Protestë më 8 Mars: Një në tre gra përjeton ngacmim, kërcënime ose sulm fizik në një hapësirë publike 

Lëvizja nëpër rrugë, në autobusë, në parqe dhe në lagjet e tyre për shumë gra nënkupton planifikim të kujdesshëm dhe frikë. Këtë e konfirmojnë shumica e grave dhe vajzave nga Shkupi, të cilat kanë marrë pjesë në hulumtimin e Institutit Reaktor për dhunën me bazë gjinore në vende publike dhe kanë treguar se ato vetë […]

Mars 7, 2025 - 16:00
 0  3
Protestë më 8 Mars: Një në tre gra përjeton ngacmim, kërcënime ose sulm fizik në një hapësirë publike 
Konferencë për media, Instituti Reaktor/ Foto: Portalb.mk

Lëvizja nëpër rrugë, në autobusë, në parqe dhe në lagjet e tyre për shumë gra nënkupton planifikim të kujdesshëm dhe frikë. Këtë e konfirmojnë shumica e grave dhe vajzave nga Shkupi, të cilat kanë marrë pjesë në hulumtimin e Institutit Reaktor për dhunën me bazë gjinore në vende publike dhe kanë treguar se ato vetë kanë përjetuar ose njohin një grua që ka pësuar një lloj dhune në hapësirat publike në qytet, shkruan Portalb.mk.   

 “Incidentet më të zakonshme të përjetuara janë: shikimi, fishkëllima dhe ngacmimet, komentet e papërshtatshme për pamjen e tyre, sharjet dhe gjestet vulgare. Por dhuna nuk mbaron këtu – dy nga tre vajzat dhe gratë e anketuara gjithashtu përballen me përndjekje, një numër i ngjashëm janë përballur me shfaqjen publike të organeve gjenitale dhe çdo e dyta grua ka përjetuar ose njeh një grua që ka përjetuar prekje ose rrëmbim të padëshiruar seksual. Për më tepër, të paktën një në tre gra ka përjetuar personalisht ose njeh një grua që ka përjetuar një incident që përfshin kërcënime ose sulm fizik në një hapësirë publike, dhe një në pesë gra ka përjetuar personalisht ose njeh një grua që ka përjetuar sulm seksual në një vend publik”, tha Ana Bojçevska Mitrevska, nga Instituti Reaktor.   

Nga aty informuan se Instituti Reaktor ka publikuar platformën tashmë ekzistuese të internetit për raportimin e dhunës “Reago!” “Ji e sigurt”, si dhe kanë krijuar një mjet shtesë celular që do ta bëjë më të lehtë raportimin e incidenteve të dhunës në hapësirat publike.   

“Platforma funksionon mbi parimin e crowdsourcing, pra mbledhjen e eksperiencave direkt nga ata që i përjetojnë ato, në mënyrë që ato të vihen re. Ideja është të mapohen hapësirat publike ku ndodh dhuna me qëllim të planifikimit më të mirë të aktiviteteve të policisë dhe strukturave të sigurisë, por edhe për të inkurajuar gratë dhe vajzat që të raportojnë përvojat e dhunës, dhe kështu të kontribuojnë në ndërgjegjësimin dhe njohurinë e publikut se cilat vende janë potencialisht të pasigurta dhe ku duhet të marrin masa paraprake shtesë”, tha Bojçevska Mitrevska.  

Reaktor bëri thirrje që të raportohen rastet e dhunës. Sipas tyre, kur një grua dokumenton dhe raporton një incident të dhunshëm, ajo u dërgon një mesazh grave të tjera se ato nuk janë vetëm dhe nuk kanë faj.   

“Solidariteti i grave do të thotë të mos heshtësh. Le të reagojmë. Le të jemi të sigurt – për veten dhe për të gjitha gratë përreth nesh. Pikërisht në këtë frymë solidariteti dhe në funksion të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ne zgjedhim këtë moment për të ngritur zërin dhe për të shprehur pakënaqësinë tonë përballë pabarazisë sistematike”, thonë nga Reaktor.  

Gratë e Institutit Reaktor bënë thirrje që të protestohet më 8 mars.

“Të shtunën, nesër, 8 mars, duke filluar nga ora 13:00 para Sallës Universale, ju bëjmë thirrje që të dalim së bashku në rrugë, për të treguar se jemi këtu dhe se nuk pranojmë të jetojmë me frikë”. 

Protesta organizohet nga Reaktor, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Tiiitt! Inc, Rrjeti Stella dhe Koalicioni Margjini. Organizatorët kanë porositur qytetarët të sjellin fishkëlluese, tenxhere, lugë druri, elektrikë dore, dhe pankarta.