Si e ndihmoi Komuna e Tetovës profesorin Faton Murseli që të ndërtojë pa leje në Kodrën e Diellit në tokën e dikujt tjetër

Në një vikend shtëpizë moderne në Kodrën e Diellit relaksohet Faton Murseli, profesor nga Universiteti i Tetovës, bashkëshortja e të cilit është kryetare e Komisionit të Urbanizmit në Tetovë. Një rrjet gjeodezistësh, zyrtarësh komunalë dhe inspektorësh bënë gjithçka që mundën për të bërë të duket se vila ishte ndërtim pa leje që u legalizua para […]

Mars 6, 2025 - 15:00
 0  5
Si e ndihmoi Komuna e Tetovës profesorin Faton Murseli që të ndërtojë pa leje në Kodrën e Diellit në tokën e dikujt tjetër
Foto: IRL

Në një vikend shtëpizë moderne në Kodrën e Diellit relaksohet Faton Murseli, profesor nga Universiteti i Tetovës, bashkëshortja e të cilit është kryetare e Komisionit të Urbanizmit në Tetovë. Një rrjet gjeodezistësh, zyrtarësh komunalë dhe inspektorësh bënë gjithçka që mundën për të bërë të duket se vila ishte ndërtim pa leje që u legalizua para vitit 2011, edhe pse ishte ndërtuar në vitin 2024. Abuzimet përfshijnë raport të pasaktë gjeodezik dhe inspektim të falsifikuar. Kryetari i Komunës Bilall Kasami distancohet nga rasti, shkruan Investigative Reporting Lab, transmeton Portalb.mk.

Ajo që filloi si një ëndërr idilike për një shtëpi malore për Muamet Bejtullahin, i cili është me origjinë nga fshati Çellopek i Tetovës, por me vendbanim në Serbi, u kthye në zhgënjim.

Në vitin 1987, kur nuk kishte as njëzet vjet, shteti pati ofruar tokë për vila në Kodrën e Diellit.

“Parcelat nuk ishin të shtrenjta, kushtonin shumë pak, rreth 2.000 marka gjermane në atë kohë,” na tregoi Muameti (60) për atë se si e ka blerë pronën e parë në jetën e tij.

Një kompani nga Tetova i ka përgatitur edhe një projekt për një shtëpizë pushimi. Por, në ato vitet e fundit të ish Jugosllavisë ai u shpërngul në Serbi. Pasuan tranzicione dhe luftëra, kështu që për shumë vite me radhë ai nuk erdhi në Kodrën e Diellit. Tre dekada më vonë, në fund të muajit gusht të verës së kaluar, teksa ishte për vizitë në fshatin e tij të lindjes, ai mori informacionin se në parcelën e tij dikush tjetër po ndërtonte një shtëpizë pushimi.

Ai angazhoi një avokat nga Shkupi dhe më 20 gusht u ngjitën së bashku në Sharr ku gjetën disa mjeshtër. Nga ato kërkuan që ta kërkonin pronarin shtëpizën e të cilit po e ndërtonin, pas çka ata thirrën Mursel Murselin.

Muameti e ka pyetur atë se si e ka blerë pronën, tregon avokati Goran Iliev, në çka Murseli i është përgjigjur se e ka blerë nga një fqinji i tij. Muameti pastaj i ka kërkuar që të bisedojë me fqinjin me telefon. Personi në anën tjetër të linjës ka mohuar t’i ketë shitur pronë dikujt, pas çka, sipas avokatit, Murseli ka thënë:

“Jo, prit… të të shpjegoj se si e kam marrë… Të mos i përziejmë edhe fqinjtë… Mua ma bënë dhuratë, unë përgatis dokumentacion për legalizime…“, na e përcolli avokati Iliev bisedën e cila është zhvilluar mes dy palëve.

Pas kësaj avokati së bashku me Muametin kanë shkuar në stacionin policor në Kodrën e Diellit. Ata i kanë ftuar policët që të shkonin me ta deri tek parcela. Ata kanë ardhur, kanë marrë të dhëna dhe kanë përpiluar një raport, të cilin ia kanë dërguar avokatit disa ditë më vonë.

