Përfundoi “Shporta e Vitit të Ri” në RMV, autoritetet e konsiderojnë si masë të suksesshme
Sot përfundoi shporta e Vitit të Ri, e cila zgjati një muaj dhe u formua me iniciativën e sektorit të biznesit. Ajo përfshinte mbi një mijë produkte dhe autoritetet prisnin që çmimi i produkteve ushqimore bazë të ulej me të paktën 10 përqind, transmeton Portalb.mk. “Sot mbyllet aksioni i Shportës së Vitit të Ri, i […]
Sot përfundoi shporta e Vitit të Ri, e cila zgjati një muaj dhe u formua me iniciativën e sektorit të biznesit. Ajo përfshinte mbi një mijë produkte dhe autoritetet prisnin që çmimi i produkteve ushqimore bazë të ulej me të paktën 10 përqind, transmeton Portalb.mk.
“Sot mbyllet aksioni i Shportës së Vitit të Ri, i cili u krijua me propozimin e bizneseve me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës dhe zgjati nga 15 dhjetori 2024 deri më 15 janar 2025. Qëllimi kryesor i Shportës së Vitit të Ri, i cili u krijua nga bizneset, respektivisht prodhuesit, distributorët dhe tregtarët, ishte krijimi i një liste më të gjerë të produkteve ushqimore të caktuara që vendoseshin në rafte me çmime të reduktuara. Me të njëjtën u parandalua rritja e çmimeve para dhe për festat e Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve dhe u ruajt një nivel i qëndrueshëm i inflacionit në dhjetor 2024 dhe janar 2025, gjatë festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve kur ka rritje të konsumit”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.
Në listën e produkteve, siç është publikuar në ueb faqen Shporta ime të cilën Ministria e Ekonomisë dhe Punës e krijoi posaçërisht për këtë aksion, u përfshinë 1178 produkte nga 96 prodhues dhe distributorë, u përfshinë 51 markete kurse aksioni u zbatua në 762 pika shitjeje.
“Nëse shikojmë këto shifra, besoj se aksioni i Shportës së Vitit të Ri ishte i suksesshëm dhe kontribuoi në uljen e çmimeve të produkteve që përfshiheshin në të. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave nga të dhënat për Indeksin e shpenzimeve të jetesës dhe të çmimeve me pakicë për muajin dhjetor vërehet se inflacioni në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 është 3.5%, siç edhe ishte projektuar. Në bazë mujore, në dhjetor të vitit 2024, krahasuar me nëntorin e po këtij viti 2024, inflacioni është 0.3%. Të dhënat statistikore tregojnë se në dhjetor 2024, krahasuar me nëntorin 2024, ulja e shpenzimeve të jetesës për ushqime dhe pije joalkoolike është -0.3%. Kjo tregon se Shporta e Vitit të Ri, ku bënin pjesë kryesisht ushqime dhe pije joalkoolike, ka dhënë efektin e saj dhe çmimet e ushqimeve dhe pijeve në dhjetor 2024 janë ulur në krahasim me nëntorin e vitit 2024”, shtojnë nga Ministria e Ekonomisë.
Kjo ministri thotë se pritet që edhe në të dhënat statistikore për muajin janar të vitit 2025 në krahasim me dhjetorin e vitit 2024, të vërtetohen efektet e Shportës së Vitit të Ri, respektivisht të realizohet reduktimi shtesë i shpenzimeve të jetesës për ushqime dhe pije joalkoolike.
Meqenëse ishte iniciativë e sektorit të biznesit, nuk kishte asnjë vendim të qeverisë, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Tregut mund që vetëm të monitoronte çmimet në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Ligjin për Tregtinë, gjegjësisht janë parë çmimet e produkteve që janë në Shportën e vitit dhe çmimet më të ulëta në të njëjtat produkte që ishin në 30 ditët e fundit.
Që në fillim të shportës së Vitit të Ri, nga opinioni publik pati reagime se për shkak të uljes së disa produkteve ushqimore, çmimet e produkteve të tjera që nuk ishin pjesë e shportës u rritën ndjeshëm.
Ministria kompetente e Ekonomisë dhe Punës apeloi tregtarët që t’i përmbahen marrëveshjeve, duke njoftuar se nëse kjo nuk ndodh, do të aktivizohet vendimi për ngrirjen e çmimeve ose kufizimin e marzheve.
Nga ana tjetër, Enti Shtetëror i Statistikave bëri të ditur se inflacioni në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.4 përqind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2023 dhe se kërcimi më i madh ishte tek ushqimet.
Masën e Shportës së Vitit të Ri, Qeveria e shpalli me 5 dhjetor, pas mbi një muaji konsultimesh me biznesin. Kjo iniciativë për “Shportën e Vitit të Ri” u iniciua nga prodhuesit, shpërndarësit dhe tregtarët e produkteve ushqimore dhe produkteve alkoolike dhe joalkoolike të cilët u ofruan të dorëzojnë listë të produkteve të tyre më të shitura gjatë festave të Vitit të Ri që do të shiten me aksion me çmime më të ulëta prej 10 e më shumë përqind.