A mund ta shpëtojë Maqedoninë e Veriut nga kriza një qeveri ekspertësh?

A mund të shpëtojë Maqedoninë e Veriut një qeveri teknokrate, nga gjendja në të cilën ndodhet? Është pyetja që Portalb.mk ngre pas tragjedisë së Koçanit, ku në një klub nate humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 196 të tjerë. Kjo ngjarje zbuloi korrupsionin institucional si kurrë më parë nga ndonjë investigim prokurorial, policor apo gazetaresk. Pushtetin […]

Mars 29, 2025 - 10:00
 0  7
A mund ta shpëtojë Maqedoninë e Veriut nga kriza një qeveri ekspertësh?
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: BreizhAto në Canva

A mund të shpëtojë Maqedoninë e Veriut një qeveri teknokrate, nga gjendja në të cilën ndodhet? Është pyetja që Portalb.mk ngre pas tragjedisë së Koçanit, ku në një klub nate humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 196 të tjerë. Kjo ngjarje zbuloi korrupsionin institucional si kurrë më parë nga ndonjë investigim prokurorial, policor apo gazetaresk.

Pushtetin aktual në vend tragjedia në Koçan nuk e bindi për përgjegjësi politike, sikur pushtetin rumun një ngjarje e ngjashme në vitin 2015 në Bukuresht, me pasoja fatale në njerëz, kur kryeministri rumun i asaj kohe kishte marrë përgjegjësi politike dhe parlamenti kishte miratuar qeveri teknokrate.

Për tragjedinë në Koçan, deri më tani Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë, ndërsa në paraburgim janë 24 persona.

Sa janë gjasat e formimit të një qeverie teknokratike/ekspertësh?

Njohësit e rrethanave politike në Maqedoninë e Veriut, në nivelin akademik, thonë se ekspertët në Maqedoninë e Veriut i përcakton vetëm partia.

Sipas profesorit universitar, Vlladimit Pivovarov, që para 33 viteve është dashur të kemi qeveri ekspertësh. Ai për Portalb.mk theksoi se kleptomania, kleptokratia dhe partiokratia e sollën vendin në këtë gjendje të keqe.

“Qeveri për qeveri dhe jo pushtet për të shërbyer për interesat e popullit. Kjo po ndodh tash e 33 vjet. Dhe, kurrsesi të ndalojë. Korrupsioni është problemi kryesor. Problem që nga viti në vit po avancohet, perfeksionohet. Sot të gjithë kanë bë media të vetat, që mbrojnë herën njërën anë, herë anën tjetër. Dhe kjo që po e shohim ditëve të fundit, me rastin e Koçanit. Kemi shumë lajmë të rreme, të pavërteta. Tashmë nuk po e dimë cila është e vërteta, s’po e dimë realitetin. Qeveri ekspertësh, po. Por, shihni çka ndodh te ne. Për sekretarin shtetëror në MPB ka pasur kallëzim penal. Del në konferencë për media VMRO thotë “kriminelët e LSDM”, LSDM e mbron. Kur dikush është kriminel, askush s’duhet ta mbrojë. Sepse, njerëzit e tillë pastaj vinë në pozita. Fajin e ka politika. Çka duhet të mendojnë të rinjtë në këtë rast? Shohin se si kanë punuar të tjerët paraprakisht. Shohim se si përfundojnë ata që punojnë ndershëm. Dhe automatikisht ata demoralizohen nga puna e ndershme dhe profesionale. Këto janë gabime kryesore që i përsërisim, vit pas viti”, tha Pivovarov.

Partia, qartëson tutje Pivovarov, më të dobëtin, atë që është ma pak kualitativ ta sjell në pozitë dhe thotë ky është ekspert.

“A e dini çka është ekspert? Personi i cili në praktikë është dëshmuar në sferën në të cilën punon. Do të thotë, me rezultate, me punë të ndershme, e jo personi i cili është i kriminalizuar, por është anëtar partie dhe automatikisht ai është edhe profesionist. Derisa mendojmë kështu, si shtet, keq do të përfundojmë”, tha Pivovarov.

Ndryshe, profesori universitar Afet Mamuti për Portalb.mk duke folur për nevojën e një qeverie teknokrate në Republikën e Maqedonisë së Veriut tha se situata të ngjashme të tragjedive të tilla në Maqedoninë e Veriut, fatkeqësisht na janë bërë të shpeshta, veçanërisht viteve të fundit sikurse ajo me djegien e spitalit modular në Tetovë, djegia e autobusit Besa Trans në Bullgari, Durmo Turs në Llaskarcë dhe kjo e fundit e Koçanit.

Kjo e fundit, sipas tij, nxori në pah, mosfunksionimin dhe dështimin e gjithë zinxhirit të institucioneve të shtetit.

“Kjo pa mëdyshje shtron nevojën për reforma të thella të sistemit, me qëllim të krijimit të shtetit dhe institucioneve funksionale. Në lidhje me situatën e krijuar në Maqedoninë e Veriut, pas tragjedisë së Koçanit nuk mendoj se për momentin është nevoja për krijimin e një qeverie teknokrate. Kjo për faktin se kemi një qeveri që është akoma në fillim të mandatit dhe me kapacitet të plotë politik. Në qoftë se në këtë fazë vet kryeministri apo qeveria e shtron për diskutim çështjen e legjitimitetit, për mua më shumë do të duket si shenjë dobësie se sa përgjegjësie. Ngjarja e Koçanit duhet t’i shërbejë qeverisë si një leksion për luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krijimin e shtetit me fokus sundimin e së drejtës”, tha Mamuti.

Kujtojmë se qeveria teknokrate është formë e qeverisjes ku në pozitat udhëheqëse dhe vendimmarrëse përfshihen ekspertë dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Fokusi i qeverisë së përbërë prej ekspertëve të dëshmuar do të duhet të jetë në zgjidhjen e problemeve konkrete dhe menaxhimin efikas të ekonomisë dhe shoqërisë, duke përdorur njohuritë dhe eksperiencat e profesionistëve.

Qeveria teknokrate shpesh krijohet si një masë për të pasur një qeverisje më të qëndrueshme dhe të fokusuar në rezultate, larg nga ndikimet politike.