Disa vendosin të qëndrojnë në Evropë
Josifi është një 21-vjeçar maqedonas që studion shkencat kompjuterike në Universitetin e Bristolit. Dita e tij e zakonshme konsiston në ndjekjen e ligjëratave dhe konsultimet me profesorët për notat dhe projektet inovative. Ligjëratat zhvillohen përmes prezantimeve dhe punës praktike, ndërsa materialet e tij studimore janë në formë elektronike ose mund të gjenden në bibliotekë.
“Edhe pse më pëlqen të jem këtu, ndiej një lidhje më të thellë me vendin tim dhe njerëzit atje. Edhe këtu shoqërohem me maqedonas”, thotë Josifi. Ai fitoi mundësinë për të studiuar jashtë vendit për shkak të bursës së ofruar nga Ministria e Arsimit.
Bursa kërkon që studenti të pranohet në një nga 100 universitetet më të mira të renditura në Listën e Shangait, Renditja Akademike e Universiteteve Botërore të vlerësuara për nga numri i punimeve shkencore të botuara në revista ndërkombëtare dhe numri i fituesve të çmimit Nobel. Edhe pse asnjë nga universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk është përfshirë në Listën e Shangait në vitet e fundit, Ministria e vendit ofron bursa për universitetet që gjenden në Listën e Shangait, të cilat i mbulojnë shumicën e shpenzimeve të studentëve. Pas diplomimit, studenti duhet të kthehet dhe të punojë në vendin e tij për disa vjet.
Josifi thotë se e vetmja arsye për të cilën ai do të kthehej në Maqedoninë e Veriut është për shkak të familjes dhe miqve të tij; Për sa i përket karrierës, ai thotë se mundësitë jashtë vendit janë shumë më tërheqëse. Meqenëse ai do të kthehet në Maqedoninë e Veriut pasi të mësojë sa më shumë që mundet në Universitetin e Bristolit, ai shpreson që njohuritë dhe përvoja që e fiton në Mbretërinë e Bashkuar do të shpërblehen me një rrogë të mjaftueshme në shtëpi.
Në dekadën e fundit, një numër në rritje i studentëve nga Maqedonia kanë kërkuar mundësi arsimimi përtej kufijve të vendit. Përballë sfidave në përmbushjen e aspiratave të tyre akademike, shumë prej tyre tërhiqen nga institucionet jashtë vendit, ku ata kanë kurrikula më të avancuara, kushte moderne për mësim dhe perspektiva më të mëdha profesionale. Ky trend, megjithatë, vë në pah probleme më të thella, sistemore brenda sistemit të arsimit të lartë të Maqedonisë së Veriut, dhe përderisa numri i studentëve që largohen vazhdon të rritet, shtrohen pyetje të thella në lidhje me kapacitetin e institucioneve akademike të vendit për të mbajtur talentët e ri dhe për të nxitur një mjedis të favorshëm për inovacion dhe përparim.
Sipas një studimi të Fondacionit Westminster për Demokraci, Maqedonia e Veriut investon midis 116 dhe 433 milionë euro në vit në arsimimin dhe trajnimin e të rinjve, të cilët më pas largohen nga vendi. Në 30 vitet e fundit, ka pasur një reduktim prej 10% të popullsisë së vendit për shkak të emigrimit të konsiderueshëm të studentëve me aftësi të larta. Dhe vështirë se mund të ndalojë rritja e këtij numri.
Nuk ka punë për të rinjtë
Edhe pse nuk ka një statistikë zyrtare se sa malazezë jetojnë jashtë vendit, të dhënat nga Shoqata e Statistikanëve dhe Demografëve tregojnë se sipas të dhënave nga Regjistrimi i popullsisë në vitin 2023, rreth një e treta e qytetarëve malazezë, ose 213.478 njerëz, jetonin jashtë vendit.
“Edhe pse të dhënat janë mbledhur për 44.017 persona të përfshirë në Regjistrimin e popullsisë, kjo përbën vetëm 20 për qind të diasporës së vlerësuar, ndërsa 80 për qind, ose 169.461 persona, nuk janë përfshirë sepse në kohën e Regjistrimit të popullsisë, ata nuk kishin ndonjë anëtar të familjes të pranishëm në Mal të Zi që mund të
japë informacione në emër të tyre” – thotë Gordana Radojeviq nga DSDCG.
Regjistrimi i popullsisë aktualisht përfaqëson burimin e vetëm të të dhënave për të rinjtë që studiojnë jashtë vendit. Sipas regjistrimit të fundit, 8.230 qytetarë të Malit të Zi jetojnë jashtë vendit për qëllime arsimore, nga të cilët 43 për qind, ose 3.607 persona, janë duke studiuar në Serbi.
