Premtimet boshe të politikës: Rinia e RMV-së në 2024 e braktisur dhe e përbuzur
Problematikat rinore morën vëmendje të madhe të opinionit në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2024, por jo edhe zgjidhjet. Portalb.mk sjell një retrospektivë të asaj se çfarë ndodhi me të rinjtë e vendit në vitin që sapo e lamë pas. Papunësia, biletë njëkahëshe për në mërgim Ngjashëm si vitet e kaluara, papunësia mbeti një nga […]
Problematikat rinore morën vëmendje të madhe të opinionit në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2024, por jo edhe zgjidhjet. Portalb.mk sjell një retrospektivë të asaj se çfarë ndodhi me të rinjtë e vendit në vitin që sapo e lamë pas.
Papunësia, biletë njëkahëshe për në mërgim
Ngjashëm si vitet e kaluara, papunësia mbeti një nga problemet kryesore të të rinjve në vend. Që kjo është kështu e ka theksuar për të disatën herë edhe Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2024, Brukseli e tha qartë që vitin e ardhshëm RMV-ja duhet të zbatojë strategjinë e aktivizimit të tregut të punës për të rinjtë
Përveç kësaj, të rinjtë u përballën edhe me pamundësi për të kryer praktikë në kompanitë vendore.
Rinia vazhdoi ta braktisë vendin për një jetë më të mirë në Perëndim. Portalb.mk në 2024 kreu një anketë për largimin e të rinjve nga Maqedonia e Veriut. Arsyet e largimit ishin të ndryshme, por si kryesore u theksua korrupsioni, politizimi, nepotizmi, shëndetësia, rrogat dhe standardin i ulët dhe të tjera.
Dhunë, bullizëm, drogë, bixhoz…
Vitin 2024 dëgjuam për një duzinë sjelljesh devijante nga më në ndryshmet te të rinjtë dhe nxënësit.
Një e treta e të rinjve në RMV përjetuan dhunë në internet në vitin 2024, kështu raportoi UNICEF përmes anketës së tyre ‘U-report’.
Një raport tjetër nga Analytica think-tank tregoi se dhuna kibernetike prek 50 përqind të nxënësve të shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, ndërsa gjysma e tyre nuk e kanë denoncuar të njëjtën për shkak të frikës.
Mësimdhënësit alarmuan për gatishmërinë e nxënësve të cilët kanë për tu grindur ose ngritur dorë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre. Për dhunën mes të rinjve alarmoi edhe OSBE-ja.
Që dhuna dhe bullizmi kibernetik mbetet problem kjo u theksua edhe në shumë hulumtime të tjera. Edhe të dhënat nga institucionet dhe ekspertët për dhunën në shkolla në vitin 2024 ishin shqetësuese. Për shkak të përleshjeve midis nxënësve, ka pasur edhe arrestime të të rinjve.
Përdorimi dhe shitja e lëndëve narkotike nga nxënësit ishin një tjetër problem që u debatua vazhdimisht.
Hulumtimi i HOPS – Opsione për jetë të shëndetshme Shkup nxori në pah se gjysma e të rinjve që kishin anketuar, rezultoi se gjatë natës kur dalin përdorin substanca psikoaktive.
Për shumë të rinj, në vitin 2024 problem mbeti edhe varësia ndaj bixhozit. Këtë madje me anë të statistikave e pasqyroi edhe anketa e HOPS-it dhe raportime të ndryshme.
Një sfidë TikToku, shumë nxënës të lënduar
Dhjetëra nxënës përfunduan nëpër spitale me lëndime fizike periudhën e fundit të vitit, kjo për shkak të sfidës ‘Superman’ në rrjetin social TikTok. Edhe në të kaluarën të rinjtë janë lënduar nga sfida të ndryshme të TikTokut. Megjithatë, institucionet në vend nuk planifikuan masa kufizimi për këtë rrjet social.
Strategji për shëndet mendor për të rinjtë
Shëndeti mendor dhe seksual në RMV mbetën tema tabu te nxënësit, pavarësisht se sektori civil përmes debateve të ndryshme u mundua të hapë debat për të njëjtat. Edukimi gjithëpërfshirës seksual nuk hyri në kurrikulat shkollore as vitin që e lamë pas.
Gjatë vitit 2024 vendi miratoi Strategjisë së re nacionale për shëndetin mendor për të rinjtë 2024/26, i cili përmban plan veprimi me një sërë masash, aktivitetesh, institucionet përgjegjëse dhe afatet konkrete. Megjithatë, kjo strategji do të funksionojë vetëm nëse institucionet e kryejnë punën e tyre.
Sidoqoftë, lajm jo i mirë në fushën e shëndetësisë ishte informata se në dekadën e fundit është rritur numri i të rinjve që vuajnë nga sëmundjet e zemrës.
Zgjedhje po, zgjidhje jo
Në vitin 2024 vendi pati zgjedhje parlamentare, koalicionet dhe partitë politike në fushatë dhe në programet e tyre premtuan shumë për të rinjtë, megjithatë nga qeveria e re e cila është në funksion këtë gjysmë viti, nuk është parë të bëhet shumë në drejtim të problemeve rinore.
Pas zgjedhjeve parlamentare, Agjencia për Rini dhe Sport u transformua në Ministri të Rinisë, kjo u mirëprit nga rrjetet e organizatave rinore.
