RMV, pajisjet mjekësore me vlerë 18.6 milionë euro i mbulon pluhuri në spitale, s’ka kush t’i përdorë
Mungesa e stafit profesional, hapësirës dhe kushteve teknike kufizon funksionalitetin dhe përdorimin e pajisjeve moderne mjekësore në institucionet publike shëndetësore në Maqedoni, tregon raporti i fundit i Enti Shtetërore i Revizionit (ESHR). Bëhet fjalë për pajisje me vlerë 18.6 milionë euro, të cilat ose nuk janë vënë fare në përdorim ose nuk përdoren me kapacitet […]


Mungesa e stafit profesional, hapësirës dhe kushteve teknike kufizon funksionalitetin dhe përdorimin e pajisjeve moderne mjekësore në institucionet publike shëndetësore në Maqedoni, tregon raporti i fundit i Enti Shtetërore i Revizionit (ESHR). Bëhet fjalë për pajisje me vlerë 18.6 milionë euro, të cilat ose nuk janë vënë fare në përdorim ose nuk përdoren me kapacitet të plotë, shkruan Portalb.mk.
Auditorët zbuluan se rritja e vazhdueshme e kërkesës për shërbime shëndetësore nuk shoqërohet me një rritje të numrit të punonjësve shëndetësorë, gjë që çon në mbingarkesë të stafit ekzistues dhe përdorim të pamjaftueshëm të pajisjeve të reja mjekësore.
“Vlera totale e pajisjeve mjekësore të mbuluara nga auditimi është 57.7 milionë euro, nga të cilat 68 përqind i referohen pajisjeve që janë vënë në përdorim dhe shpesh përdoren përtej kapacitetit të tyre të synuar. Megjithatë, për shkak të mungesës së stafit dhe hapësirës, pajisjet me vlerë 13 milionë euro ende nuk janë në funksion, dhe 5.5 milionë euro shtesë nuk janë përdorur plotësisht”, thuhet në raport.
Mungesa e stafit dhe hapësirës i bën pajisjet jofunksionale
Auditi mbuloi pajisjet moderne mjekësore me një vlerë të lartë blerjeje dhe një rol të rëndësishëm në diagnostikim dhe trajtim – pajisje CT, angiografë, përshpejtues, mamografë me tomosintezë, pajisje PET/CT dhe pajisje rehabilitimi robotik. U analizuan gjithashtu politikat për prokurimin dhe përdorimin e pajisjeve në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2023.
Edhe pse ka 30 pajisje CT në institucionet publike shëndetësore, gjysma e tyre tashmë janë amortizuar. Disa funksionojnë me kapacitet të plotë, por defektet e shpeshta dhe kostot e larta të mirëmbajtjes, siç është shembulli i pajisjes në spitalin e Strumicës që nuk funksionoi për pothuajse të gjithë vitin 2024, kufizojnë efektin e tyre.
Theks i veçantë i vihet Institutit për Tomografi me Emetim Pozitronesh (PET), qendra e vetme në vend me kapacitete për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve malinje. Pavarësisht se ka një skaner PET/CT dhe një Ciklotron me vlerë 5.8 milionë euro, kapaciteti i Ciklotronit nuk është shfrytëzuar plotësisht, pasi skanimet kryhen për rreth 180 pacientë në muaj.
Në vitin 2023, u blenë për herë të parë 4 mamografë me funksionalitete të avancuara, por ato përdoren kryesisht vetëm për mamografinë dixhitale bazë, për shkak të mungesës së personelit të trajnuar dhe pajisjeve shtesë të nevojshme për funksionet e avancuara – tomosintezën dhe stereotaksinë.
Të dhëna të paqëndrueshme dhe shërbime të papaguara
Auditorët zbuluan gjithashtu mospërputhje në të dhënat midis institucioneve të kujdesit shëndetësor, sistemit “Terminali Im” dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Këto mospërputhje rezultojnë në të dhëna të pasakta mbi shërbimet e kryera, shërbime të pa raportuara dhe bashkëpagesa të papaguara prej të paktën 247,000 eurosh.
“Regjistrimi jo i plotë i shërbimeve dhe mungesa e listave të pritjes e bëjnë të pamundur përcaktimin e kërkesës reale, si dhe numrin e saktë të shërbimeve shëndetësore të ofruara”, thuhet në raport.
ESHR rekomandon që institucionet të marrin urgjentisht masa për të përmirësuar sistemin, me qëllim përdorimin racional të pajisjeve mjekësore dhe rritjen e disponueshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
Alarmin për mungesën e mjekëve e ka ngritur edhe ministri Taravari, kur tha se vendit i mungojnë 1000 mjekë. Kujtojmë se problemi i mungesës së personelit mjekësor në shëndetin publik, siç e ka potencuar edhe vet ministri i shëndetësisë është vënë në dukje edhe nga Komisioni Evropian në disa raporte radhazi. Megjithatë, punësimet e reja të domosdoshme po ecin me ritëm të ngadaltë.