David Vukiçeviç nga MOACG mendon se të dhënat tregojnë qartë se Malit të Zi i mungon një politikë adekuate pro-nataliste, por edhe se “të rinjtë vazhdojnë ta kërkojnë lumturinë e tyre përtej kufijve të atdheut të tyre. ”
Kushtet dhe cilësia e edukimit dhe jetës, suksesi gjatë procesit arsimor dhe parakushtet për arritjen e tij, mundësitë për përmirësim, punësim, avancim dhe pavarësi ekonomike janë përcaktuesit kryesorë që i formojnë qëndrimet e të rinjve, shpjegon Vukiçeviç.
“Hyrja në tregun e punës është disi më e lehtë për të rinjtë për shkak të deficitit të fuqisë punëtore të përshtatshme dhe rritjes së rrogave minimale neto. Megjithatë, për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve, ky efekt gradualisht po dobësohet, megjithëse është ende i pranishëm. Në të njëjtën kohë, performanca e punës pritet të jetë në përputhje me nivelet aktuale të rrogave, por sistemi arsimor nuk i ka përgatitur në mënyrë adekuate ata që sapo po hyjnë në tregun e punës për kushte të tilla. I vlerësoj përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dhe të Ministrisë së Sportit dhe të Rinjve për përmirësimin e pozitës së të rinjve, por pa mbështetjen adekuate nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Malit të Zi, është e vështirë të arrihen rezultate të prekshme” – thotë ai.
Të dhënat nga Banka Botërore tregojnë se vetëm në dekadën e fundit, më shumë se 2,5 milionë njerëz janë larguar nga Ballkani Perëndimor në kërkim të kushteve më të mira të jetesës në Evropën Perëndimore, duke treguar se kjo është një tendencë rajonale, e jo një problem që është i pranishëm vetëm në një vend.
Studimet e TI-së dhe të inxhinierisë ndër më të dëshiruarit
Një nga çështjet kryesore të migrimit në rajon është largimi i të rinjve me arsim të lartë, ekspertëve në fusha të tilla si TI-ja, inxhinieria, mjekësia dhe sektorë të tjerë thelbësorë të njohur zakonisht si STEM, që do të thotë Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë.
Përderisa Maqedonia e Veriut ka një histori të thellë kulturore që reflektohet në artin, muzikën dhe letërsinë e saj, programet e artit kanë vështirës për t’u ofruar studentëve mundësi tërheqëse, dhe studentët që kanë dëshirë për të ndjekur karrierën në një fushë të tillë janë larguar nga vendi në kërkim të arsimimit të tyre jashtë vendit. Përderisa programet STEM shpesh shihen si më fitimprurëse dhe më të rëndësishme, artet dhe studimi i programeve të tilla shpesh shihen si një luks dhe jo si një domosdoshmëri.
Ivana që studion në Kolegjin Ithaca, thotë se natyra e punës për të cilën ajo po studion shpesh kërkon bashkëpunim dhe përvojë ndërkombëtare dhe në SHBA ka shumë më tepër mundësi për rrjetëzim, festivale filmi, produksione, publikime dhe mundësi të tjera. Megjithatë, ajo dëshiron të bëjë të njëjtën gjë në vendin e saj.
“Gjithmonë kam dashur të kontribuoj në një mënyrë apo në një tjetër në zhvillimin e kulturës dhe artit të Maqedonisë dhe promovimin e saj nëpër botë” – shpjegon ajo. “Dëshiroj ende të jem aktive në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan përmes angazhimeve të caktuara në fushën e filmit dhe fotografisë.”
Universitete të digjitalizuara
Studentët që studiojnë jashtë vendit dhe që u intervistuan për këtë artikull ndanë përvoja të ndryshme në krahasim me studentët që diplomojnë në Maqedoninë e Veriut, ku nevojat si p.sh. librat digjitalë janë ende një koncept i huaj në universitetet e vendit.
Në një studim të vitit 2023 nga Forumi për Ndryshime Arsimore dhe Fondi Evoprian për Demokraci u konstatua se digjitalizimi në universitetet publike është shumë i pazhvilluar.
“Përkundër përdorimit në rritje të teknologjisë në arsim në mbarë botën, shumë universitete publike në Maqedoninë e Veriut ende mbështeten në metodat tradicionale të mësimdhënies dhe të të mësuarit. Kjo përfshin përdorimin e teksteve fizike dhe ligjëratave, përdorimin e indekseve në letër (pavarësisht se ekziston një sistem vlerësimi online), regjistrimin e semestrave me prezencë fizike dhe konsultime gjithashtu me prezencë fizike, në vend të përdorimit të burimeve online.” thuhet në studim.
Gjetjet e hulumtimit tregojnë se ka një boshllëk të konsiderueshëm të digjitalizimit në universitetet shtetërore dhe se nevojiten përpjekje të konsiderueshme për të përmirësuar infrastrukturën, burimet dhe trajnimet e nevojshme për të mbështetur digjitalizimin në këto institucione. Në studim gjithashtu theksohet se përqindja e buxhetit që ndahet për digjitalizim në universitetet shtetërore në Maqedoninë e Veriut mbetet relativisht e ulët.