Por, policët denoncimin e kanë regjistruar si arbitrarizëm, e jo si ndërtim pa leje, na tregoi Iliev. Për atë vepër mund të ngrihet vetëm padi private, ndërsa për ndërtimet pa leje vetë shteti nis procedurë sipas detyrës zyrtare.

Po ashtu, në dokument policët kanë shkruar me detaje se si ka shkuar biseda zyrtare në objekt:

“Kemi zhvilluar një bisedë me personin Mursel Murseli, i cili ka deklaruar se nuk është investitor, gjegjësisht investitor për shtëpinë e cekur të pushimit është personi Faton Murseli, djali i të denoncuarit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policët kanë deklaruar se kanë biseduar edhe me Faton Murselin (në tekstin në vazhdim Profesori). Ai aktualisht është profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ish-gazetar dhe zëdhënës i Komunës së Tetovës. Ai u ka konfirmuar atyre se kishte punësuar punëtorë ndërtimi për të punuar për një shtëpi pushimi. Por, për atë ka thënë se i përket një të afërmit të tij. Ai ka dhënë emrin Sali Iseni nga fshati Nerasht, për të cilin ka theksuar se është me punë të përkohshme në Danimarkë.

“Unë dhe Saliu jemi baxhanakë. Gratë tona janë motra”, sqaroi më vonë Mursel Murseli në një intervistë për IRL-në për lidhjen e tij farefisnore me Isenin.

Kur i kërkuam Murselit të na tregonte se çfarë ndodhi atë ditë në Kodrën e Diellit, ai na tha se nuk ka blerë asgjë nga askush dhe se nuk e dinte se pse po e pyesnim për rastin.

Përndryshe, Sali Iseni (në tekstin në vazhdim Danezi) në Kodrën e Diellit kishte edhe një shtëpi tjetër vetëm dy parcela larg vendit ku punohej gjatë verës. IRL gjeti prova se në atë kohë Iseni ende nuk ka pasur fletë pronësie as për atë shtëpi.

Një javë më vonë (më 27 gusht), avokati Iliev kërkoi që edhe Inspektorati ndërtimor komunal nga Komuna e Tetovës të bëjë mbikëqyrje në vendin e ngjarjes. Ata donin të zbulonin se kush qëndron pas gjithë procesit dhe se çfarë ka ndodhur më saktësisht.

Ngjarjet që zbuloi IRL që i paraprinë denoncimit dhe që pasuan nuk ishin të parashikueshme as nga Bejtullahi dhe as nga avokati i tij në atë moment.

Deklaratë e pasaktë se shtëpia është ndërtuar para vitit 2011

Siç u informuam nga Komuna e Tetovës pas fillimit të procesit për legalizimin e objekteve pa leje në vitin 2011 ata kanë pranuar gjithsej 14.528 kërkesa për zgjidhjen e statusit juridik të objekteve pa leje.

Gazetarët konstatuan se ndër rastet që janë zgjidhur pozitivisht në vitin 2024 ka qenë edhe kërkesa e Danezit.

Por hetimi i çështjes na ktheu plot tetë vjet mbrapa. Së pari zbuluam se Danezi më 29 mars të vitit 2016 ka parashtruar kërkesë për legalizimin e një shtëpie pushimi në Kodrën e Diellit. Ai e ka shënuar Mursel Murselin si personin për kontakt dhe e ka shkruar numrin e tij të celularit.

Në kërkesën e dorëzuar që pamë thuhet se është dashur të ketë bashkangjitur prova që objekti ka qenë i kyçur në rrjetin elektrik ose ujësjellësin para datës 3 mars të vitit 2011, ose që aplikanti të dorëzojë një deklaratë të noterizuar se objekti është ndërtuar para kësaj date. Danezi ka zgjedhur të dorëzojë një deklaratë, por e ka bërë këtë tetë vjet pasi e kishte dorëzuar kërkesën për legalizim.

Një deklaratë të tillë e ka vërtetuar te një noter në Tetovë më 25 prill të vitit 2024 dhe po atë ditë, por te një noter tjetër, Danezi i ka dhënë autorizim Profesorit për ta përfaqësuar në procesin e legalizimit.

