Pronari i “Pulse” del nga paraburgimi në tetor, gjykata: nuk ka bazë ligjore për zgjatjen
Pronari i diskotekës “Pulse”, Dejan Jovanov, pritet të lirohet nga paraburgimi në fillim të tetorit, pasi më 3 tetor skadon afati ligjor prej një viti për mbajtjen e tij në paraburgim hetimor. Nga Gjykata Penale sqarojnë se aktakuza ndaj Jo...
Pronari i diskotekës “Pulse”, Dejan Jovanov, pritet të lirohet nga paraburgimi në fillim të tetorit, pasi më 3 tetor skadon afati ligjor prej një viti për mbajtjen e tij në paraburgim hetimor.
Nga Gjykata Penale sqarojnë se aktakuza ndaj Jovanovit është vlerësuar më 3 tetor 2025 dhe, sipas dispozitave ligjore, masa e paraburgimit mund të zgjasë maksimumi një vit nga data e vlerësimit të aktakuzës.
Paraburgimi ndaj Jovanovit është zgjatur deri më 3 tetor 2026. Pas skadimit të këtij afati, gjykata mund t’i caktojë masa të tjera parandaluese për të siguruar praninë e tij gjatë vazhdimit të procesit gjyqësor.
Sa u përket të akuzuarve të tjerë, Gjykata Penale njofton se aktualisht masën e arrestit shtëpiak e kanë Jane Jançevski dhe Ivica Grozdanovski. Për Jançevskin është pranuar kërkesa për heqjen e arrestit shtëpiak dhe zëvendësimin e tij me garanci prej mbi 33 mijë eurosh në pasuri të paluajtshme.
Masat e arrestit shtëpiak për Mitko Stojanovin, Martin Gjorgievin dhe Stojanço Dimitrievin janë zëvendësuar me masa parandaluese. Ndërkohë, për disa prej të akuzuarve të tjerë janë pranuar garanci në vlera të konsiderueshme, përfshirë 319.154 euro për Todor Jovanovin dhe 849.602 euro për Bekim Haxhiun.
Gjykata thotë se të akuzuarit ndaj të cilëve është hequr masa e arrestit shtëpiak janë nën masa parandaluese, të cilat, sipas gjykatës, po i respektojnë dhe paraqiten rregullisht në seancat gjyqësore.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.