Ende po pritet ndërprerja e koncesioneve për hidrocentralet e vegjël në Mavrovë dhe Malin Sharr

Zgjidhja e kontratave për koncesion për hidrocentralet e vegjël Zhirovniçka 5 dhe 6 në Parkun Nacional të Mavrovës nuk ka përfunduar ende, ndërsa për Ribniçka as që ka filluar. Drejtoria e Parkut Nacional “Mali Sharr” ka kërkuar marrjen e koncesioneve për Pena 84 dhe 85, por përpara se të fillojë procedura do të duhet të […]

Prill 27, 2025 - 12:00
 0  6
Ende po pritet ndërprerja e koncesioneve për hidrocentralet e vegjël në Mavrovë dhe Malin Sharr
Nga ndërtimi i një hidrocentrali të vogël në Markova Reka | Foto: arkiv privat

Zgjidhja e kontratave për koncesion për hidrocentralet e vegjël Zhirovniçka 5 dhe 6 në Parkun Nacional të Mavrovës nuk ka përfunduar ende, ndërsa për Ribniçka as që ka filluar. Drejtoria e Parkut Nacional “Mali Sharr” ka kërkuar marrjen e koncesioneve për Pena 84 dhe 85, por përpara se të fillojë procedura do të duhet të shqyrtohet nga Qeveria, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) aktualisht ka lidhur kontrata koncesioni për ndërtimin e 42 hidrocentraleve të vegjël, nga të cilët për momentin po ndërtohet vetëm një, Karanikolos 80, që ndodhet në zonë për përdorim të qëndrueshëm në Malin Sharr. Nga Ministria thonë se gjatë vitit të kaluar nuk është realizuar asnjë procedurë për koncesion të ri për hidrocentral të vogël.

“Përmes MMJPH-së deri më tani në parqet nacionale nuk është ndërtuar plotësisht asnjë hidrocentral i vogël. Për momentin në ndërtim e sipër është Karanikolos 80 në Malin e Sharrit. Në kuadër të parqeve nacionale për momentin janë paraparë pesë hidrocentrale, nga të cilat për dy, Zhirovnica 5 dhe 6, është duke u zhvilluar procedurë për zgjidhjen e kontratës, për Pena 84 dhe Pena 85 janë duke u shqyrtuar propozimet e dorëzuara, ndërsa për Ribniçka 7, që ndodhet në Mavrovë po shqyrtohet propozimi për zhvendosjen e tij”, informojnë nga Ministria.

Pavarësisht faktit që procedura për ndërprerjen e koncesioneve për Zhirovniçka 5 dhe 6 ka filluar disa vite më parë, nga Ministria thonë se bisedimet për këto dy objekte energjetike ende nuk kanë përfunduar. Por, nuk është kështu për hidrocentralin e tretë të vogël, Ribniçka, i cili është planifikuar brenda zonës së mbrojtur të parkut. Për atë, pavarësisht rekomandimeve të Konventës së Bernës dhe thirrjeve të ekologjistëve dhe publikut që të mos ndërtohet, nuk ka procedurë për zgjidhjen e kontratës. Përkundrazi, nga Ministria thonë se është dorëzuar propozim për ndryshimin e zgjidhjes teknike, e cila do t’i vendoste objektet e Ribniçka në një lokacion tjetër. Qëllimi është që ato të zhvendosen nga zona e mbrojtjes së rreptë në një zonë të përdorimit të qëndrueshëm, por edhe atëherë do të ishin brenda parkut.

“Propozimi u është dorëzuar hartuesve të Studimit të revalorizimit dhe Drejtorisë të Parkut Nacional, nga ku duhet të merren të dhëna se në cilën zonë do të vendosen objektet”, thonë nga Ministria.

Nga atje theksojnë se për Pena 84 dhe 85 në Parkun Nacional “Mali Sharr” nga drejtoria e parkut është dorëzuar një kërkesë për marrjen e koncesioneve, ndërsa koncesionari ka kërkuar zgjidhje të kontratës me marrëveshje duke pasur parasysh se u është pamundësuar qasja në terren. Për momentin për rastin në fjalë po përgatitet informacion, që duhet të shqyrtohet nga Qeveria.

Rezistencë ndaj ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël kishte edhe për lokacione jashtë zonave të mbrojtura, si për dy në lumin Doshnica në Kozhuf. Edhe krahas protestave dhe ankesave të popullatës vendase dhe ekologjistëve, nga Ministria thonë se për ato tashmë janë lidhur kontratat për koncesion.

“Për dy hidrocentralet e vegjël në Doshnicë, Paprad dhe Barov Doll është lidhur kontratë për koncesion, sipas së cilës koncesionari është i detyruar të veprojë në përputhje me lejet e lëshuara dhe elaboratet për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, thanë nga Ministria.

LEXO: Stagnon rishpallja e Parkut Nacional “Mavrova”, drejtori thotë se duhet pasur kujdes edhe për njerëzit, jo vetëm për natyrën

Ndryshe, Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës në dhjetor 2024 kërkoi edhe një herë që të ndërpriten të gjitha koncesionet për hidrocentralet e vogla në Parkun Kombëtar të Mavrovës. Në seancën e fundit u konstatua se vendi nuk i respekton në mënyrë të vazhdueshme marrëveshjet e tyre pasi edhe pse koncesionet për Zhirovnika 5 dhe 6 u anuluan, vendimi për ndërprerjen përfundimtare të kontratave të tyre nuk u mor.

Komiteti i Konventës së Bernit edhe në dhjetor të vitit 2023 kërkoi nga vendi ynë që menjëherë ta anulojë Ribniçkën në Mavrovë dhe të shkëputen të gjithë koncesionet për hidrocentrale të vegjël në Malin Sharr. Komiteti kërkoi edhe që të përshpejtohet shpallja e Parkut kombëtar Mavrovë dhe miratimi i ligjeve për ujërat dhe mbrojtjen e natyrës.