Reshjet e mëdha të shiut, bllokojnë nënkalimet në Tetovë
Vazhdojnë problemet në nënkalimet në Tetovë. Reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar probleme në kanalizimin atmosferik dhe fekal në lagjen Dardania, ndërsa kjo ka bërë që të grumbullohet sasi e madhe e ujit në nënkalimin në këtë lagje. Si edhe herëve tjera, edhe kësaj radhe në nënkalimin në këtë lagje u bllokuan disa vetura.


Vazhdojnë problemet në nënkalimet në Tetovë. Reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar probleme në kanalizimin atmosferik dhe fekal në lagjen Dardania, ndërsa kjo ka bërë që të grumbullohet sasi e madhe e ujit në nënkalimin në këtë lagje.
Si edhe herëve tjera, edhe kësaj radhe në nënkalimin në këtë lagje u bllokuan disa vetura. Në ndihmë erdhën ekipet e njësisë së zjarrfikësve në Tetovë, të cilët mundësuan që qytetarët të dalin të sigurt nga bllokimi në nënkalim. Edhe pse ishin vendosur shenja për parandalim të qarkullimit të veturave megjithatë këto sinjalizime nuk u respektuan. Nga njësia e Zjarrfikësve në Tetovë thonë se nënkalimet tjera janë të kalueshme, ndërsa pas përmirësimit të motit pritet që të fillojë të realizohet projekti për rregullimin e kanalizimit që mos përsëriten këto probleme.
“Lusim qytetarët që të mos e frekuentojnë këtë rrugë përmes nënkalimit sepse edhe pjesa e poshtme e lagjes por edhe pjesa e lartë kanë hyrje alternative, pra nuk është bllokuar tërë popullata këtu por vetëm ky nënkalim. Prandaj, qytetarët të mos e shfrytëzojnë këtë rrugë sepse deri më tash kemi nxjerrë katër vetura që kishin ngecur. Kemi nxjerrë edhe fëmijë që ishin bllokuar brenda në veturë dhe nuk ka persona të lënduar”, tha Avni Ameti, komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Tetovë.
Nga Komuna e Tetovës thonë se shtabi I krizës është në koordinim të vazhdueshëm dhe e ndjek nga afër situatën me reshjet dhe aty ku do të paraqitet nevoja do të intervenohet në kohë.
“Është intervenuar në disa pika ku është e nevojshme. Poashtu edhe njësia e zjarrfikësve që bashku me Qendrën për Menaxhim me Kriza janë vazhdimisht në kontakt dhe e ndjekin situatën dhe janë të gatshëm që të ndërhyjnë aty ku ka nevojë. Apelojmë deri tek qytetarët që të shmangin lëvizjet në ato zona ku janë vendosur shenja për ndalim të qarkullimit. Si komunë jemi të gatshëm që të intervenojmë aty ku do të paraqitet nevoja”, thotë Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Edhe ekipet e njësisë së kanalizimit pranë Ndërmarrjes Publike Sharri janë në teren dhe monitorojnë situatën me reshjet dhe aty ky paraqitet nevojë intervenojnë. Edhe Qendra për Menaxhim me Kriza kërkon për kujdes të shtuar, sidomos në rajonin e Pollogut. “Apelojmë për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes nëpër rrugë dhe shmangie të qarkullimit drejt pjesëve të lartpërmendura të infrastrukturës rrugore. Ekipet kompetente janë në terren dhe po punojnë aktivisht për tejkalimin e gjendjes”, thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza. (koha.mk)
