Platforma e Organizatave Civile për Luftë Kundër Korrupsionit reagoi ndaj deputetit Bojan Stojanoski për lidhjen e tyre me parti politike
Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit reagaoi ndaj përpjekjeve të deputetit Bojan Stojanoski për të lidhur reagimet e Platformës me ndikimet e partive politike. “Në kushtet kur nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe nga Bashkimi Evropian u nxorën argumente serioze kundër ndryshimeve të propozuara në Ligjin për prokurime […]
Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit reagaoi ndaj përpjekjeve të deputetit Bojan Stojanoski për të lidhur reagimet e Platformës me ndikimet e partive politike. “Në kushtet kur nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe nga Bashkimi Evropian u nxorën argumente serioze kundër ndryshimeve të propozuara në Ligjin për prokurime publike, deputeti Stojanoski shprehu pikëpamje dhe informacione personale kundër Platformës. Prandaj, Platforma reagon fuqishëm dhe i kërkon Kuvendit të dënojë këtë sjellje të deputetit”, thonë nga Platforma, transmeton Portalb.mk.
“Platforma, e cila ekziston prej 10 vjetësh, udhëhiqet gjithmonë nga parimet që rrjedhin nga praktikat më të mira në luftën kundër korrupsionit, si dhe nga ekspertiza, përvoja dhe hulumtimi i anëtarëve të saj. Platforma përfshin 14 organizata si anëtare të përhershme që kanë dëshmuar se janë me përvojë dhe ekspert në punën e tyre dhe kanë qenë të përfshirë në shumë procese konsultative që synojnë avancimin e disa çështjeve sistematike kundër korrupsionit, që ishin në përputhje me kërkesat dhe praktikën ndërkombëtare. Gjithashtu, theksojmë se në suazat e Platformës të gjitha vendimet merren në bazë të shumicës, për të cilat ka rregulla dhe procedura vendimtare të miratuara nga vetë anëtarët”, thuhet në reagim.
Platforma dënon këtë përpjekje për të dëmtuar reputacionin e anëtarëve të saj, të cilët punojnë ekskluzivisht në dobi të qytetarëve, ndërkaq ky interes u referohet institucioneve publike që mbrojnë interesin publik, parandalojnë korrupsionin dhe ofrojnë shërbime në favor të tyre.
“Përveç kësaj, Kuvendi humbi mundësinë për të ofruar konsultime me ekspertë, gjë që është në kundërshtim me përpjekjet e deklaruara për të krijuar politika duke përfshirë të gjitha kapacitetet në dispozicion të shoqërisë maqedonase. Kjo praktikë nuk duhet të vazhdojë në të ardhmen nëse duam të miratojmë ligje në interes të qytetarëve”, thonë nga Platforma.
Për sa i përket bashkëpunimit, nga Platforma thonë se mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të saj të krijimit të politikave përmes një procesi transparent dhe konsultativ, me përfshirjen aktive të të gjitha palëve të interesuara.
“Jemi të mendimit se vetëm përmes dialogut të hapur dhe partneritetit midis shoqërisë civile dhe institucioneve mund të krijohet një sistem që do t’u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të të gjithë qytetarëve. Shoqëria civile, e përfaqësuar përmes Platformës, do të jetë partnere e autoriteteve në proceset e krijimit të politikave publike dhe interesit publik bazuar në respektin e ndërsjellë dhe qëndrimin profesional”, thuhet në reagim.