Në vitin 2024 u mbajtën edhe zgjedhjet presidenciale, por çështjet rinore tërhoqën pak vëmendje në fushatën presidenciale. Pas zgjedhjeve, presidentja formoi Këshillin për të rinj.
Megjithatë, të rinjtë në vend edhe gjatë vitit 2024 përsëritën qëndrimin se politika nuk është vetëm punë e politikanëve.
Këshilli Rinor Kombëtar në analizën e tyre nxorën në pah se përfshirja thelbësore e të rinjve në krijimin e politikave publike është e rrallë.
Ngjashëm, Hulumtimi i Forumit për Ndryshime në Arsim tregoi se të rinjtë ankohen për mospërfshirje në politikë.
Që të rinjtë janë të paknaqur me proceset vendimmarrëse në vend e tregoi edhe raporti i OSBE-së.
Edhe në vitin që e lamë pas, katër vite pas miratimit të tij, Ligji për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore pati zbatim jo të plotë. Portalb.mk ka ndjekur në disa raste implementimin e disa prej dispozitave të tij, ku shumë komuna nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore.
Shumë institucione, si qendrore po ashtu edhe lokale nuk realizuan shumë premtime ndaj të rinjve.
Karta Evropiane Rinore mbeti një iluzion edhe në vitin 2024.
Studentët në RMV përballë shumë lëmsheve
Në vitin akademik 2023/24 pati rënie të lehtë të numrit të studentëve. Por, kjo nuk përfundon këtu. Problemet e studentëve ishin nga më të ndryshmet.
Studentët në vitin 2024 ishin të “dhunuar” financiarisht nga xhepat për shkak të harxhimeve të shumta dhe të larta. Kjo është dëshmuar disa herë, si përmes hulumtimeve, por edhe nga ankesat direkte të studentëve dhe kuvendeve studentore.
Problemet e shumta me transportin ndërurban morën gjithashtu vëmendje. Kuvendi studentor universitar i Universitetit Shën Kirli dhe Metodi kërkoi që të vazhdojë masa e subvencionimit për transportin ndërurban për studentët.
Studentët vazhdimisht janë ankuar për çmimet e larta të biletave për linjat ndërurbane, edhe vitin që shkoi nuk patën lehtësime për bileta të transportit ndërurban. Problem me transportin në vitin 2024 patën edhe nxënësit dhe studentët e Shkupit.
Problem që mori vëmendje ishin edhe ngacmimet seksuale nga profesorët në Universitetin e Tetovës, Universitetin Nënë Tereza dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut, për të cilat raportoi Portalb.mk.
Problematikat e konvikteve vijuan edhe në 2024. U mbyll konvikti “Stiv Naumov” i cili nuk do të funksionojë derisa të rikonstruohet. Konvikti ‘Pellagonia’ mbeti në kushte shumë të vështira. Studentët e Konviktit të Tetovës vijuan të ankohen se nuk kanë mensë.
Për të gjithë këto probleme studentët nuk heshtën, ata përmes aktiviteteve të ndryshme kanë apeluar gjatë gjithë vitit që të zgjidhen problemet e tyre.
Moment i rëndësishëm në historinë e studentëve këtë vit ishte se për herë të parë në RMV gjatë vitit 2024 u mbajt Forumi i Parë Nacional Studentor nën organizimin e Forumit për Ndryshime në Arsim. Në këtë drejtim u formua edhe Trupi Nacional Studentor ku janë të kyçur nga shtatë universitete.
MASH vijoi të ndajë bursa për studentët dhe nxënësit edhe në vitin 2024. Gjithashtu u aplikua edhe racioni i subvencionuar për studentët, megjithatë sutudentët kërkuan që kjo masë të jetë më efektive. Madje, Forumi për Ndryshime në Arsim pak ditë para përfundimit të vitit propozoi nismën për transport të subvencionuar ndërurban për studentët që studiojnë jashtë vendbanimit të tyre.
Nuk ishte gjithçka zi
Gjatë vitit 2024 Shkupi filloi përgatitjet që të kandidojë për Kryeqytetin Evropian të Rinisë. Por, një muaj para përfundimit të vitit Këshilli Rinor Kombëtar e shkëputi bashkëpunimin me Qytetin e Shkupit, pasi siç than ky institucion nuk është i përkushtuar për të rinjtë.
Në vitin 2024 shteti përmes disa masave të ndryshme ka ofruar ndihma në disa fusha si: në sektorin e bujqësisë, zhvillimit teknologjik, art dhe të tjera.
Përpos institucioneve shtetërore edhe organizatat ndërkombëtare ofruan mbështetje financiare për individët e rinj dhe organizatat.
Të rinjtë ishin pjesë e shumë aktiviteteve dhe organizimeve brenda dhe jashtë vendit si: punëtori, panaire të karrierës, debate, këmbime, trajnime, shpërblime, bursa, mbështetje financiare, strategji, udhëtime.
Inovatorët e rinj nga vendi krijuan aplikacionin celular për t’i ndihmuar personat me diabet.
Me çmime të para u dekoruan shumë të rinj në vend, rajon dhe botë.
Fondacioni Metamorfozis ishte tejet aktiv, u mbajtën një sërë trajnimesh me të rinj në sferën e gazetarisë. U mbajtën edhe debate dhe diskutime në tema të ndryshme.
Portalb.mk gjithashtu gjatë gjithë vitit ka raportuar vazhdimisht për problematikat rinore. Në vitin 2024 filloi edhe seria e podcast-it OpenMic e cila shërbeu si një dritare për shumë çështje rinore.