RMV, pjesëmarrje më e ulët në bojkotin e dytë të marketeve: Qarkullimi ra për 22 për qind
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) raportoi se bojkoti i dytë masiv i marketeve regjistroi një rënie prej 22.12 për qind të shitjeve në tetë zinxhirët më të mëdhenj të marketeve në vend. Krahasuar me të premten e kaluar, kur qytetarët u organizuan për herë të parë në bojkot për shkak të çmimeve të larta, […]
![RMV, pjesëmarrje më e ulët në bojkotin e dytë të marketeve: Qarkullimi ra për 22 për qind](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2025/01/Foto-3-6.png?fit=1024%2C579&quality=80&ssl=1)
![Supermarket. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2025/01/Foto-3-6.png)
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) raportoi se bojkoti i dytë masiv i marketeve regjistroi një rënie prej 22.12 për qind të shitjeve në tetë zinxhirët më të mëdhenj të marketeve në vend. Krahasuar me të premten e kaluar, kur qytetarët u organizuan për herë të parë në bojkot për shkak të çmimeve të larta, në datën 07.02.2025 u arrit një qarkullim më i lartë për 36.95 për qind, transmeton Portalb.mk.
“Në krahasimin e qarkullimit të regjistruar në fund të muajit, gjegjësisht 31.01 dhe të premten 07.02.20025, duhet të merren parasysh faktorët e ndryshëm që mund të ndikojnë në zakonet e konsumatorit. Një nga ata faktorë është që një pjesë e madhe e qytetarëve marrin paga dhe pensione në fillim të muajit, gjë që krijon ndryshime në sjelljen e tyre konsumatore”, tha DAP.
Të premten, 07.02.2025 deri në mesnatë në sistemin e DAP është regjistruar qarkullim total në vlerë prej 181.288.348 denarë dhe janë lëshuar 346.317 kupona fiskale.
Në këtë periudhë të analizuar, një rënie e qarkullimit total me 22.12% është vërejtur në tetë zinxhirët më të mëdhenj të tregut.
Kujtojmë se edhe të premten e kaluar (31 janar) qytetarët e RMV-së bojkotuan marketet për shkak të çmimeve të larta.
Pas bojkotit të qytetarëve, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) doli me analizë të qarkullimit në marketet e mëdhenj zinxhiror. Ajo tregoi se dje, ditën kur qytetarët bojkotuan marketet, shitjet thuajse u përgjysmuan.
Bojkoti ka marrë mbështetje të madhe në opinion, përveç opozitës edhe partitë e pushtetit dhe institucionet kanë dalë në përkrahje të bojkotit.
Institucionet kompetente nga ana tjetër kanë paralajmëruar kontrolle rigoroze në markete dhe objektet tregtare.
Kujtojmë se nga dhjetori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti, vlera e shportës minimale sindikale shënoi rritje prej 391 denarë. Vlera e saj për muajin janar ishte 63.252 denarë.
Për ushqime dhe pije në shportën minimale sindikale për janar është 23.198 denarë, ndërsa në janar 2024 ka qenë 21.007 denarë.
Enti Shtetëror i Statistikave ka bërë të ditur të ditur se inflacioni në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.4 përqind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2023 dhe se kërcimi më i madh ishte tek ushqimet.
Bojkoti në Maqedoninë e Veriut erdhi si rezultat i thirrjeve për bojkot në Kroaci, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi dhe Slloveni.