Përplasen LSDM dhe VMRO-DPMNE, akuza dhe kundërakuza: Kush më shumë e dëmtoi popullin?

Opozitarja LSDM dhe partia në pushtet VMRO-DPMNE kanë adresuar sot sërë pyetjesh dhe akuzash ndaj njëra tjetrës. Nga VMRO përsërisin se po presin përgjigje në lidhje me vizën e kreut të LSDM-së Filipçe për vizitat e tij luksoze në Dubai, ndërkaq, LSDM kërkon përgjegjësi nga ministri i Kulturës, kuadër i VMRO-DPMNE, Zoran Lutkov për vonesën […]

Prill 21, 2025 - 14:00
 0  6
Përplasen LSDM dhe VMRO-DPMNE, akuza dhe kundërakuza: Kush më shumë e dëmtoi popullin?
Kryeministri Hristian Mickoski dhe lideri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe. Foto nga profili zyrtar i Mickoskit në Facebook

Opozitarja LSDM dhe partia në pushtet VMRO-DPMNE kanë adresuar sot sërë pyetjesh dhe akuzash ndaj njëra tjetrës. Nga VMRO përsërisin se po presin përgjigje në lidhje me vizën e kreut të LSDM-së Filipçe për vizitat e tij luksoze në Dubai, ndërkaq, LSDM kërkon përgjegjësi nga ministri i Kulturës, kuadër i VMRO-DPMNE, Zoran Lutkov për vonesën e pagave punonjësve të kulturës, shkruan Portalb.mk.

“LSDM, Venko Filipçe dhe Zoran Zaev me mençuri heshtin dhe nuk kanë argumente për të reaguar dhe as nuk i mohojnë dilemat tona. Ka një javë që e kemi ngritur çështjen e vizës së artë të Venko Filipçes për në Dubai, sipas shembullit të eprorit dhe liderit të tij shpirtëror Zoran Zaev. Ne i kemi ngritur publikisht dilemat dhe pyetjet tona në lidhje me vizën e artë dhe po pyesim nëse është e vërtetë që Filipçe e posedon atë dhe nëse po, si e ka fituar? Por nuk ka përgjigje nga partia LSDM, kryetarin e së cilës, Filipçen, e vendosi Zoran Zaev, për të mbrojtur kurrizin derisa ai zgjeron bizneset e tij”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE.

Nga aty thonë se, presin përgjigje edhe për dilemën nëse Zoran Zaev po ndërton ndërtesa të larta mbi 50 kate në Dubai dhe nga i merr paratë.

Nga ana tjëtër, LSDM ka dalur me reagim ndaj menaxhimit, siç theksojnë, katastrofik të kulturës nga ministri Zoran Lutkov, i cili la mbi 3000 punëtorë të kulturës pa pagesë duke paralajmëruar shitjen e trashëgimisë kulturore me koncesion,

“Kjo është thelbi, kjo është neglizhenca institucionale e kulturës, e punonjësve të kulturës dhe e trashëgimisë sonë kulturore. A dëshiron DPMNE që vendet e shenjta maqedonase të përfundojnë në portofolet e njerëzve të tjerë vetëm që dikush të përfitojë personalisht? A është kjo normalja e re me shkatërrimin e kulturës? LSDM është në anën e qytetarëve dhe nuk do të lejojë shkatërrimin e trashëgimisë kulturore”, thuhet në reagimin e LSDM.

LSDM kërkon dorëheqje dhe përgjegjësi politike nga Lutkovi për kaosin që ka shkaktuar në kulturë, tërheqjen e deklaratave të turpshme për privatizimin e trashëgimisë kulturore dhe urgjentisht pagesën e pagës së marsit për të gjithë punëtorët e kulturës.