RMV, tenderët për ndërtime nën pikëpyetje pas marrjes së licencave
Fati i disa prej projekteve ndërtimore të komunave dhe institucioneve të tjera shtetërore mbetet i paqartë pas aksionit për marrjen e qindra licencave, të cilin Ministria e Transportit e realizoi me shpejtësi pas tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan. Ky konkluzion u imponua pasi organizata joqeveritare Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ) pas analizimit të listës […]


Fati i disa prej projekteve ndërtimore të komunave dhe institucioneve të tjera shtetërore mbetet i paqartë pas aksionit për marrjen e qindra licencave, të cilin Ministria e Transportit e realizoi me shpejtësi pas tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan. Ky konkluzion u imponua pasi organizata joqeveritare Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ) pas analizimit të listës së publikuar të kompanive zbuloi se 23 kompani janë në prag të humbjes së licencës që ka qenë një nga kushtet për ta fituar tenderin, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Rreth dhjetë ditë pas tragjedisë në Koçan, në të cilën jetën e humbën 61 persona, Ministria e Transportit njoftoi se 479 kompanive do t’u merren licencat për punë ndërtimore dhe planifikim urbanistik, por QKQ saktësoi se në fakt bëhet fjalë për 426 kompani, sepse në listë ka kompani që përsëriten, ndërsa të tjera që u merren edhe nga disa lloje të lejeve.
Hulumtimi tregoi se kompanive do t’u merren 11 lloje të ndryshme licencash.
Njëzet e tre kompanitë me leje të kontestueshme për punë kanë gjithsej 58 kontrata për prokurim publik, vlera e përgjithshme e të cilave është 14 milionë euro, thuhet në raportin e QKQ-së, i cili u publikua sot.
Nuk ka udhëzime specifike
Në pyetjen se çfarë do të ndodhë me projektet ndërtimore që preken nga marrja e licencave, Ministria e Transportit na referoi në një pjesë të Ligjit për Ndërtim ku sqarohet procedura për marrjen e licencave, e cila zgjat të paktën 30 ditë.
Fakti që licencat ende nuk janë marrë ligjërisht dhe fakti që Ministria po e nxjerr në pah këtë informacion, hap mundësinë që disa prej projekteve të vazhdojnë pa pengesa, gjë që është në përputhje me informacionet jozyrtare të cilat i siguroi BIRN, sipas të cilave për projektet që janë në një fazë të avancuar do të mbyllet një sy.
“Vendimet (për marrjen e licencave) nuk janë ende të formës së prerë, me qenë se ndaj tyre mund të ngrihet padi në Gjykatën Administrative brenda 30 ditëve nga data e marrjes së tyre”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Zyrtarisht Ministria nuk ka asnjë udhëzim për projektet e prekura ndërtimore dhe çështjen e fatit të tyre ua ka drejtuar institucioneve që kanë lidhur tender me ndonjërën nga këto 23 kompani ndërtimore.
Hulumtimi i shkurtër i BIRN i disa tenderave nxorri në pah se secili rast është specifik dhe se çdo institucion e trajton problemin në mënyra të ndryshme.
Për shembull, Ministria e Shëndetësisë në muajin mars ka nënshkruar një kontratë me një kompani ndërtimore me bazë në Shkup për rikonstruimin e Klinikës për Anestezion, Reanimacion dhe Kujdes Intensiv (KARIL). Kompania po përballet me rrezikun që t’i merret licenca A për ndërtim.
Ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, për BIRN tha se ishte në dijeni të problemit.
“Jam në pritje të këshillave ligjore nga ekspertët që të mund të marrim masa”, tha ai.
E njëjta kompani ndërtimore nga muaji gusht ka lidhur kontratë me Institucionin Kombëtar të Teatrit Turk dhe tashmë është duke i vendosur instalacionet në objektin e ri të këtij institucioni në afërsi të stacionit hekurudhor në Shkup. Por, nga ky institucion nuk morëm përgjigje zyrtare për atë se çfarë planifikojnë të bëjnë.
Problem të ngjashëm ka edhe kryetari i Ohrit, Kirill Pecakov me tenderin për punë ndërtimore në njërën nga shkollat fillore të Ohrit. Ai është në pritje të udhëzimeve nga Qeveria dhe një nga opsionet është që prokurimi publik t’i jepet kompanisë së dytë.
“Projekti ende nuk ka filluar”, shpjegon ai se pse po shqyrtohet kjo zgjidhje.
Ligji për Prokurime Publike nuk e mbulon këtë situatë konkrete, zgjidhjen e kontratës pas marrjes së licencës, por nëse një kompani ndërtimore e humb licencën për ndërtim, kjo do të thotë humbje të aftësisë për realizimin e kontratës. Kjo mund të përbëjë një arsye për zgjidhjen e kontratës.
Një e treta e kompanive joaktive ose me llogari të bllokuara
Përndryshe nga 426 kompanitë licencat e të cilave janë nën dyshim, 49 kanë kontrata aktuale për prokurim publik, thuhet në hulumtimin e Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ). Megjithatë, për më shumë se gjysmën, licenca e marrë nuk ka qenë kusht për të marrë pjesë dhe për ta fituar tenderin, siç është rasti me 23 prej tyre që i kemi analizuar deri më tani.
Hulumtimi i QKQ-së nxori në pah se pothuajse një e treta e kompanive për të cilat po zhvillohet procedurë për marrjen e licencave, kanë llogari të bllokuara ose janë joaktive.
Nga 426 kompanitë, 85 përqind e kompanive, ose 363, kanë gjeneruar të ardhura vitin e fundit për të cilin janë publikuar të dhënat, pra për vitin 2023.
Të ardhurat e tyre vjetore në vitin 2023 kanë qenë gjithsej 128 milionë euro.
Megjithatë, shumica e këtyre kompanive gjenerojnë të ardhura të ulëta vjetore. Pothuajse një e treta e kompanive kanë të hyra vjetore më pak se 15.000 euro, ndërsa vetëm 33 kompani, ose 8 përqind, kanë të hyra mbi një milion euro.
Vetëm tre përqind e kompanive kanë më shumë se 10 punonjës.
Sa i përket punonjësve, në të gjitha 426 kompanitë për të cilat po vijon procedura për marrjen e licencës punojnë 2.188 persona. Katër përqind e këtyre kompanive nuk kanë punonjës, ndërsa tre kanë vetëm një. Vetëm tre përqind e kompanive kanë më shumë se 10 punonjës.