Policia komunale e RMV-së vetëm në deklarata, Gjorgjievski: Së shpejti do të sillet zgjidhja ligjore

Pavarësisht se premtohet moti kohë, në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka polici komunale. Autoritetet vijojnë të japin premtime ndërsa rezultat në terren nuk ka. Së fundmi kryetari i Bashkësisë të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale Orce Gjorgjievski tha se së shpejti do të sillet zgjidhje ligjore, por pa dhënë datë konkrete, raporton Portalb.mk.  Gjorgjievski tha […]

dhjetor 12, 2024 - 18:00
 0  5
Policia komunale e RMV-së vetëm në deklarata, Gjorgjievski: Së shpejti do të sillet zgjidhja ligjore
Policia e RMV-së. Foto nga Portalb.mk

Pavarësisht se premtohet moti kohë, në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka polici komunale. Autoritetet vijojnë të japin premtime ndërsa rezultat në terren nuk ka. Së fundmi kryetari i Bashkësisë të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale Orce Gjorgjievski tha se së shpejti do të sillet zgjidhje ligjore, por pa dhënë datë konkrete, raporton Portalb.mk. 

Gjorgjievski tha se tashmë është përgatitur propozim ligj për policinë komunale, gjegjësisht ndryshime për të njëjtin.

“Në periudhën në vijim, tashmë kemi pasur takim me Toshkovskin (ministrin e Brendshëm), gjatë ditës së nesërme do të kem takim koordinues, ku mes pikave të tjera, do ta diskutojmë edhe këtë me ministrin dhe besoj që do të sillet edhe kjo zgjidhje ligjore në të ardhmen e afërt”, tha Gjorgjievski. 

Ai tha se janë iniciuar edhe ndryshim në gjoba, që për momentin janë minimale, janë nga 50 deri 200 euro. 

“Ne kërkojmë që gjoba minimale, posaçërisht për deponitë e egra, të jetë nga 4000 deri 6000 euro dhe të ketë mundësi që shërbimet e komunës ta konfiskojnë automjetin, që më pas t’i dorëzohet MPB-së”, tha Gjorgjievski. 

Ligji për policinë komunale është kërkesë e kamotshme e BNJVL-së dhe daton që në vitin 2019. 

Policinë Komunale në programet e tyre si premtim e kanë edhe disa kryetarë komunash të përbërjes aktuale të vetëqeverisjeve lokale. 

Madje për Portalb.mk disa nga komunat në të kaluarën kanë kërkuar që të kryhen procedurat që do tu mundësonin atyre të formojnë policinë komunale. 

Policinë komunale e cila do të kujdeset për rendin komunal lokal, pastërtinë dhe ruajtjen e mjedisit jetësor e pati premtuar edhe qeveria e kaluar në Programin Qeveritar 2020/2024, por nuk arritën ta realizojnë. 

Policia komunale nënkupton që komunave do tu jepet e drejta të vendosin masa dhe të ndërmarrin aktivitete për respektimin e rendit komunal, higjienës publike, mbrojtjen e gjelbërimit, ujit, hapësirave publike, ndotjes së ajrit dhe tokës, depozitimin e mbeturinave, mirëmbajtjen dhe sigurinë gjatë ngjarjeve me rëndësi lokale, mbrojtjen e pronës dhe objekteve në pronësi të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe të pronës dhe objekteve të institucioneve të themeluara nga pushteti lokal. Punonjësit e policisë komunale do të mund t’i ndihmojnë inspektorët komunalë gjatë kryerjes së mbikëqyrjeve inspektuese. 

Shembulli se si duket në praktikë policia komunale mund të shihet në Serbi, ku prej vitit 2009, komunat e kanë mundësi ligjore të organizojnë shërbim të tyre, i cili do të kujdesej për rendin, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe lëshimin e disa lejeve. Policët komunal 24 orë në 7 ditë të javës, mund të jenë me ose pa uniforma, por duhet të kenë legjitimacion. Kanë të drejtë të mbajnë shkop-gome, pranga dhe të përdorin forcë fizike. Mund të paralajmërojnë, të urdhërojnë, të marrin mjete dhe të kontrollojnë identitetin. 

Polici komunale ka edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë e cila ka filluar veprimtarinë në vitin 2001.