Rokas: Ka shumë aktivitete diplomatike që RMV-ja të vazhdojë rrugën për në BE
Në këtë moment ka shumë aktivitete diplomatike rreth kësaj çështjeje. Kështu u përgjigj euroambasadori Mihailis Rokas në RMV kur u pyet nga Portalb.mk për zgjidhjen kreative franko-gjermane e cila është përmendur nga përfaqësues të BE-së, dhe e cila nënkupton garanci që Bullgaria mos të bllokojë më tej RMV-në me çështje dypalëshe në rrugën drejt BE-së, […]
Në këtë moment ka shumë aktivitete diplomatike rreth kësaj çështjeje. Kështu u përgjigj euroambasadori Mihailis Rokas në RMV kur u pyet nga Portalb.mk për zgjidhjen kreative franko-gjermane e cila është përmendur nga përfaqësues të BE-së, dhe e cila nënkupton garanci që Bullgaria mos të bllokojë më tej RMV-në me çështje dypalëshe në rrugën drejt BE-së, e cila është kërkesë edhe e lidershipit në RMV, shkruan Portalb.mk.
“Unë mendoj se BE-ja e ka bërë të qartë se zgjerimi është prioritet kryesor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut. Në këtë moment, udhëheqja e re po bën shumë përpjekje për të ndihmuar vendin dhe ne si Delegacion i BE-së këtu për të ndihmuar në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme për të arritur sa më shpejtë deri në fund,dhe për të shfrytëzuar këtë moment të mundësisë, prandaj çdo mbështetje apo dhe përpjekjet e gjera diplomatike për të ecur përpara sa më shpejt që të jetë e mundur janë shumë të mirëseardhura”, tha Rokas.
Javën tjetër do të mbahet Samiti BE – Ballkani Perëndimor dhe kjo shihet si një mundësi shtesë për përparim në këtë drejtim.
“Siç e dini, kryeministri ishte në Bruksel për t’u takuar me lidershipin e ri, është Samiti i Ballkanit Perëndimor javën e ardhshme nga data 18, do të ketë një vizitë tjetër në Bruksel”, tha Rokas.
Në Bashkimin Evropian po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje kreative për zhbllokimin e procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, por kjo nuk nënkupton që vendi nuk duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, ata mbeten kusht. Zgjidhja që po kërkohet ka të bëjë me kërkimin e një garance nga Bullgaria që mos të bllokojë më tej RMV-në, kështu thonë burimet nga Strazburgu dhe Brukseli të cilët nuk japin detaje tjera për këtë “zgjidhje kreative”. Garanca që procesi eurointegrues nuk do të kushtëzohet më tej nga çështjet dypalëshe kërkon edhe lidershipi në RMV.
- LEXO: Jo në BE pa ndryshimet kushtetuese: BE-ja në kërkim të një zgjidhjeje, çfarë po ndodh me RMV-në?
Gjetja e zgjidhjes kreative për tejlkalimin e mosmarrëveshjeve bullgaro-maqedonase është përmendur edhe në drekën e punës me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, në të cilën mori pjesë presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova.
Nga ana tjetër, kryeministri i vendit Hristijan Mickoski ësthë shprehur optimist për rrugën eurointegruese. Ai së fundmi tha se kanë plan dhe strategji të qartë të përbërë nga tri pjesë, të cilin e zbatojnë.
Komisionerja e re për zgjerim e BE-së Marta Kos në konferencën e organizuar nga “Miqtë e Evropës” në Bruksel tha se do të bëjë gjithçka që është e mundur që çështjet dypalëshe të mos bëhen pengesë e përhershme në rrugën drejt BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa paraprakisht, menjëherë pas miratimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, komisionerja e re Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në një deklaratë për media tha se pret që RMV-ja të ndryshimet kushtetuese, asgjë më shumë dhe asgjë më pak.
“Presim që Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën, kjo është diçka në të cilën ne llogarisim, asgjë më pak dhe asgjë më shumë, jam e sigurt se mund të bëhet. Atëherë ne mund të përparojmë vërtet shumë shpejt, tha Kos.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.