Ekspertja Papa: Reformat në sistemin e drejtësisë nuk janë zgjidhje të shpejta, rezultatet nuk do të jenë të dukshme menjëherë

Reformat në sistemin e drejtësisë nuk janë zgjidhje të shpejta. Duhet të komunikohet me qytetarët se, nëse realizohet kjo reformë, do të nevojitet kohë për të parë rezultatet. Rezultatet e reformave nuk janë të dukshme menjëherë. Publiku duhet të informohet sinqerisht për atë që do të ndodhë, sa kohë do të marrë dhe cilat rezultate […]

shkurt 9, 2025 - 15:00
 0  5
Ekspertja Papa: Reformat në sistemin e drejtësisë nuk janë zgjidhje të shpejta, rezultatet nuk do të jenë të dukshme menjëherë
Foto ilustrim, e edituar nga Portalb.mk

Reformat në sistemin e drejtësisë nuk janë zgjidhje të shpejta. Duhet të komunikohet me qytetarët se, nëse realizohet kjo reformë, do të nevojitet kohë për të parë rezultatet. Rezultatet e reformave nuk janë të dukshme menjëherë. Publiku duhet të informohet sinqerisht për atë që do të ndodhë, sa kohë do të marrë dhe cilat rezultate priten. Po ashtu, nëse vendosni të realizoni veting në sistemin e drejtësisë, duhet të jeni të përgatitur për mungesë gjyqtarësh dhe prokurorësh, ashtu siç ndodhi në Shqipëri, tha në një intervistë për MIA-n ekspertja ndërkombëtare për gjyqësor dhe antikorrupsion Helena Papa, transmeton Portalb.mk.

“Aty krijuam Këshillin e Lartë Gjyqësor me kompetenca më të gjera dhe më shumë pavarësi. Përbërja e Këshillit të Lartë Gjyqësor u ndryshua, dhe ministri i Drejtësisë dhe kreu i shtetit u përjashtuan nga përbërja e tij, me qëllim që ky trup të ndikohet më pak nga politika. Në Shqipëri u krijua një trup i ri – Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili nuk ekzistonte më parë. Për më tepër, u formua një tjetër institucion i pavarur – Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, i cili ka detyrën të kryejë hetime për shkelje disiplinore. Të gjitha këto masa, së bashku me vetingun, si dhe rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, pas reformave gjyqësore dhe vetingut, gjyqtarët që kishin paga dyfish ose treefish më të larta në krahasim me më parë, u angazhuan për të krijuar një sistem drejtësie më të pavarur, me burime njerëzore dhe financiare të përshtatshme, dhe që po bëhet më efikas”, theksoi Papa për MIA.

Papa thekson se është e informuar me ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2023 dhe shqetësimet e lidhura me uljen e dënimeve për disa vepra penale.

“Efekti i këtyre ndryshimeve dhe shqetësimi lidhet me faktin se, në momentin kur ulet dënimi, kur ulet afati i vjetërsimit, i cili është direkt i lidhur me hetimin e prokurorisë, kjo do të thotë që prokuroria ka më pak kohë për të hetuar korrupsionin ose veprat penale të lidhura me krimin financiar dhe ekonomik. E dimë se është e vështirë të hetohen këto vepra penale, se kërkohet kohë, staf i specializuar, dhe ulja e kohës që ata kanë për të vepruar kërcënon cilësinë e punës së prokurorive dhe hetuesve”, theksoi Papa.

Sa i përket integrimit të vendit në BE dhe mundësisë që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet deri në vitin 2030, Papa thekson se disa vende të Ballkanit Perëndimor e kanë përcaktuar anëtarësimin në BE deri në vitin 2030 si një objektiv dhe se, ndonëse është një projekt ambicioz, nuk do të thotë se është i paarritshëm. Ajo thekson se ka një momentum gjeopolitik që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë, pasi mund të ketë një vullnet nga anëtarët e BE-së.

“Nuk duhet të harrojmë se procesi është i ndërlikuar dhe se vendet anëtare kanë nevojë për konsensus për atë se cilat shtete do të hyjnë në BE. Nuk kam shumë për të thënë për faktin që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë ndarë në rrugën e tyre drejt BE-së, por besoj se ndoshta është më mirë, sepse çdo shtet do të vlerësohet sipas meritës të tij. Ndoshta Shqipëria është pak më përpara tani, duke marrë parasysh që ka hapur Klasterin 1, por kjo nuk do të thotë se pas gjashtë muajsh Maqedonia e Veriut nuk do ta arrijë atë fazë dhe madje do të ecë më tej. Gjithçka varet nga vullneti i institucioneve publike në Maqedoninë e Veriut, nga elita politike, dhe dëshira për përparim në lidhje me sundimin e ligjit dhe vlerat thelbësore”, tha Papa.

Kujtojmë se, deputetët e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, së bashku me deputetët e shumicës parlamentare të ZNAM-it dhe VLEN-it, më 07 shkurt dorëzuar në Kuvend interpelancë për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të cilët zgjidhen nga Kuvendi. Shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik, VMRO-DPMNE në pushtet, e ka paralajmëruar që para zgjedhjeve, ndërsa me retorikë identike ka vazhduar edhe pas formimit të Qeverisë.

Këshilli Gjyqësor përbëhet nga 15 anëtarë, tre prej të cilëve i zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe me shumicë Badenter, dy anëtarë i propozon presidenti i shtetit, kurse zgjedhjen e bën legjislativi. Njëri nga këta dy kandidatë duhet të jetë pjesëtar i komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Tetë anëtarët e tjerë zgjedhin gjyqtarët nga mesi i tyre. Anëtarë të Këshillit sipas detyrës zyrtare janë Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Ministri i Drejtësisë, por ata mund të marrin pjesë dhe të diskutojnë vetëm në seanca, por nuk kanë të drejtë vote, përkatësisht të marrin pjesë në vendimmarrje.

Kuvendi, sipas njoftimeve, do të diskutojë për anëtarët që i zgjedh, e nga përbërja aktuale e Këshillit Gjyqësor, ata janë Selim Ademi, Pavlina Cërvenkovski, Vesna Dameva, Milazim Mustafa dhe Tanja Çaçarova-Ilievska.