Muamet Bejtullahi nga Serbia, nga ana tjetër, pretendon se në atë vend, për të cilin thotë se ka qenë i tij, në vitet e mëparshme nuk ka pasur shtëpi.

“Në vitin 1988 kam hedhur themele me një mjeshtër. Ne ndërtuam tre themele, si mure, dhe i mbuluam sa të ketë diçka. Kështu na thanë atëherë, që të mos e humbja vendin. Nuk ishte shtëpi”, na tha Bejtullahi.

Për ta verifikuar këtë pretendim, ne kërkuam imazhe satelitore nga Google Maps. Ato tregojnë se çfarë ka pasur në një vend të caktuar në vite të caktuara.

Në imazhet vumë re se në vitin 2016, 2017 dhe 2022 në atë parcelë nuk ka pasur shtëpi. Në njërin nga imazhet mund të vihen re disa mure të ulëta të mbuluara me vegjetacion.

Shtëpi në këtë vend shfaqet në një imazh satelitor vetëm në vitin 2024. Kjo është 13 vjet pas vitit 2011, për kur Danezi ka dhënë një deklaratë se ai tashmë kishte një shtëpi pushimi atje.

IRL më pas gjeti edhe katër video të filmuara me dron nga Kodra e Diellit dhe të postuara në YuTube. E para, e postuar në shtator të vitit 2016, e dyta në mars të vitit 2019, e treta në shtator të vitit 2020 dhe e katërta në shkurt të vitit 2023.

Edhe aty mund të vihet re se në vitet kur janë publikuar në atë vend nuk ka pasur shtëpi, por vetëm një lloj ndërtimi të ulët.

Elaborat gjeodezik për një shtëpi pushimi inekzistente

Pasi Danezi ka paraqitur kërkesë për legalizim në vitin 2016, firma gjeodezike “Geopollog” nga Tetova ka përpiluar një elaborat se çfarë kanë matur në terren në vitin 2017. Gjegjësisht, ata kanë shkruar se kanë hasur një shtëpi me bodrum, kat përdhesë dhe papafingo. Është vizatuar në detaje me koordinata pikash të detajuara dhe kanë shënuar një sipërfaqe totale prej 132 metrash katrorë.

IRL kërkoi dhe mori dokumente për këto raste nga Drejtoria e Kadastrës në Tetovë. Aty gjetëm edhe elaboratin gjeodezik nga “Geopollog”. Faqja e parë përmban datën 22.9.2017, por menjëherë vumë re se mungon data dhe ora e nënshkrimit digjital të menaxherit të kësaj kompanie, Ajdin Nuredini.

IRL e kontaktoi kompaninë KIBS (Interbank Clearing Bureau-Skopje), e cila është një nga lëshuesit e autorizuar të certifikatave digjitale të kualifikuara për nënshkrime elektronike në vend. Pyetëm nëse çdo nënshkrim elektronik duhet të përmbajë një datë dhe orë?

“Për të qenë të sigurt për të dhënat e kohës dhe datës në procesin e nënshkrimit, nënshkrimi duhet të kombinohet me një vulë kohore”, u përgjigjën nga KIBS.

Shkuam në “Geopollog” në Tetovë dhe u takuam me Ajdin Nuredinin. Sa i përket mungesës së datës dhe orës në vulën digjitale, ai na tha se kanë pasur një lloj defekti, por se KIBS-i u ka thënë që të vazhdojnë punën.

“Kemi pasur një defekt, e kemi raportuar në KIBS dhe – do të vijmë, do të vijmë – dhe nuk kanë ardhur akoma”, na deklaroi Nuredini.

Kur e pyetëm se kur kishin pasur problem me nënshkrimin elektronik, ai na tha “dhjetë ditë më parë”, edhe pse çështja për të cilën po e pyesnim ishte e shtatë apo tetë viteve më parë.

IRL donte të gjente prova nëse kompania gjeodete kishte qenë në të vërtetë për ta matur parcelën në Kodrën e Diellit në vitin 2017, sepse videot e zbuluara dhe të dhënat e Google Maps treguan se atje në atë kohë nuk ka pasur shtëpi. Dyshonim për andidatim.

