Filloi procesi për hartimin e një Kodi të ri Etik për gazetarët dhe mediat në Maqedoninë e Veriut

Me nismën e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) dhe Institutit Maqedonas për Media (MIM), ka nisur procesi i konsultimeve për hartimin e një Kodi të ri Etik për gazetarët dhe mediat. Kodi i ri do të zëvendësojë versionin ekzistues të vitit 2001, për t’iu përshtatur sfidave […]

dhjetor 27, 2024 - 20:00
 0  8
Filloi procesi për hartimin e një Kodi të ri Etik për gazetarët dhe mediat në Maqedoninë e Veriut
Media, gazetarë, gazetari. televizion, kamera, foto: Suad Bajrami

Me nismën e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) dhe Institutit Maqedonas për Media (MIM), ka nisur procesi i konsultimeve për hartimin e një Kodi të ri Etik për gazetarët dhe mediat. Kodi i ri do të zëvendësojë versionin ekzistues të vitit 2001, për t’iu përshtatur sfidave dhe nevojave bashkëkohore të komunitetit të gazetarëve dhe mediave, transmeton Portalb.mk.

Si mbështetje për këtë proces, janë përgatitur dy dokumente të rëndësishme, që ofrojnë bazë analitike dhe udhëzime për modernizimin e standardeve etike në gazetari.

Dokumenti i parë, me titull “Rishikim themelor i praktikave aktuale për etikën në gazetari,” analizon sfidat dhe dobësitë kryesore të kodit ekzistues, veçanërisht në trajtimin e dezinformatave, gjuhës së urrejtjes dhe përdorimin e inteligjencës artificiale. Dokumenti paraqet rekomandime për fuqizimin e transparencës, vendosjen e udhëzimeve për raportim mbi grupet e cenueshme dhe përmirësimin e standardeve për verifikimin e fakteve. Dokumenti është i disponueshëm në gjuhën maqedonase (link) dhe shqipe (link).

Dokumenti i dytë, me titull “Nga përvojat globale te standardet lokale: Sfidat dhe zgjidhjet etike në gazetari,” ofron një analizë krahasuese të praktikave etike globale dhe sfidave me të cilat përballen organet vetërregulluese të mediave në vendet e Evropës. Përmes përvojave të këshillave etikë nga disa vende evropiane, publikimi thekson sfidat dhe sugjeron zgjidhje, duke ofruar gjithashtu udhëzime për përmirësime në fushën e pavarësisë editoriale, transparencës financiare dhe trajtimit të praktikave manipulative në media. Një fokus i veçantë i është kushtuar dilemave etike që lidhen me përdorimin e teknologjive të reja dhe algoritmeve, si dhe nevojës për mbrojtjen e të miturve në përmbajtjet mediatike. Dokumenti është i disponueshëm në këtë LINK.

Konsultimet mbeten të hapura për të gjithë profesionistët e mediave, me qëllim krijimin e një kodi që do të jetë përfaqësues për të gjitha segmentet e shoqërisë. Procesi, i cili filloi gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024, do të vazhdojë gjatë muajve të pranverës së vitit të ardhshëm, me ftesë për përfshirje aktive të të gjithë palëve dhe individëve të interesuar që janë të gatshëm të japin një kontribut të vlefshëm në hartimin e një Kodi të ri Etik cilësor, i cili do t’i përgjigjet sfidave bashkëkohore dhe do të forcojë besimin e publikut në media.

Versioni i parë i draftit të dokumentit gjithashtu do të publikohet për të mundësuar ndarjen e komenteve dhe mendimeve nga të interesuarit.

Hartimi i Kodit të ri Etik po realizohet në kuadër të Projektit të USAID-it për Edukimin Mediatik “Të rinjtë mendojnë,” i cili zbatohet nga IREX në bashkëpunim me Institutin Maqedonas për Media (MIM), Institutin për Studime të Komunikimit (IKS) dhe Forumin Rinor Arsimor (MOF), në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).