Qeveria e RMV-së do të vlerësojë lajmet pozitive, negative dhe neutrale, është shpallur tender për “press-clipping”

Qeveria shpalli tenderin për përzgjedhjen e një kompanie që duhet të zhvillojë softuer për vlerësimin e ndikimit mediatik dhe do të mundësojë vlerësimin e lajmeve të publikuara nëse janë pozitive, negative apo neutrale, transmeton Portalb.mk. Në specifikacionin teknik të tenderit të publikuar në faqen e Byrosë së Prokurimit Publik pa specifikuar buxhetin e parashikuar, thuhet […]

Mars 27, 2025 - 20:00
 0  5
Qeveria e RMV-së do të vlerësojë lajmet pozitive, negative dhe neutrale, është shpallur tender për “press-clipping”
Media, gazetarë, gazetari. televizion, kamera, foto: Suad Bajrami

Qeveria shpalli tenderin për përzgjedhjen e një kompanie që duhet të zhvillojë softuer për vlerësimin e ndikimit mediatik dhe do të mundësojë vlerësimin e lajmeve të publikuara nëse janë pozitive, negative apo neutrale, transmeton Portalb.mk.

Në specifikacionin teknik të tenderit të publikuar në faqen e Byrosë së Prokurimit Publik pa specifikuar buxhetin e parashikuar, thuhet se kompania që do të përzgjidhet në tender duhet të ofrojë shërbimin e vlerësimit të ndikimit apo “clippingut në media, përkatësisht monitorimin, përzgjedhjen, prodhimin dhe shpërndarjen e njoftimeve në media të shkruara, elektronike, internet dhe rrjete sociale. Softueri duhet të ofrojë të dhëna për median që ka publikuar lajmin dhe emrin e autorit të lajmit.

“Qasja në ueb në njoftimet 24 orë në ditë duhet të ofrojë mundësinë e kërkimit, shënimit të fjalëve kyçe në njoftim, shfaqjes së burimit origjinal me link, mundësinë e krijimit të raporteve, mundësinë e vlerësimit të njoftimeve mediatike në kuptimin pozitiv, negativ dhe neutral, analizën sasiore online të njoftimeve sipas parametrave të caktuar”, thuhet në dokumentacionin teknik të tenderit.

Qeveria kërkon marrjen e informacionit në kohë reale, menjëherë pas publikimit dhe maksimumi dy orë pas publikimit, një modul të inteligjencës artificiale si dhe një aplikacion celular për të gjitha llojet e smartfonëve.

Qeveria SDK-së iu përgjigj se tenderi është shpallur për të krijuar politika të cilat janë në dobi të publikut dhe qytetarëve dhe për të zbuluar gabimet në operim.

“Analiza e mediave i lejon institucionet të monitorojnë reagimet e publikut ndaj njoftimeve të politikave, çështjeve të reja apo krizave. Përveç kësaj, monitorimi i tendencave dhe diskursi publik ndihmon në parashikimin e sfidave dhe përafrimin e mesazheve me pritshmëritë e palëve të interesuara. Tendenca jonë është të krijojmë dhe zbatojmë politika që janë në dobi të publikut dhe qytetarëve, por edhe të zbulojmë gabimet operacionale dhe t’i korrigjojmë ato. Sistemi i përshkruar në dokumentacion nuk i referohet vlerësimit të rëndësisë së vetë lajmit, por mesazheve që vijnë nga media në drejtim të korrigjimit të gabimeve të mundshme në zbatimin e politikave nga operacionet e Qeverisë. Dhe në atë drejtim median e shohim vetëm si një korrigjuese dhe partnere të fortë në zbatimin e politikave me interes të përbashkët dhe social”, thotë Qeveria.

Tenderi është shpallur më 5 mars dhe është i hapur deri më 4 prill, deri kur edhe duhet të dorëzohen ofertat.