Antidatimi është procesi kur një dokument ose kontratë shënohet me një datë që i paraprin datës aktuale të krijimit ose nënshkrimit të tij.

Në dokumentet që na i dhanë nga Kadastra e Tetovës në elaboratin e “Geopollog”-ut kemi gjetur një dokument tjetër në një faqe me fjalë angleze, por me shkrim cirilik. Në të kishte të dhëna që na lidhnin me koordinata gjeografike.

Për ndihmë ekspertësh iu drejtuam tre gjeodezëve në Shkup nga kompani të ndryshme. Pasi e panë dokumentin të gjithë na thanë se dukeshin si të dhëna origjinale nga një matje në terren, por sipas tyre, nuk ishte ashtu siç duket zakonisht.

Kërkuam që të kontrollojnë se çfarë tregojnë realisht koordinatat e ofruara nga kompania “Geopollog” në vitin 2017 gjatë matjes në Kodrën e Diellit.

Gjeodezët u përgjigjën se nëse në aplikacionin “Google Maps” futen koordinatat e pikës së vetme në këtë regjistrim, ata do t’ju çojnë në territorin e Shqipërisë fqinje.

Por, na duhej një shpjegim edhe më relevant. Sipas asaj që na tha njëri nga gjeodetët, nëse koordinatat e shfaqura shihen si masë këndore (gradë, minuta dhe sekonda), do të na çojnë në Tetovë, pikërisht në lokacionin ku ndodhet stacioni MAKPOS në pronësi të Agjencisë së Kadastrës.

MAKPOS është një shkurtim për Sistemin Maqedonas të Pozicionimit. Është një sistem që ofron të dhëna me precizitet të lartë për matjet gjeodezike në Maqedoni, i përbërë nga stacione të përhershme që mbulojnë të gjithë territorin e vendit.

Siç na shpjegoi gjeodezi, i cili kërkoi të mbetet anonim, gjatë punës me marrës GPS në terren, në regjistrime të tilla zakonisht përfshihet pikë referimi nga rrjeti MAKPOS, me ndihmën e së cilës fitohet një zgjidhje fikse, por shënohet me masë këndore, jo me numër dhjetor.

“Sido që të interpretohet, kjo koordinatë e vetme e dhënë nuk gjendet në lokacionin që ju intereson”, na tha ai, duke theksuar se nuk ka gjetur asnjë pikë tjetër në dokument që do ta çonte në Kodrën e Diellit.

Kjo tregon se në dokumentin, i cili duket si të dhëna origjinale nga një matje në terren, nuk ka asnjë provë elektronike që në vitin 2017 gjeodezët e “Geopollog”- ut kanë qenë në Kodrën e Diellit dhe kanë matur shtëpinë për të cilën Danezi ka kërkuar legalizimin.

IRL ka kërkuar nga Nuredini që të konfirmojë nëse kanë qenë në Kodrën e Diellit në vitin 2017 kur është përgatitur ky elaborat për shtëpinë?

“Kemi qenë në vend, po. I dërgova gjeodezët”, tha Nuredini në bisedë me gazetarët e IRL-së.

Pas kësaj bisede, IRL gjeti edhe një video tjetër të regjistruar me dron në Kodrën e Diellit. Është publikuar në Youtube në shtator të vitit 2017, gjegjësisht vitin e njëjtë për të cilin Nuredini thotë se ka pasur shtëpi dhe ka dërguar gjeodezë. Edhe në këtë video duket se në atë vend nuk ka shtëpi.

Viti 2024 me fat për Profesorin

Pas tetë vitesh pritjeje procedura për legalizimin e shtëpisë së pushimit të Danezit në shkurt të vitit 2024 filloi të intensifikohej. Një komision komunal nga Tetova përgatiti një procesverbal për lokacionin në Kodrën e Diellit dhe më pas deri në muajin qershor pasuan hapat e tjerë.

Më 12 qershor Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e shpallur publikisht në internet votoi për legalizimin e 32 objekteve pa leje. Edhe ndërtimi pa leje i Danezit ka marrë vlerësim pozitiv për legalizim.

