Vlerësimi për vitin ekonomik 2024 në RMV: Menaxhim i ri i financave publike, kredia hungareze, standardi i jetesës
Garnitura e re në pushtet me një koncept të ri ekonomik, në paketë me një kredi të re nga Budapesti prej 500 milionë euro të dedikuara për kompanitë dhe komunat dhe 500 milionë euro të tjera për kthimin e eurobondit nga viti 2018. Në ndërkohë, inflacioni është “ngadalësuar”, por ndryshe nga statistikat, qytetarët thonë se […]
Garnitura e re në pushtet me një koncept të ri ekonomik, në paketë me një kredi të re nga Budapesti prej 500 milionë euro të dedikuara për kompanitë dhe komunat dhe 500 milionë euro të tjera për kthimin e eurobondit nga viti 2018. Në ndërkohë, inflacioni është “ngadalësuar”, por ndryshe nga statistikat, qytetarët thonë se paguajnë çmime evropiane me rroga të Maqedonisë së Veriut, shkruan analiza ekonomike e Portalb.mk. Çfarë e shënoi vitin ekonomik 2024?
Qeveri e re, politika të reja ekonomike…
Në krye të financave publike, për herë të dytë në histori, qëndron një grua, Ministrja e re e Financave, Gordana Dimitrieska Koçovska. Ajo u bë menaxhere e financave publike me ardhjen në pushtet të garniturës së re në pushtet të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Pas fitores bindëse në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, qeveria e re shpalli një politikë të re ekonomike. Qeverisja filloi me dy momente kryesore ekonomike – Huaja hungareze prej 500 milionë eurosh dhe rritja lineare e pensioneve për 2.500 denarë.
“Mendoj se dy gjëra që u paralajmëruan dhe i zbatuan pjesërisht nga qeveria e re, do të kenë pasoja të mëdha në ekonominë maqedonase. Njëra është huamarrja prej një miliardë eurosh nga Banka Hungareze Eksport-Import me përqindje të kamatës prej 3,2 për qind dhe afat shlyerjeje për 15 vjet (duke përfshirë periudhën e mospagimit (grejs periudhë) prej tre vjetësh), nga e cila u tërhoqën 500 milionë euro në vitin 2024, kurse tjetra është rritja lineare e pensioneve për 5.000 denarë, prej të cilave këtë vit është realizuar rritje e pensioneve për 2.500 denarë, ndërsa 2.500 denarët tjera do të realizohen duke filluar nga pensioni i marsit në vitin 2025, që do të paguhet në prill të vitit të ardhshëm”, thotë gazetari-analist, Mirçe Jovanovski.
“Nuk ka drekë falas në ekonomi”, si kredia hungareze ashtu edhe rritja lineare e pensioneve do të kenë një “çmim” që do të duhet të paguhet, thonë analistët.
“Të dyja gjërat ndikojnë në rritjen e borxhit publik, i cili sipas të gjitha indikacioneve të ekonomistëve ka kaluar tashmë kufirin prej 60 për qind të PBB-së, që konsiderohet si një lloj “zone e sigurt”, por është edhe mbi rregullat fiskale të miratuara, e kjo ka të bëjë edhe me deficitin buxhetor, i cili gjithashtu nuk i respekton kufijtë fiskalë”, thotë Jovanovski.
Por, biznesi e mirëpriti hapin e Qeverisë për mbështetje financiare përmes kredive të favorshme. Mbetet të shihen efektet – nëse “paratë e lira” do të sjellin rritje të ekonomisë, siç pretendojnë kryeministri Mickoski dhe komuniteti afarist.
Por, përveç “këstit” të parë prej 500 milionë euro, Qeveria e Hungarisë e kërkoi edhe të dytin, po ashtu prej 500 milionë eurosh, para me të cilat do të kthehet eurobondi i vitit 2018, kështu që qeveria e re e përmbushi paralajmërimin për huamarrje prej 1 miliardë eurosh vetëm nga Hungaria.
U paralajmërua edhe bum investimesh jo vetëm me investime të huaja, por edhe me investime publike, e një pjesë e tyre duhet të jenë edhe rreth 360 projekte në nivel lokal, të financuara me kredinë hungareze. Realizimi në terren është ende në pritje. Disa nga ekonomistët theksuan disa faktorë që mund t’i lënë në hije efektet e pritshme ekonomike.
“Në vend që të shkohet drejt decentralizimit të mëtejshëm, i gjithë procesi kthehet në kahun e kundërt, ku Qeveria është arbitri i fundit që do të vlerësojë nëse një projekt në komuna meriton të miratohet, gjegjësisht të financohet. Mendoj se një qasje më e përshtatshme do të ishte (edhe pse është më afatgjatë) që qeveria të bënte përpjekje për të forcuar kapacitetet e njësive të vetëqeverisjes lokale në mënyrë që ato t’i rrisin të ardhurat e veta, para së gjithash të ardhurat nga tatimi në pronë, si dhe të rritej përqindja që e marrin nga TVSH-ja dhe nga tatimi personal, në vend që të marrin një kredi nga jashtë, që e rrit borxhin publik dhe kredi që në fund të fundit do ta shlyejnë të gjithë, duke i përfshirë edhe qytetarët e komunave që nuk kanë marrë asnjë denar nga ajo kredi”, thotë Jovanovski.
Këtë vit filloi ndërtimi i seksioneve të autostradës nga korridoret 8 dhe 10d nga konsorciumi Behtel dhe Enka. Qeveria e re paralajmëroi ndërprerje apo rishikim të mundshëm të marrëveshjes së arritur nga Qeveria e kaluar. Rasti përfundoi në prokurori, kurse funksionarët e pushtetit aktual bashkë me menaxhmentin e kompanisë njoftuan bashkërisht se ndërtimi do të vazhdojë – me ritëm të shpejtë.
Standardi i jetesës, statistikat kundrejt realitetit
Viti ekonomik 2024 nuk ishte e lehtë për qytetarët. Statistikat treguan se inflacioni po ngadalësohej, por realiteti ishte ndryshe. Në nëntor, ESHS-ja njoftoi se shpenzimet e jetesës në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar janë rritur për 4,3%, kryesisht në ato produkte që janë të nevojshme për ushqim, rritje 4% te mishi, 8,7% te vajrat dhe për 7,1% janë rritur kostot e qumështit dhe të produkteve të qumështit.
Sipas LSM-së, vlera e “shportës e sindikatës” arriti në 1,000 euro ose kaq shumë para nevojiten për të mbijetuar muajin. Nga ana tjetër, sipas Entit të Statistikave, rroga mesatare neto në vend është 676 euro, ndërsa rroga minimale në mars u rrit në 367 euro. Edhe pse këtë vit ka pasur rritje si të rrogës minimale ashtu edhe të rrogës mesatare kombëtare, standardi i jetesës vazhdoi të goditet nga inflacioni.