Rinumërohen votat e “dyshimta” të LDK-së, pritet fjala e prokurorisë
Të premten ka vazhduar rinumërimi i 36 vendvotimeve në të cilat janë votat e LDK-së në Komunën e Vushtrrisë. Prokuroria Themelore e Mitrovicës po e pret KQZ-në që t’ia dorëzojë shifrat e votave në mënyrë që ta vërtetojë nëse janë të vërteta ankesat e Rrezarta Krasniqit, e cila e cila akuzoi bashkëpartiakun Xhafer Tahiri për


Të premten ka vazhduar rinumërimi i 36 vendvotimeve në të cilat janë votat e LDK-së në Komunën e Vushtrrisë. Prokuroria Themelore e Mitrovicës po e pret KQZ-në që t’ia dorëzojë shifrat e votave në mënyrë që ta vërtetojë nëse janë të vërteta ankesat e Rrezarta Krasniqit, e cila e cila akuzoi bashkëpartiakun Xhafer Tahiri për manipulim me vota.
Nga e enjtja mediat e kanë pasur të pamundur të futen brenda Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.
Të gjitha janë vota të rinumëruara të Lidhjes Demokratike (LDK) nga të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë.
Edhe në oborr por edhe përballë objektit po qëndrojnë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Ky proces siç mëson TV Dukagjini po kryhet nga vetë hetues policorë dhe të Prokurorisë.
Nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë thënë se po e presin një raport zyrtar nga KQZ që flet për rezultatet dhe votat, në mënyrë që të kenë një vlerësim për të parë se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm, përfshirë hetime penale.
Prokuroria të mërkurën dha urdhër të rinumërohen votat e LDK-së në vendvotimet në Vushtrri pas ankesës së kandidates për deputete Rrezarta Krasniqi, e cila akuzoi bashkëpartiakun Xhafer Tahiri për manipulim me vota.
Ndërkohë nga KQZ nuk ka pasur ndonjë njoftim e as konfirmim se procesi i numërimit është mbyllur gjatë ditës dhe se kur pritet të shpallen rezultatet përfundimtare.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për TV Dukagjin ka treguar se kanë pranuar 3 ankesa deri më tani për numërimin e votave në QNR. Sipas njoftimeve në faqen zyrtare, të tri ankesat janë nga parti më të vogla, kryesisht nga komunitetet. 2 prej ankesave janë refuzuar si të pa baza, ndërsa e treta është cilësuar e pavlefshme për shkak se është paraqitur pas afatit të paraparë. /Dukagjini/