“Për pikën 24 të rendit të ditës për legalizime janë propozuar gjithsej 33 legalizime. Komisioni për urbanizëm gjatë shqyrtimit vendosi miratimin e 32 dhe vendosi të mos miratojë një”, ka qenë sqarimi i dhënë në seancën e Këshillit nga një përfaqësues i Sektorit të Urbanizmit dhe Menaxhimit të Tokës Ndërtimore.

Kryetare e Komisionit të Urbanizmit është bashkëshortja e profesorit, Revide Ramani Murseli. Kur është marrë vendimi për legalizimin e objektit në Kodrën e Diellit, ai tashmë ka qenë i autorizuar nga Danezi që në emër të tij të ndërmerrte veprime për zgjidhjen e statusit të ndërtimit të tij pa leje.

Por, edhe pse Komisioni i Urbanizmit mori vendim për legalizimet, siç u tha në seancën e Këshillit komunal, Ramani Murseli na tha se vendimin për ndërtimet pa leje nuk e ka marrë Komisioni i Urbanizmit, por një komision krejtësisht tjetër – për legalizim.

“Unë i udhëheq procedurat e planifikimit dhe nuk kam asnjë lidhje me legalizimin”, tha ajo për IRL.

Mirëpo, atë ditë, përkundër vendimit pozitiv të Këshillit komunal, procedura ende nuk kishte përfunduar ligjërisht që Danezi të merrte fletë pronësie.

Më vonë gjatë verës pasoi reagimi i Muamet Bejtullahit nga Serbia dhe avokatit të tij, kur iu drejtuan MPB-së në Kodrën e Diellit dhe më pas Inspektoratit ndërtimor komunal. Në atë moment, objekti ka qenë ende i paligjshëm.

Por, muajin e ardhshëm, gjegjësisht më 16 shtator të vitit 2024, Komuna e Tetovës e ka përfunduar procedurën. Ajo ka miratuar një Aktvendim për legalizimin e shtëpisë së pushimit dhe atë e ka firmosur kryetari Bilall Kasami. Pas tre ditësh është regjistruar në kadastër dhe ka kaluar në pronësi të Danezit (Sali Iseni).

Por ajo që vijoi më pas na befasoi…

Pasi Iseni, pas disa vitesh procedurash të ndryshme para shtetit, më në fund u bë pronar i një shtëpie moderne legale në vendbanimin turistik të Kodrës së Diellit, IRL zbuloi se ai kishte vendosur ta dhuronte atë.

Pamë se më 18 tetor të vitit 2024 ai ka nënshkruar marrëveshje për dhurim pikërisht me profesorin e Universitetit të Tetovës, Faton Murseli.

Katër ditë më vonë, një notere në Tetovë e ka përgatitur edhe solemnizimin. Mirëpo, në dokumentin noterial që pamë thuhet se Danezi përfaqësohej nga një i autorizuar, ndërsa ai ishte babai i Profesorit, Mursel Murseli.

Më 24 tetor objekti tashmë është regjistruar në kadastër dhe profesori është bërë pronar i një shtëpie për pushime të bukur e të dhuruar në Kodrën e Diellit.

Por, pavarësisht se emri i tij është shkruar si “i autorizuar” në marrëveshjen e solemnizimit, Mursel Murseli e mohoi një gjë të tillë.

“Nuk jam unë. Ju keni të dhëna të pasakta. I autorizuar është Faton Murseli”, tha ai për IRL, ndonëse pamë informacion se më 21 tetor ka marrë një autorizim nga Danezi.

Në fund të bisedës Murseli na tha se nëse do të ishte e nevojshme, ai do të merrte një avokat.

“Nëse ndërpritet kjo procedurë, mirë, nëse jo, do ta çojmë deri në fund”, na paralajmëroi ai.

Po atë ditë, më 24 tetor, me fletën e pronësisë në dorë, Profesori shkoi te Inspektorati Ndërtimor Komunal në Tetovë dhe ua tregoi atë. Ai i siguroi se objekti ku e kishin thirrur për të ardhur ishte i tij.

