Rasti i Monopollit: Ka qenë në dorë të Kasamit të vendosë nëse aty do të ndërtohen banesa, apo jo
Ka qenë në dorë të udhëheqësisë aktuale të komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo, kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën […]


Ka qenë në dorë të udhëheqësisë aktuale të komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo, kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pasi ri-destinimit në zonë për banim kolektiv. Kujtojmë që hulumtimi i Portalb-it zbuloi se investitorit drita e gjelbër për ndërtim të banesave në një procedurë jotransparente i ishte dhënë nga shumica aktuale e Këshillit Komunal, e përbërë nga VLEN-VMRO. Aktivistët kritikojnë, shkruan Portalb.mk.
Katër ditë pas lajmit të Portalb, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami vendosi të flet shumë për procesin e legalizimit të ish-Monopollit por pak ose aspak për ri-destinimin nga zonë industriale, në zonë për banim kolektiv.
“Ka qenë procesi i paracaktuar shumë më herët, s’kemi pasë mundësi të veprojmë ndryshe. Privatizimi është realizuar në vitin 2014. Për mua është shumë indikative që një proces kaq i rëndësishëm i shitjes së pronës shtetëroe të realizohet nga një udhëheqës i njësisë rajonale për çështje pronësore-juridike, nënshkrimi është i atij”, tha mes tjerash Kasami në pyetjen e Portalbit.
Ai tha se e ka pasur obligim ligjor të riformësojë pronën publike, në formën siç e ka realizuar.
“Unë i kam siguruar të gjitha vendimet e privatizimit të këtyre qindra hektarëve tokë në qytetin tonë, ku veçmë në pjesë e madhe e tyre po transferohen në hapësira për banim kolektiv. Kur gjithë ky proces është realizuar përmes privatizimit, një pjesë që nuk është realizuar me privatizim ka mbetur me riformësim të pronës që është obligim ligjor”, shtoi Kasami.
Po, por privatizimit të 6.817m2 nuk ka mundur t’i ikë, por ka mund ta realizojë në atë formë që komuna do të përfitonte më shumë para
Privatizimi i tokës në momentin që destinimin e ka zonë për industri bëhet me çmim shumë të lirë, përkatësisht 70 denarë m2, ndërsa zonat për banim kolektiv privatizohen me çmim të lartë, përkatësisht 12,800 denarë për m2.
Edhe përkundër kësaj, komuna vendosi të ridestinojë këtë pronë në kohën kur destinimin e kishte industri edhe pse ka qenë e informuar se kompania ‘ELASTAN’ kishte angazhuar një kompani për përpilim të planit që do të ndryshonte destinimin në zonë banimi.
Të dy këto procedura janë kryer në të njëjtin vit.
Elmedina Abdulahi nga Më Mirë për Tetovën thotë se kjo ngrit dyshimet që bëhet fjalë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëm të qëllimshëm të buxhetit të qytetarëve.
“Fakti që është vepruar kështu ngrit dyshimet për një akt flagrant të keqpërdorimit të pozitës dhe dëm ekonomik i qëllimshëm ndaj qytetarëve. Ky është një skandal i pastër që favorizon investitorët në kurriz të interesit publik, duke i privuar qytetarët nga miliona euro të mundshme në arkën komunale”, tha Abdullahi për Portalb.mk.
Kasami gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë PDU-në për këtë zonë, të përgatitur në kohën e Teuta Arifit
Po, ish-Monopolli u bë ‘gati’ për shitje në vitin 2019 kur këshilli komunal miratoi Planin Detal Urbanistik për këtë zonë. Megjithatë, praktika tregon që në të kaluarën janë pezulluar plane sipas vullnetit të udhëheqësve.
Kujtojmë rastin e Shik-Jellak, në vitin 2022 me inzistim të këshilltarëve të pavarur nga Më Mirë për Tetovën, komuna e Tetovës vendosi të pezullojë Planin Detal Urbanistik 57A të përgatitur në kohën kur me qytetin udhëhiqte Teuta Arifi.
Këtë e pohoi edhe vetë kryetari i komunës, Bilall Kasami.
“Fatmirësisht u hap më herët debati për Shik-Jellakun, aty ku ne më herët kemi pasur mundësi për ta ndalur procesin e uzurpimit të hapësirës publike, e kemi ndalur. E dini që tek Shik-Jellaku në momentin e ardhjes tonë e pezulluam planin dhe e rikthyem proçesin që nga fillimi”, tha Kasami.
Ai megjithatë nuk tregoi pse nuk ka vepruar njëjtë edhe për ish-Monopollin.