Enti i Statistikave të Maqedonisë nuk mban evidencë për atë se sa nga qytetarët e saj studiojnë jashtë vendit. E vetmja gjë që mund të na thonë është se aktualisht janë 400 studentë që studiojnë me bursën e shtetit në ndonjërin nga 100 universitetet më të mira në botë.
Jo vetëm të rinjtë po largohen nga atdheu i tyre. Në Mal të Zi, për dallim nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, kur nga vendi kryesisht po largohej fuqia punëtore me kualifikim më të ulët, në dekadat e fundit, shumë nga ata që largohen janë me arsim të lartë.
“Për fat të keq, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve të emigruar apo për arsyet e largimit të tyre, pasi që ata që largohen nga Mali i Zi nuk e çlajmërojnë vendbanimin e tyre për të ruajtur disa të drejta në Mal të Zi, gjë që e bën të vështirë vlerësimin e shtrirjes së përgjithshme të migrimit. Prandaj, monitorimi sistematik i migracionit është hapi i parë dhe më i rëndësishëm, veçanërisht duke pasur parasysh se, sipas hulumtimeve për të rinjtë, kemi një përqindje stabile prej 50% të të rinjve që dëshirojnë të largohen nga Mali i Zi” – thotë demografi Miroslav Doderoviq.
Emigrimi i vazhdueshëm nga Mali i Zi, kryesisht i banorëve më të rinj, konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare të Byrosë Shtetërore të Statistikave (Monstat), sipas të cilave Mali i Zi kishte 615.035 banorë në regjistrimin e vitit 1991 dhe 32 vjet më vonë, në vitin 2023, vetëm disa mijëra të tjerë më shumë – 623.633, duke përfshirë mbi 90.000 me shtetas të huaj.
Një nga destinacionet kryesore të emigracionit është Gjermania, ku zyrtarisht janë 10.413 qytetarë të Malit të Zi.
Pse largohen njerëzit?
Masat kryesore që mund të ndikojnë në faktorët që nxisin dhe tërheqin migrimin përfshijnë rritjen e efikasitetit të programeve aktive të tregut të punës, me theks në integrimin e individëve dhe të rinjve të papunë afatgjatë.
“Papunësia afatgjatë është një nga sfidat kryesore në Mal të Zi. Pavarësisht trendeve pozitive në tregun e punës, papunësia afatgjatë përfaqëson një përqindje të lartë prej 72 për qind në vitin 2023, krahasuar me papunësinë totale. Shkalla e papunësisë afatgjatë ishte pothuajse 12 për qind në vitin 2019. Grupi më i madh në mesin e të papunëve afatgjatë janë ata që kërkojnë punë për herë të parë, kryesisht të sapodiplomuarit” – shpjegon Doderoviq.
Si arsye kryesore të largimit nga Mali i Zi, shumica e përmendin ekonominë, ndërsa gjysma e qytetarëve malazezë të anketuar thonë se janë shpërngulur jashtë vendit për arsye familjare dhe disa për qëllime arsimore.
“Numri më i madh i shtetasve malazezë të regjistruar janë duke punuar, studiuar, apo banuar në Gjermani, ku numri i tyre total është 10.413. Numri më i madh i individëve të regjistruar që punojnë apo studiojnë jashtë vjen nga Podgorica, me 6.384 persona” – thotë Monstat.
“Për një kuptim më gjithëpërfshirës të çështjes së migracionit, veçanërisht të strukturës së popullsisë që largohet nga Mali i Zi, nevojiten hulumtime të detajuara në mënyrë që politikëbërësit dhe vendimmarrësit të mund të synojnë më qartë problemet kyçe dhe të propozojnë programe për të mbajtur dhe tërhequr popullsinë” – thotë Doderoviq.
Emigrimi i të rinjve nga Ballkani, veçanërisht nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, përbën një sfidë serioze për të ardhmen e këtyre vendeve. Ndërkohë që të rinjtë po largohen në kërkim të arsimit më të mirë, mundësive për punë dhe një cilësie më të lartë të jetesës, kjo tendencë ka pasoja afatgjata në zhvillimin e rajonit. Edhe pse ka iniciativa të shumta që synojnë ndalimin e këtij trendi, si përmirësimi i sistemit arsimor, kushtet më të mira të punës dhe krijimi i mundësive të reja për të rinjtë, është e qartë se vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta në nivel rajonal dhe ndërkombëtar mund të krijojmë kushte në të cilat të rinjtë mund të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të vendeve të tyre.
Ky artikull rajonal është përgatitur në kuadër të projektit Rrjeti i Diversitetit 2.0 – Agjenda e Re.