Por ai është dashur të paraqitet te Inspektorati një muaj e gjysmë më parë.

IRL gjithashtu në detaje vërtetoi se çfarë kishte ndodhur edhe me mbikëqyrjen inspektuese pasi avokati Iliev bëri denoncimin për ndërtim pa leje. Procesverbali i inspektimit iu nënshtrua disa korrigjimeve.

Ndërkohë që vazhdonte hetimi gazetaresk ne u përpoqëm të bisedonim shumë herë në mënyra të ndryshme me Danezin për t’i bërë më shumë pyetje. Ne i kërkuam kontakt edhe Faton Murselit, por ai na tha: “Kam kontaktuar me Saliun, ai nuk dëshiron të kontaktojë, kërkon të kontaktojë vetëm me organet kompetente”.

Inspektorati Ndërtimor i Tetovës me pishman-dokumente

Pasi që avokati i Muamet Bejtullahit kërkoi që në Kodrën e Diellit të bëhet inspektim, inspektori komunal i ndërtimit në Tetovë pas gjashtë muajsh ka përgatitur procesverbal për inspektimin e kryer.

IRL iu drejtua komunës nëpërmjet postës elektronike për të pyetur se çfarë kishte konstatuar inspektimi. Pasi nuk morëm përgjigje për disa ditë, shkuam në Tetovë ku u takuam me inspektorin e ndërtimit dhe përfaqësuesit e sektorit për marrëdhënie me publikun. Ata na dhanë një kopje të procesverbalit dhe gazetarët insistuan që të plotësohej formulari për qasje në informacion me karakter publik sepse ne kërkonim gojarisht një informacion të tillë. Por shërbimet vlerësuan se nuk kishte nevojë për një formalitet të tillë.

Të nesërmen nga Komuna e Tetovës na kërkuan që ta kthejmë dokumentin që na dhanë, në të kundërtën do të nisin procedurë. Ata deklaruan se e kemi marrë në mënyrë joformale.

Pas disa ditësh, ia kthyem procesverbalin personalisht kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, dhe morëm një të ri. Por ai ishte dallonte nga ai i pari.

Në dokumentin e parë që na kërkuan ta kthenim, kontrolli ishte i shënuar si “i rregullt”, ndërsa i riu përmbante fjalën “i jashtëzakonshëm”.

Gjithashtu pikat ishin rrethuar ndryshe nëse ka pasur apo nuk ka pasur parregullsi të konstatuara. Në variantin e parë ishte rrethuar: “janë evidentuar parregullsitë e mëposhtme”. Por versioni i ri thoshte: “nuk janë evidentuar parregullsi”.

Kohëzgjatja e mbikëqyrjes inspektuese nuk përputhet mes versioneve në gjuhën maqedonase dhe shqipe dhe ka deri në tre variante.

Përndryshe, inspektori ka konstatuar se investitori Faton Murseli ka ndërtuar shtëpi pushimi dhe se punimet ndërtimore janë në fazën e përfundimit të fasadës së jashtme.

Profesori ka marrë ftesë për t’u paraqitur në Inspektoratin komunal ndërtimor më 10 shtator të vitit 2024 dhe për të dorëzuar dokumentacionin teknik për shtëpinë e pushimit. Por atë ditë Profesori nuk është paraqitur në Inspektoratin ndërtimor. Në atë kohë shtëpia ka qenë ende një ndërtim pa leje.

IRL u takua me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin. Ai ishte në dijeni për rastin për të cilin ne jemi të interesuar. I kërkuam ta komentojë vonesën e Murselit në Inspektoratin ndërtimor dhe si ka mundësi që ai të vijë kur të dojë dhe jo kur shërbimet i kanë caktuar takim?

“Nuk mundet, nëse ka qenë në procedurë e sipër, domethënë në atë kohë ka pritur t’i përfundonte procedurat, të merrte fletë pronësie dhe të vinte në Inspektorat për t’i njoftuar se tashmë ishte pronë e tij”, na tha Kasami.

