Protesta e 6 prillit për gjuhën shqipe, mbështetje nga profesorët dhe thirrje për reflektim institucional
Prorektori për Arsim dhe Çështje Studentore në Universiteti Nënë Tereza, Fati Iseni, ka shprehur mbështetjen e tij të hapur ndaj studentëve lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, duke The post Protesta e 6 prillit për gjuhën shqipe, mbështetje nga profesorët dhe thirrje për reflektim institucional appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Prorektori për Arsim dhe Çështje Studentore në Universiteti Nënë Tereza, Fati Iseni, ka shprehur mbështetjen e tij të hapur ndaj studentëve lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, duke paralajmëruar pjesëmarrjen në protestën e 6 prillit.
Në reagimin e tij publik, Iseni thekson se përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore që nuk cenon gjuhët e tjera.
“Përdorimi i gjuhës amtare është e drejtë elementare dhe, në rastin konkret, përdorimi i gjuhës shqipe askund nuk e dobëson gjuhën maqedonase; përkundrazi, e përforcon tolerancën dhe krijon kohezion më të balancuar mes bashkësive”, deklaron ai.
Duke iu referuar karakterit multietnik të shtetit, ai shton:
“RMV-ja është shtet multietnik… ky shtet është i përbashkët dhe bashkë me të edhe hiseja dhe përgjegjësitë janë të përbashkëta.”
Iseni shpreh gjithashtu besimin se të drejtat e fituara nuk do të cenohen:
“Besoj se establishmenti politik relevant në shtet funksionon mbi bazën e principeve evroperëndimore dhe nuk do të lejojë që të drejtat e fituara të shqiptarëve të krasiten me abrogime apo keqinterpretime të ligjeve.”
Në fund, ai konfirmon pjesëmarrjen në protestë:
“Si profesor dhe, mbi të gjitha, si prind… më 6 prill 2026, ora 12:30, do të jem në mesin e tyre për të kërkuar drejtësi dhe barazi.”
Ndërkohë, profesoresha e Fakultetit Juridik në Universiteti i Tetovës, Vlona Pollozhani, e cilëson protestën si një sinjal të fortë për reflektim institucional dhe shoqëror në Maqedonia e Veriut.
“Protesta e studentëve në 6 Prill është një thirrje e qartë për reflektim mbi stabilitetin politik dhe shoqëror… barazia gjuhësore është parakusht për bashkëjetesë,” deklaroi ajo.
Sipas Pollozhanit, baza kushtetuese për përdorimin e gjuhëve buron nga Marrëveshja e Ohrit.
“Ky status sanksionon parimin e barazisë efektive dhe karakterin shumetnik të shtetit, duke e shndërruar përdorimin e gjuhës nga një çështje identitare në një normë imperative (jus cogens),” theksoi ajo.
Ajo paralajmëron se çdo kufizim i kësaj të drejte cenon rendin juridik:
“Çdo tentativë për kontestimin apo reduktimin e kësaj të drejte… cenon parimin e pacta sunt servanda.”
Ndërkohë, profesori Izet Zeqiri ngre alarmin për pabarazi strukturore në arsimin e lartë.
Sipas tij, mbi 12 mijë studentë shqiptarë përballen me mungesë të barazisë gjuhësore, sidomos në provimet për licenca profesionale.
“Ky është një konflikt strukturor, që vjen nga moszbatimi i amendamentit 5 të Kushtetutës dhe ligjeve për përdorimin e gjuhës,” deklaron Zeqiri.
Ai thekson se situata është veçanërisht shqetësuese në drejtësi, ku shumica e studentëve studiojnë në shqip, por nuk mund të japin provimet kryesore në gjuhën e tyre.
Në fund, ai u bën thirrje institucioneve të garantojnë barazi të plotë dhe mbështet të drejtën e studentëve për protestë paqësore, duke e cilësuar atë si mjet legjitim për kërkimin e të drejtave.
Në anën tjetër, studentët nga Universiteti i Tetovës, Universiteti Nënë Tereza dhe Universiteti i Evropës Juglindore u kanë bërë thirrje publike profesorëve për mbështetje.
“Sot gjendemi përballë një sfide të tillë, ku mbështetja dhe zëri juaj janë të domosdoshëm për ne,” thuhet në letrën e tyre.
Ata kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe:
“Kërkojmë një të drejtë që na takon me Kushtetutë dhe ligj… mundësinë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.”
Studentët njoftojnë se protesta do të mbahet më 6 prill, ora 12:30 në Shkup, me nisje nga Ura e Gurit, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe dinjitoze.
“Ju ftojmë që të bëni apel publik për mbështetje masive të protestës paqësore dhe për pjesëmarrje dinjitoze,” theksohet në apel. Gazeta Flaka
The post Protesta e 6 prillit për gjuhën shqipe, mbështetje nga profesorët dhe thirrje për reflektim institucional appeared first on Flaka, në çdo lajm... .