VLEN-i në kohë turbulente, e ndajnë listat për zgjedhje lokale

Partneri shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, koalicioni VLEN nuk po i jeton ditët më të mira sa i përket harmonisë brenda partive që formuan koalicionin si dhe ujdisë së mundshme për zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti. Shkuarja në zgjedhje lokale e VLEN-it, nga të njëjtat parti siç […]

Mars 27, 2025 - 20:00
 0  6
VLEN-i në kohë turbulente, e ndajnë listat për zgjedhje lokale
Koalicioni VLEN. Foto nga Lëvizja Besa (Facebook)

Partneri shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, koalicioni VLEN nuk po i jeton ditët më të mira sa i përket harmonisë brenda partive që formuan koalicionin si dhe ujdisë së mundshme për zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti. Shkuarja në zgjedhje lokale e VLEN-it, nga të njëjtat parti siç u bashkuan për parlamentaret është bërë temë që ka ndarë mendimet e subjekteve që përbëjnë koalicionin VLEN, shkruan Portalb.mk.

Në fillim në media u spekulua se ka pasur takim në mes kreut të BDI-së Ali Ahmetit dhe kreut të Aleancës, Arben Taravari. Sipas zërave në opinion, “Taravari do ndahej nga koalicioni VLEN dhe do të bashkëpunojë me Frontin Europian”. Në lidhje me këto zëra, Taravari tha se s’është takuar me Ahmetin.

“Ka pasur kanale komunikimi, s’jemi takuar. Këto tema janë irelevante për mua. Momentalisht jam i fokusuar në shërimin e pacientëve dhe përmirësimin e gjendjes së tyre. Për koaliconime dhe bashkëpunime partiake kemi kohë për të biseduar. Asgjë nuk është urgjente. Për dorëheqje as që e planifikoj. Raportet midis partnerëve të koalicionit janë shumë të mira. Vazhdoj të jem ministër i shëndetësisë dhe ta bëj punën time”, tha Taravari.

Më pas në opinion doli informata se kreu i Aleancës, Arben Taravari kërkon të paktën 40 përqind të kandidatëve për komuna.

Ai sot tha se liderët e koalicionit VLEN janë në komunikim të vazhdueshëm për planet për zgjedhje lokale. Ai konfirmoi se në takimin e liderëve të VLEN, ka insistuar që partitë të shkojnë me lista të veçanta në zgjedhje.

“Unë edhe kam insistuar në negociata që të kemi listë të veçantë si ASH, por edhe partitë e tjera, sepse motivojmë shumë më shumë njerëz që të jenë të angazhuar në zgjedhjet lokale, por e shohim e bëjmë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm, kemi raporte korrekte, kështu që jam optimist se do të gjejmë gjuhë të përbashkët”, tha Taravari.

Gjendjen e fundit brenda koalicionit VLEN e ka komentuar edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Ai është pyetur nga gazetarët për komunikimin e mundshëm të Taravarit me kreun e BDI-së Ahmeti dhe se si do të shkojë në zgjedhje lokale koalicioni VLEN.

“Informacioni ka qenë publik. Në takimin e fundit që kemi pasur, z. Taravari ka kundërshtuar dhe ka mohuar se ka pasur takim me Ali Ahmetin. Nuk ka kërkuar përqindje në ndarje të listave. Nuk është hapur si temë. Në fillim kërkesa ka qenë që gjithë partitë të shkojnë veçmas me lista për Këshilltarë, por kur u prezantua qëndrimi i gjithë subjekteve se ne veçmë jemi të dakorduar që të shkojmë bashkë, ashtu si kishim shkuar në zgjedhje parlamentare vazhdoi biseda në drejtim të asaj që Aleanca duhet të vendosë nëse do të jetë pjesë e koalicionit ose do të jetë veçmas, sepse qëllimi i pjesës tjetër dominon që koalicioni të shkojë bashkë. Nuk mund të ketë kandidatë për këshilltarë veçmas lista për kryetar veçmas. Ose do shkojmë bashkë ose ndonjë subjekt do të shkoj i ndarë në këto zgjedhje”, u përgjigj Kasami.

Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje. VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së.

Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6.