Shëndetësia publike e RMV-së “në aparate”: Ende me sëmundjet e vjetra kronike, ndërsa iu ngjitën edhe baktere të reja
Vitin e kaluar dikasteri i shëndetësisë vuante prej kohësh nga sëmundjet kronike të cilat i ka prej kohësh, dhe meqë ra fjala, i janë ngjitur edhe baktere të reja, mushkëritë i pësuan kolaps, ndaj tani duket se funksionon “në aparate”. Për të gjitha këto sëmundje ende po kërkohet një kurë. Viti u shënua nga një […]
Vitin e kaluar dikasteri i shëndetësisë vuante prej kohësh nga sëmundjet kronike të cilat i ka prej kohësh, dhe meqë ra fjala, i janë ngjitur edhe baktere të reja, mushkëritë i pësuan kolaps, ndaj tani duket se funksionon “në aparate”. Për të gjitha këto sëmundje ende po kërkohet një kurë. Viti u shënua nga një sërë ngjarjesh në dikasterin më të rëndësishëm në vend (së bashku me arsimin), duke përfshirë këtu një epidemi të një sëmundjeje tashmë të çrrënjosur, kolapsin e stacionit të kompresorit në qendrën më të madhe klinike, largimin e punonjësve shëndetësorë, protestën. Meqë ra fjala, më në fund u zgjerua lista pozitive e barnave, e cila njoftohej prej kohësh nga disa ministra, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Epidemia e kollës së keqe
Fillimisht viti nisi me paraqitjen e rastit të parë të pertusis ose kollës së keqe, sëmundje e cila thuajse ishte e çrrënjosur në vendin tonë prej dhjetëra vitesh. Por për shkak të joazhurnitetit të prindërve dhe lëvizjeve antivaksere, na u kthye prej nga dera e madhe. Edhe pse kah fundi i vitit 2023 kishte qindra raste të sëmundjes në Serbinë fqinje, autoritetet në Maqedoninë e Veriut nuk ndërmorën hapa për ta parandaluar epideminë. Kështu, në muajt e parë të vitit 2024, vetëm në Shkup janë regjistruar jo më pak se 5.000 fëmijë të cilët kanë nuk e kanë marrë ndonjërën nga dozat për kollën e keqe. Pasi numri i të infektuarve filloi të rritet në mënyrë drastike, Komisioni për Sëmundjet Infektive propozoi që të shpallet epidemi e kollës së keqe dhe të pranohen në kopshte vetëm fëmijët e vaksinuar plotësisht. Deri më sot Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) vazhdon të regjistrojë raste të reja të kollës së keqe, ndërsa epidemitë janë aktive si në Shkup ashtu edhe në Kumanovë.
Kolapsi i kompresorit
Problemi më i madh që e shënoi këtë vit ishte kolapsi i stacionit të kompresorit në qendrën klinike “Nënë Tereza”, që ndodhi në fund të majit. Për muaj të tërë Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” dhe Spitali i Përgjithshëm i Qytetit-Kirurgjia “Sh. Naum Ohridski”, për shkak të sallave të mbyllura operative të Qendrës Klinike ishin të mbingarkuar me punë, ndërsa ka pasur ditë kur në Spitalin e Qytetit për vetëm një javë janë kryer 150 ndërhyrje kirurgjike urgjente.
Edhe në fund të vitit në sallat kirurgjike të Qendrës Klinike u bënë ndërhyrje vetëm tek pacientët që ishin raste urgjente. Edhe pse ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, lajmëroi se deri në vitin e ri do të vendoset një kompresor i ri dhe do të normalizohet puna në sallat kirurgjike, kjo nuk ndodhi. Tenderi i parë që u shpall në verë në korrik dështoi për shkak se nuk aplikoi asnjë kompani. Në gusht u shpall një tender i dytë dhe u përzgjodh një kompani, por stacioni i kompresorit ende nuk është instaluar.
“Kompania është një kompani serioze dhe profesioniste për këtë punë. Sipas tyre, për rreth katër muaj do të përfundojnë të gjitha punimet”, tha ministri Taravari në shtator.
