Profesioni i mësuesisë humbet hijen e dikurshme: Të rinjtë e shmangin për shkak të pagave dhe mungesës së respektit
Të rinjtë në vend thuajse kanë humbur interesimin për t’u bërë pjesë e arsimit në Maqedoninë e Veriut. Profesioni mësimdhënës që dikur gëzonte respektin maksimal, sot po shihet me skepticizëm nga brezat e rinj. Sipas drejtuesve të shkollave, problemi fillon te politikat e paqëndrueshme. Refik Saliu, drejtor i shkollës fillore “Abdyl Frashëri” në Haraçinë, thotë […]
Të rinjtë në vend thuajse kanë humbur interesimin për t’u bërë pjesë e arsimit në Maqedoninë e Veriut. Profesioni mësimdhënës që dikur gëzonte respektin maksimal, sot po shihet me skepticizëm nga brezat e rinj. Sipas drejtuesve të shkollave, problemi fillon te politikat e paqëndrueshme. Refik Saliu, drejtor i shkollës fillore “Abdyl Frashëri” në Haraçinë, thotë se çdo ndryshim qeverie e kthen arsimin në pikën zero.
“Çështja e parë, pagat në arsim janë mjaft të ulëta. Reformat kanë ngec shumë. Çdo ministër, çdo qeveri që është ndryshuar nuk e ka vazhduar procesin e reformimit por krejt atë punë që e ka bë ministri paraprak është anashkaluar dhe ka filluar prej zeros. Çdo ministër ka vepruar sipas idesë së vet dhe mendimeve të veta se si duhet të bëhet reforma në arsim. Kjo ka bë dëm jashtëzakonisht të madh dhe ka shkaktuar ngecje të reformave reale qe duhen të bëhen në arsim”, tha Refik Saliu, drejtor I sh.f “Abdyl Frashëri” Haraçinë.
Sipas mësuesit Jusuf Amati, të rinjtë e shohin mësuesinë si profesion me mundësi të kufizuara avancimi dhe zhvillimi profesional, veçanërisht në krahasim me sektorë të tjerë që ofrojnë paga më të larta dhe fleksibilitet më të madh.
“Me qenë arsimtar ka qenë një punë e madhe sikur me qenë kryetar shteti kurse sot niveli i arsimit ka ranë shumë, jashtëzakonisht shumë, mos të them 50% por më shumë. Edhe po gjejnë punë tash në firmat private, pse me kry fakultetin me u harxhu kur një arsimtar nuk mund t’ia del nëse ka një student, e mos të themi tre, katër ose më shumë. Fëmija im, me një rrogë të arsimit duhet ti blej atletet 1000 denarë e të atij që janë në qeveri, me biznese të vogla, mos të flasim për të mëdhaja, i blen atletet 200 euro”, u shpreh Jusuf Amati, mësues, sh.f “Mihaill Grameno” Bllacë.
Përveç krizës financiare, mësuesit po përballen edhe me një sfidë brenda klasës. Mësuesja, Lulzime Nuhi thotë se gjeneratat e reja, të rritura me teknologji, kanë një tjetër perceptim për autoritetin dhe punën e mësuesit.
“Janë gjenerata shumë më hiperaktive se sa kemi qenë ne. Ne kur na thonin mësuesit të qëndrojmë ulur ne nuk kemi lëvizur nga vendi ndërsa këto gjeneratat e reja sikur kanë një percepcion tjetër. Nuk i zbatojnë urdhëratë, janë më të gjallë, janë më hiperaktiv, të themi se ndoshta i din të drejtat më shumë se ne. Bëjnë pyetje, pyetje të cilat ndoshta ti edhe nuk e pret që ta parashtroj fëmija atë pyetje, mundohemi t’u japim përgjigje edhe thjesht varësisht nga mosha të cilën e kanë i bëjnë disa pyetje me të vërtet interesante”, theksoi Lulzime Nuhi, mësuese, sh.f “Mihaill Grameno” Bllacë.
Ekspertët e arsimit paralajmërojnë se nëse ky trend vazhdon, shkollat rrezikojnë të mbeten pa mësues të rinj. Sipas tyre, për ta bërë mësuesinë më tërheqëse, nevojiten politika afatgjata që përfshijnë përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave dhe rikthimin e dinjitetit të profesionit. Pa këto ndryshime, mësuesia rrezikon të mbetet një profesion i zgjedhur nga mungesa e alternativave, e jo nga pasioni./ Alsat.mk