RMV, ndotja nga termocentralet “Manastir” mund të shihet edhe me sy, por vështirë është të konfirmohet nga matje përkatëse

Kombinati i Minierave dhe Energjetikës (KME) “Manastir” është i shënuar në raportet ndërkombëtare si një nga ndotësit më të mëdhenj të dioksidit të squfurit dhe pluhurit në Ballkanin Perëndimor, por në Maqedoni është e vështirë të provohet se Kombinati ndot dhe deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë, raportoi SDK, përcjell Portalb.mk. […]

maj 1, 2025 - 18:00
 0  4
RMV, ndotja nga termocentralet “Manastir” mund të shihet edhe me sy, por vështirë është të konfirmohet nga matje përkatëse
REK Manastir, foto: Elektranat e Maqedonisë së Veriut

Kombinati i Minierave dhe Energjetikës (KME) “Manastir” është i shënuar në raportet ndërkombëtare si një nga ndotësit më të mëdhenj të dioksidit të squfurit dhe pluhurit në Ballkanin Perëndimor, por në Maqedoni është e vështirë të provohet se Kombinati ndot dhe deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë, raportoi SDK, përcjell Portalb.mk.

Në dy raste kur hiri u asgjësua në mënyrë të papërshtatshme, gjë që u diskutua shumë në publik, matjet e kryera nga KME-ja nuk treguan ndotje mbi nivelin e lejuar. Rasti i fundit është nga marsi i këtij viti, dhe tjetri nga janari 2015 deri në shkurt 2017, kur shtresa të mëdha pluhuri ishin të dukshme nga deponia e hirit.

E vetmja aktakuzë kundër drejtorit të KME-së për ndotje, e ngritur nga Prokuroria Themelore Publike e Manastirit në vitin 2019, përfundoi me lirim nga akuzat në vitin 2024.

Më 26 mars të këtij viti, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor konfirmoi sasinë e hirit në deponi që devijonin nga ato të përcaktuara në projekt, dhe Prokuroria Themelore Publike hapi një lëndë dhe po heton nëse asgjësimi i hirit është kryer në përputhje me lejen mjedisore dhe Projektin Kryesor të Minierave. Megjithatë, KME-ja tha se gjatë periudhës së shqyrtuar, vlera kufitare 24-orëshe për mbrojtjen e shëndetit të njeriut në lidhje me përqendrimin e grimcave PM10 nuk u tejkalua.

Prokuroria në ankesë theksoi se stacionet matëse për të cilat mbrojtja kishte folur gjatë gjithë kohës ndodhen jashtë zonës së KME-së, dhe nuk ka stacione matëse në zonën ku kryhet djegia dhe brenda zonës së Kombinatit. Prandaj, Prokuroria tregoi se nuk është e qartë për ta se si gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte prani të grimcave të dëmshme mbi limitin e lejuar pranë KME-së, kur stacionet matëse në fshatrat Dedebalci, Ribarski dhe Gneotino janë rreth 10 kilometra nga Kombinati.

Ndryshe, KME “Manastir” do të modernizohet dhe me këtë do të përmirësojë performancën e prodhimit dhe do i reduktojë emetimet e grimcave të dëmshme dhe pluhurit deri në vlera kufitare sipas direktivave dhe legjislacionit evropian, njoftojnë nga Ministria e re e Energjetikës në tetor të vitit 2024.

Sipas kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi, e drejta e mjedisit të shëndetshëm jetësor është një e drejtë themelore qytetare dhe njerëzore dhe është e lidhur drejtpërdrejtë me menaxhimin e shëndetit të qytetarëve dhe me detyrime ligjore të nënshkruara për ruajtjen e mjedisit jetësor.