Punonjësit shëndetësorë po largohen nga vendi
Ajo që edhe në vitin 2024 u identifikua si problem nga vitet e mëparshme është se në shëndetësinë publike nuk ka mjaftueshëm specialistë. Mjekët paralajmëronin se ka specializantë, të cilët në fund kur mbarojnë specializimin, ose punësohen në klinika private ose shkojnë të punojnë jashtë vendit. Shëndetësia është përballur vazhdimisht ndër vite me problemin e mungesës së kuadrove të reja që largohen për punë jashtë vendit, ndaj është e vështirë të gjenden kuadro të përshtatshme për të punuar në spitale dhe ordinanca. Ky problem është i theksuar veçanërisht në qytetet më të vogla dhe në zonat rurale. Kjo u theksua edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, në pjesën që i referohet shëndetësisë publike.
“Nuk ka mjaftueshëm specialistë, dhe raporti i infermiereve për 100.000 banorë është nën mesataren e BE-së. Punonjësit shëndetësorë vazhdojnë të largohen nga sektori publik i shëndetësisë për në sektorin privat ose të punojnë jashtë vendit. Shpenzimet për mbrojtje shëndetësore që qytetarët i paguajnë nga xhepi janë të larta, gjë që është pengesë për qasje të barabartë në shëndetësi. Përkundër ekzistimit të aplikacionit për e-shëndetësi, udhëzimet ende bëhen në letër, ndërsa aplikacioni nuk është i ndërveprueshëm me të dhënat e FSSHM-së”, thuhet në raportin e këtij viti të Komisionit Evropian.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase ministri Taravari deklaroi se Maqedonisë “urgjentisht dhe menjëherë” i duhen “së paku 1.000 mjekë” deri në fund të vitit 2025.
Protesta sindikale
Në muajin prill mjekët dhe personeli mjekësor i Qendrës Klinike protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë në mbështetje të specializantëve të punësuar me kohë të pjesshme. Protesta organizohej nga Sindikata e Qendrës Klinike. Personeli mjekësor kërkonte që të bëhet transformim i marrëdhënies së punës që ato të mund të kenë sigurime pensionale dhe shëndetësore. Epilogu i këtij reagimi të tyre ishte njoftimi i transformimit të marrëdhënies së punës, që sipas Taravarit duhej të ndodhte deri më 31 dhjetor, por nuk dihet nëse ka filluar.
Përndryshe, Arben Taravari u ul në karrigen e ministrit në qershor pas zgjedhjeve parlamentare të fituara nga koalicioni VLEN, ku ai është një nga bashkëkryetarët. Taravari ka qenë ministër i shëndetësisë edhe më parë, nga qershori deri në shtator të vitit 2017 kur Aleanca e tij për Shqiptarët hyri në qeverinë e kryeministrit të atëhershëm Zoran Zaev.
Zgjerimi i listës pozitive si një lajm i rrallë pozitiv
Një nga lajmet e rralla pozitive në shëndetësinë publike në vitin 2024 ishte zgjerimi i listës pozitive të barnave. Edhe pse duket se kjo është më shumë meritë e Qeverisë së kaluar. Zgjerimi me nëntë barna të reja pas njoftimeve të gjata u bë në gusht të vitit 2024. Pas vitit 2009 vetëm në vitin 2014 në këtë listë është shtuar një medikament. Taravari ka bërë të ditur se në shkurt të vitit 2025 do të ketë zgjerim të ri të listës, por mbetet për t’u parë nëse do ta mbajë premtimin.
Fundi i vitit u shënua edhe nga arritjet e reja të mjekëve tanë. Kështu së fundmi në Klinikën e Ortopedisë për herë të parë është kryer transplantimi i tendinës së Akilit nga banka e indeve të donatorëve të vdekur. Ndërhyrja u krye në një pacient 47-vjeçar me një dëmtim të vjetër të tendinës së Akilit. Transplantimi u krye nën udhëheqjen e Dr. Eren Sejfulla, së bashku me Dr. Aleksandar Savevski dhe Dr. Bojan Budiq, anesteziologe Dr. Liljana Angelevska, në bashkëpunim me Dr. Milena Bogoevska, koordinatore e spitalit për ortopedi dhe përgjegjëse për bankën e indeve.
Shëndetësia është një dikaster që duhet restauruar. Kjo theksohet edhe në raportet e Komisionit Evropian çdo vit. Shumë nga problemet janë të zgjidhshme, siç është parkingu i Qendrës Klinike, i cili është plagë e hapur prej vitesh, por për zgjidhjen e tij duhet vullneti i autoriteteve.