Rruga e Maqedonisë drejt BE-së nuk kalon ka Hungaria, mbështetja te Orbani është kontraproduktive

Maqedonia e Veriut intensivisht po kultivon marrëdhënie të mira dypalëshe me Hungarinë, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes që i siguron vendit 500 milionë euro kredi nga Hungaria. Hungaria është vend anëtar në BE, që nuk gëzon popullaritet si vend demokratik. Përveç bashkëpunimit ekonomik, vendet tani janë edhe në një front aktiv që kritikon Bashkimin Evropian. […]

Mars 6, 2025 - 15:00
 0  3
Rruga e Maqedonisë drejt BE-së nuk kalon ka Hungaria, mbështetja te Orbani është kontraproduktive
Viktor Orban dhe Hristijan Mickoski. Samitit maqedono-hungarez në Budapest. Foto: Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut intensivisht po kultivon marrëdhënie të mira dypalëshe me Hungarinë, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes që i siguron vendit 500 milionë euro kredi nga Hungaria. Hungaria është vend anëtar në BE, që nuk gëzon popullaritet si vend demokratik. Përveç bashkëpunimit ekonomik, vendet tani janë edhe në një front aktivkritikon Bashkimin Evropian. Njohësit e rrethanave politike thonë se është i dobishëm fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe me çdo vend të BE-së, veçmas, por jo të krijohen hapësira për të ikur nga kushtet e BE-së, shkruan Portalb.mk.

Në Budapest është mbajtur Samiti i dytë ndërqeveritar i Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë. Pas Samitit, kryeministri hungarez Viktor Orban falënderoi Maqedoninë e Veriut për përpjekjet e saj për të parandaluar migrimin dhe njoftoi forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Orban është i interesuar për një zonë të përbashkët ekonomike me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, por pengesë, sipas tij, është që Hungaria është në BE, ndërsa dy vendet e tjera janë jashtë Unionit.

Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski shprehu shpresën se rruga evropiane e vendit më në fund do të zhbllokohet, me mbështetjen e Hungarisë.

“Qëllimi ynë strategjik si vend është të jemi pjesë e familjes evropiane, diçka që e kemi merituar shumë kohë më parë. Ajo që kanë dhënë qytetarët e Maqedonisë për realizimin e këtij qëllimi strategjik është me të vërtetë e paçmuar, gjegjësisht çmimi është aq i madh sa nuk mund të përcaktohet, sepse mbi të gjitha bëhet fjalë për procesin e bilateralizimit të negociatave, jo për evropianizimin e negociatave”, tha Mickoski, i cili falënderoi Orbanin për mbështetjen e deritanishme.

Çfarë shembulli mund t’i japë Hungaria Maqedonisë së Veriut?

Gazeta e përditshme pro-qeveritare në Hungari, “Magjar Nemzet”, shkruan Dojçe Vele, ka raportuar ditë më parë se Orban planifikon të dëbojë kritikët nga Hungaria. Në opinionin hungarez spekulohen ndalime të mundshme të hyrjes në Hungari ose heqjes së shtetësisë si masa kundër kritikëve të Orbanit.

“Një nga masat mund të jetë zgjerimi i kompetencave të të ashtuquajturës Agjenci për Mbrojtjen e Sovranitetit. Kjo agjenci u krijua në fillim të vitit 2024 për të dokumentuar “shkeljet e sovranitetit hungarez”. Ai nuk ka fuqi ekzekutive, por praktikisht është organi propagandistik i Orbanit kundër çdo kritike ndaj sistemit të tij”, shkruan më tutje gazeta.

A kalon rruga drejt BE-së ka Hungaria? Opinionistët: Mickoski nuk do që t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, kërkon alternativa

Kryeministri Mickoski ka shfrytëzuar momentumin e ri gjeopolitik, raportet e ftohta mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, për ta forcuar retorikën e tij ndaj Bashkimit Evropian, derisa Unioni nga Maqedonia e Veriut po i pret ndryshimet kushtetuese.

Profesori universitar Murat Aliu në një prononcim për Portalb.mk vlerësoi se çdo partneritet me ndonjë vend të BE-së është i favorshëm për vendin tonë. Por, tha ai, problemi i Mickoskit qëndron në atë se partneritetin me Hungarinë, dhe jo vetëm, e sheh si një mundësi për arratisje nga obligimi për t’i bërë ndryshimet kushtetuese.

“Pra, është e qartë që VMRO- DMNE me kushtet të cilët u imponuan me propozimin prancez për zgjidhjen e ngërçit ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë nuk do t’i bëj ndryshimet kushtetuese. Tani Mickoski shfrytëzon edhe zhvillimet e reja gjeopolitike. Pas ardhjes në pushtet të Trampit mundohet që të gjejë alternativa tjera”, tha për Portalb.mk Aliu.

Sipas Besim Nebiut, njohës i çështjeve politike, të kërkosh mbështetje dhe patronazh nga Viktor Orbani është qasje jo vetëm kontradiktore, por potencialisht edhe kundërporduktive.

“Orban është një nga kritikët më të zëshëm të BE-së, i cili ka bllokuar vendime të rëndësishme për zgjerimin e Unionit, si psh me Ukrainën. Njekohësisht edhe Brukseli zyrtar dhe mejnstrimi politik i Evropës Perëndimore është kritikues i ashpër i praktikave qeverisëse së regjimit të Orban. Nëse RMV është vërtetë e përkushtuar ndaj rrugës evropiane, atëherë duhet të fokusohet në përmbushjen e reformave dhe kushteve të vendosura nga BE, përfshirë ndryshimet kushtetuese. Përpjekja për të gjetur mbështetje te një lider që sot nuk ështe sinonim për europianizëm, i cili shpesh sfidon institucionet evropiane dhe i cili eshte i afërt me Putinin –  mund të dërgojë mesazhe të përziera, si në Bruksel, ashtu edhe te qytetarët e vendit”, tha për Portalb Nebiu.

Kujtojmë se, me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.

BE-ja e prerë: Fillimisht Kushtetuta, pastaj negociatat 

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.