Qeveria e RMV-së të martën do të vendosë për mjetet për transport falas të studentëve

Qeveria në seancën e rregullt të së martës do të marrë vendim për nënshkrimin e marrëveshjes për mjetet e parapara nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për subvencionimin e transportit të studentëve, i cili do të vazhdojë pa ndërprerje nga janari, informoi sot kryeministri Hristijan Mickoski. “Mjetet janë siguruar nga buxheti i Ministrisë […]

dhjetor 27, 2024 - 20:00
 0  3
Qeveria e RMV-së të martën do të vendosë për mjetet për transport falas të studentëve
Autobus, NQP - Shkup, Foto nga Portalb.mk

Qeveria në seancën e rregullt të së martës do të marrë vendim për nënshkrimin e marrëveshjes për mjetet e parapara nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për subvencionimin e transportit të studentëve, i cili do të vazhdojë pa ndërprerje nga janari, informoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.

“Mjetet janë siguruar nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vitin e ardhshëm dhe në seancën e rregullt të Qeverisë të martën më 31 dhjetor, pasi të jemi konsultuar me ministrren, do të marrim vendim për nënshkrimin e marrëveshjes që të mund, të njëjtat të transferohen menjëherë në NTP pasi sesioni fillon në janar dhe studentët të përdorin pa probleme transportin publik në qytetin e Shkupit”, tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve pasi mori pjesë në prezantimin e rezultateve të punës së MPB-së.

Mickoski paraprakisht kishte paralajmëruar mundësinë e rialokimit të mjeteve për të siguruar transport falas për studentët me autobus.

“Qeveria e kaluar nuk i ka paraparë këto mjete apo nuk ka nënshkruar marrëveshje, mendoj se janë 120 milionë denarë për vitin e ardhshëm. Është larg nga ajo që i duhet NTP-së, por ne u intensifikuam kur u desh që të intervenohet për të siguruar naftë në mënyrë që autobusët të funksionojnë siç duhet dhe të transportojnë pasagjerë”, tha Mickoski.

Edhe Kuvendi Studentor Universitar i Universitetit “Shën Kirilit dhe Metodit” Shkup paraprakisht i ka dërguar apel Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në seancën e Qeverisë, që të mundësohet zhvendosja e mjeteve në mënyrë që të vazhdojë transporti falas për studentët edhe në vitin 2025.

Ministrja për Arsim dhe Shkencë, Vesna Janevska, tre ditë më parë tha se janë ndarë 120 milionë denarë për të siguruar transport falas me autobus për studentët në Shkup,.

“Studentët në Shkup do të kenë transport falas me autobus. Ministria për Arsim dhe Shkencë ka paraparë 120 milionë denarë për buxhetin e vitit 2025-të”, njoftoi Vesna Janevska. Megjithatë në gusht, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska deklaronte se nuk ka bazë ligjore mbi të cilën Ministria do ta shlyejë borxhin që Arsovska pretendon se e ka shteti ndaj NTP Shkup. Ajo bëri të ditur se për rezultatin do të vendosë gjykata.

“Nuk ka asnjë bazë ligjore mbi të cilën Ministria do ta shlyente atë borxh. Nuk ka asnjë marrëveshje, asnjë kontratë, asnjë vendim qeverie. Pra, e përsëris, edhe sikur të doja nuk mundem dhe dua që studentët të kenë transport falas edhe për vitin e ardhshëm. Po planifikojmë mjete për transport falas për studentët. Por ajo duhet të zgjidhet në një mënyrë tjetër. Për mua si ministre rruga është që gjykata të vendosë dhe si të vendos gjykata – kështu do të veprojmë”, tha Janevska më 23 gusht të këtij viti.

Ndryshe, studentët nuk kanë pasur mundësi që të vazhdojnë biletat vjetore për transport falas për vitin 2025, pasi NQP “Shkup” ka pritur përgjigje nga autoritetet.