Megjithatë, procesverbali i inspektimit mban datën 5 shkurt të vitit 2025, pothuajse gjashtë muaj pasi avokati dhe Muamet Bejtullahi kërkuan që të kryhet inspektim.

Procesverbali i është dërguar me postë avokatit Iliev, por nga Komuna edhe atij i kanë thënë që ta kthejë sepse ka pasur gabime.

Për IRL Iliev tha se kur ka qenë në Tetovë më 12 shkurt të këtij viti, kishte marrë një version me data krejtësisht ndryshe nga dy të parat që i morën gazetarët. Ai ende nuk e ka marrë zyrtarisht dokumentin e ri me postë që i premtuan se do t’ia dërgonin nga Inspektorati.

Lidhur me përmbajtjen e ndryshuar të dokumenteve, Iliev shpjegon se ekziston një procedurë ligjore e përcaktuar rreptësisht e cila duhet të respektohet. Neni 97 i Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative parasheh që kur korrigjohen gabimet në një akt administrativ, në këtë rast procesverbal i inspektimit, organi që e lëshon dokumentin duhet të nxjerrë një akt administrativ të veçantë për korrigjimin.

“Shënimi nënshkruhet nga zyrtari që e ka nxjerrë aktin administrativ për korrigjimin”, thuhet në Ligj.

Procesverbali i dytë i inspektimit që IRL e ka marrë nga Komuna e Tetovës nuk tregon se ka korrigjime, ndonëse përmbajtja ishte ndryshe në dy dokumentet e lëshuara nga Komuna e Tetovës.

MPB: Faton Murseli autor potencial i veprës për arbitrarizëm

Në gusht të vitit të kaluar pasi policët e Kodrës së Diellit e kanë përfunduar bisedën me Murselin dhe Faton Murselin për parcelën ku po kryheshin punë ndërtimore, në njoftimin drejtuar avokatit kanë shtuar edhe një rresht.

“Ju njoftojmë se si autor potencial i veprës është personi Faton Murseli dhe se për këtë vepër ngrihet padi private“, kanë shkruar pjesëtarët e MPB-së.

“Villa 378” – shkruan sot në një tabele druri të varur si shenjë mirëseardhjeje pranë portës së shtëpizës të Profesorit të ndërtuar në një stil modern. Objekti është edhe nën video mbikëqyrje. Përpara hyrjes pamë një paketim me pllaka bekatoni, me siguri për shtrimin e trotuareve përreth shtëpisë. Gazetarët i ranë ziles që të mund të takojnë nikoqirët. Askush nuk e hapi derën.

Për herë të fundit para vitit të ri pamë që profesori kishte bërë kërkesë për tjetërsimin e tokës shtetërore poshtë shtëpisë. Deri në fund të muajit shkurt në fletën e pronësisë nuk thuhej se toka kishte kaluar në pronë të tij.

Para disa ditësh kur folëm sërish me Muamet Bejtullahin nga Serbia, ai na tha se ishte i vetëdijshëm se mbase ishte duke luftuar një betejë të humbur.

“Ndoshta një ditë do të zgjidhet, ndoshta jo. Por është një vend me të cilin jam i lidhur emocionalisht”, na tha ai.

Siç shton avokati Iliev, pronarët e rinj të vendit janë treguar mikpritës në fund të bisedës me klientin e tij.

“Kishte oferta të llojit ‘nëse don të më falësh, eja lirisht, derën e ke të hapur. Mund të flesh sa herë të duash, si të jesh në shtëpinë tënde”, thotë ai.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke komentuar rastin e legalizimit të kësaj shtëpize, na theksoi se ai i sheh dokumentet në fund të procedurës. Aty nuk ka parë asgjë të diskutueshme dhe vendimin e tij e ka marrë duke u bazuar në informacionin që e ka marrë nga bashkëpunëtorët e tij.

“Unë nuk mund të përcaktoj nëse disa dokumente janë të vërteta apo jo. Kjo bëhet me një procedurë tjetër dhe këtë gjë mund ta përcaktojë një organ tjetër”, tha Kasami.

Nga Komuna e Tetovës na njoftuan se për vendim për legalizim të objekteve pa leje në pritje janë rreth 2.000 kërkesa.