Qeveria e RMV-së paralajmëroi rikonstruimin e Spitalit “8 Shtatori” dhe aeroportit të Ohrit
Qeveria njoftoi sot fillimin e dy projekteve të mëdha me vlerë 14.7 milionë euro. Bëhet fjalë për rikonstruimin dhe përshtatjen me pajisjen e kujdesit intensiv të spitalit të qytetit “8 Shtatori”, për të cilin janë planifikuar 12 milionë euro dhe rikonstruksionin e aeroportit të Ohrit “Shën. Apostulli Pal” me vlerë 2.7 milionë euro. “Një pjesë […]

Qeveria njoftoi sot fillimin e dy projekteve të mëdha me vlerë 14.7 milionë euro. Bëhet fjalë për rikonstruimin dhe përshtatjen me pajisjen e kujdesit intensiv të spitalit të qytetit “8 Shtatori”, për të cilin janë planifikuar 12 milionë euro dhe rikonstruksionin e aeroportit të Ohrit “Shën. Apostulli Pal” me vlerë 2.7 milionë euro.
“Një pjesë e marrëveshjes që arritëm me kompaninë TAV, e cila është koncesionare e aeroporteve të Maqedonisë dhe është pjesë e marrëveshjes koncesionare, e cila do të mundësojë cilësi më të lartë në shërbimet shëndetësore dhe numër më të madh të udhëtarëve në aeroportin e Ohrit, si dhe kushte të reja, më moderne”, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në konferencën e sotme për media.
Projekti për rindërtimin dhe pajisjen e Qendrës Mjekësore “8 Shtatori” parashikon rikonstruimin e seksionit kirurgjik me një sipërfaqe totale prej 2000 metrash katrorë, gjegjësisht shtatë salla operacioni.
“Dy do të jenë për kirurgji abdominale, dy për ndërhyrje urologjike, një për vesh, hundë dhe fyt, një për kirurgji në sy dhe si risi kirurgjia robotike. Kujdes intensiv në një sipërfaqe prej 500 m2. Parashikohen pajisje për pacientët me shtretër të teknologjisë moderne, hapësira ndihmëse prej 800 m2, sterilizimi, laboratori biokimik, laboratori mikrobiologjik dhe laboratori patologjik. Këtu përfshihet pjesa e renovimit të plotë të kulmit të spitalit dhe vendosja e sistemit efikas të ngrohjes dhe ftohjes së spitalit”, tha Nikolloski, i cili theksoi se është planifikuar që në tetor të përfundojë rindërtimi i spitalit të qytetit.
Sa i përket aeroportit të Ohrit, rikonstruksioni do të përfshijë ndërtesën e re administrative, hapësira të reja për zyra, hapësira ndihmëse, hapësirë të re të dedikuar të sigurisë, rindërtim të ndërtesës së terminalit, regjim të ri trafiku në parking.
Nikolloski shtoi se me këtë rikonstruksion do të tërhiqen një numër më i madh i udhëtarëve dhe do të përmirësohen kushtet për ta, por edhe për të punësuarit. Ky projekt është planifikuar të përfundojë në mars të vitit 2026.
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se shqetësimi i një qeverie për qytetarët e saj shihet në kapacitetet që do të ndërtojë dhe burimet që do t’i vërë në dispozicion.
“Shëndetësia, duhet të përmend, ishte një nga fushat më të lëna pas dore, ku pakujdesia e vazhdueshme e qeverisë së mëparshme çoi në shpërbërjen e spitaleve dhe objekteve të rrënuara. Këtu më duhet të përmend respektin tim që kam për një pjesë të madhe të stafit të përkushtuar shëndetësor, të cilët vazhduan të punojnë me përkushtim në kushte të tilla dhe dhanë maksimumin në kushte nën standarde. Në përgjithësi, këto janë investime dhe ndërmarrje madhore për objekte të një rëndësie thelbësore për vendin tonë”, theksoi kryeministri.
Ai shtoi se vazhdojnë të angazhohen për zgjidhjen e problemeve, krijimin e vlerës së shtuar dhe luftën për një jetë më të mirë të qytetarëve.
Kujtojmë se drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski, më 6 shkurt tha se planifikojnë që “8 Shtatorin” në Shkup ta bëjnë qendër rajonale për trajtimin e pacientëve nga Shkupi, Kumanova dhe Velesi dhe se aktualisht ideja për Qendër të re Klinike është pauzuar në mënyrë që të shihen se cilat janë nevojat e shoqërisë.