Elmedina Abdulahi thotë që Kasami përpos që nuk e pezulloi planin detal urbanistik për ish-Monopollin, ai madje e avancoi duke mundësuar ndërtimin e banesave kolektive aty.
“Një situatë e ngjashme ndodhi në vitin 2021, kur këshilli paraprak gjatë periudhës kur kryetare e komunes ishte Teuta Arifi, miratoi planin detal urbanistik dhe përcaktoi destinimin e tokës si G2 (industi e lehte). Në këtë rast, në vend që Bilall Kasami të vepronte njësoj siç veproi me insistimin tonë gjegjësisht te MMPT-së për planin urbanistik të Shik Jellakut, ai bëri të kundërtën dhe jo vetëm që lejoi vazhdimin e procedurës, por madje e avancoi atë, duke tejkaluar vlerësimin e tokës si A2 (vendbanim)”, shtoi Abdullai.
Më e rëndësishmja: Ka qenë në dorë të shumicës në Këshillin Komunal që të vendosin nëse aty do të ndërtohen banesa, apo jo
Kasami në konferencën për shtyp vendosi të flet pak ose aspak për faktin që shumica e këshillit komunal, e përbërë nga VLEN-VMRO vendosën me 18 vota PËR të lejojnë ndërtimin e katër banesave tek ish-Monopolli.
Që të mundësojnë këtë, ata ndryshuan Planin Gjeneral Urbanistik dhe Planin Detal Urbanistik për këtë bllok, i njohur si blloku 31A.
“Janë dy procese paralele. Fillimisht ka nisur procesi i formësimit tokës në bazë të destinimit paraprak që e ka pasur industri. Procesi tjetër ka qenë miratimi i planit për ri-destinim të asaj prone, pra janë dy proçese paralele të cilat janë procese që janë e drejtë e çdo qytetari, jo diçka që ne mund ta ndalim”, tha Kasami për kët çështje.
Portalb-i kërkoi emrat dhe mbiemrat e këshilltarëve që votuan për, kundër dhe të përmbajtur këtë pikë të rendit të ditës, por kryetari i këshillit komunal, Naim Ismaili tha se nuk mbajnë evidenca të tilla.
“Vetëm i numërojmë sa prej tyre kanë votuar për dhe sa kundër, nuk i shënojmë emrat, mbiemrat e këshilltarëve”, tha Naim Ismaili.
Elmedina Abdulahi nga Më Mirë për Tetovën thotë se në këtë rast këshilltarët komunal kanë votuar për mbrojtje të interesit të investitorit, dhe jo të qytetarëve.
“Këshilltarët komunal në vend që të mbronin interesin publik, u bënë pjesë e një skeme të dyshimtë për të favorizuar investitorët. Kryetari i komunës dhe këshilli, në vend që të siguronin një menaxhim të drejtë të pronës publike, miratuan një transaksion që dëmton rëndë buxhetin e qytetit. Këshilli ka për detyrë të këshillojë dhe të mbikëqyrë vendimet e administratës, por në këtë rast, ai u kthye në një vegël të interesave të ngushta financiare”, tha Abdulai.
Kujtojmë që pasi Portalb-i e publikoi hulumtimin në lidhje me këtë me reagim kanë dalë edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës. Ata thonë se Kasami me këtë ka dëmtuar buxhetin e komunës me 2.1 milion euro.
“Kasami dhe autoritetet komunale ishin në dijeni për iniciativën për ndryshimin e PDU-së dhe ndërtimin e banesave kolektive në këtë tokë, por qëllimisht e shiten më parë për një çmim qesharak, duke krijuar avantazh për blerësin dhe dëm për komunën. Hipokrizia e “ndryshimit”. Kasami nuk mund të fshihet gjithmonë pas “të kaluarës” dhe ish-qeverisjeve, sepse ai vetë premtoi se do të sillte ndryshim në Tetovë. Në realitet, jo vetëm që ka vazhduar praktikat e vjetra, por ka vepruar edhe më keq se cilido kryetar para tij”, kumtojnë nga ASh-Sela.
Ndryshe, Portalb-i bisedoi edhe me pronarin aktual të ish-Monopollit, ai e konfirmoi se aty pritet të ndërtohen katër objekte për banim ndërsa theksoi se gjithë hapësirën e ish-Monopollit e ka blerë nga ‘Tetovo Tabak’ për afër gjashtë milion euro. Ai e ka blerë dhe tokën përreth me çmim më të lirë katër ditë pasi Këshilli Komunal e ndryshoi destinimin nga zonë industriale në zonë për banim kolektiv.