Saveski thirrje për ruajtjen e integritetit profesional pas largimit të Ristovskës

Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nenad Saveski, shprehu keqardhje për vendimin e koleges, prokurores Ristovska, e cila dorëhoqi detyrën. Ai bëri të ditur se për dorëheqjen u The post Saveski thirrje për ruajtjen e integritetit profesional pas largimit të Ristovskës appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Prill 2, 2026 - 16:00
Saveski thirrje për ruajtjen e integritetit profesional pas largimit të Ristovskës

Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nenad Saveski, shprehu keqardhje për vendimin e koleges, prokurores Ristovska, e cila dorëhoqi detyrën. Ai bëri të ditur se për dorëheqjen u informua personalisht përmes mesazhit SMS, ndërsa arsyet për këtë vendim i mësoi nga mediat.

Saveski theksoi se Prokuroria Publike mbetet pa një profesioniste me përvojë të gjatë, e cila do të kishte kontribuar në forcimin e kapaciteteve të institucionit, veçanërisht në rolin e saj si prokurore për lidhjet me Eurojust.

Ai theksoi se vendimi për revokimin e autorizimeve të dhëna nga paraardhësit e tij ka natyrë organizative dhe synon përmirësimin e efikasitetit të Prokurorisë, pa qenë i drejtuar personalisht ndaj prokurores Ristovska.

Prokurori Publik bëri thirrje që të gjithë prokurorët të ruajnë integritetin profesional dhe të mos lejojnë që ndonjë situatë të ndikojë në punën e përditshme, ndërsa i kërkoi edhe aktorëve shoqërorë të kontribuojnë në ruajtjen e reputacionit të institucionit, për të mirën e qytetarëve dhe të drejtave të tyre.

Saveski njoftoi se çdo vendim që merr synon të garantojë pavarësinë dhe autonominë e Prokurorisë Publike.

Prokurorja Lençe Ristovska ka njoftuar dorëheqjen e saj nga pozita e prokurores publike, duke shpjeguar se vendimi vjen për shkak të mungesës së parimeve për të cilat ajo ka luftuar gjatë karrierës së saj.

“Funksionin e prokurorit publik gjithmonë e kam perceptuar si një thirrje dhe mundësi për të kontribuar në përmirësimin e sistemit, shoqërisë dhe mbi të gjitha të jetës së qytetarëve. Prandaj, gjatë karrierës sime, një sfidë e veçantë për mua ka qenë puna në raste që ndikojnë drejtpërdrejt në cenimin e vlerave dhe parimeve shoqërore. Meqenëse nuk shoh hapësirë për të punuar në përputhje me ato parime, sot kam dorëzuar dorëheqjen nga funksioni i prokurorit publik”, ka deklaruar Ristovska.

Dorëheqja e saj vjen pasi kryeprokurori Nenad Saveski vendosi t’i marrë asaj lëndët “Talir 1” dhe “Talir 2”, të cilat Ristovska i mbante që nga ngritja e tyre nën drejtimin e Katica Janevs. Këto lëndë lidhen me financimin e partisë politike VMRO-DPMNE, shkruan Gazeta Flaka.

Reagimi i parë pas dorëheqjes erdhi nga vetë VMRO-DPMNE, e cila theksoi se vendimi i Ristovskës ka të bëjë me zhgënjimin që nuk u zgjodh kryeprokurore:

“Lufta e vërtetë për sundimin e ligjit nuk përfundon me zgjedhjen apo moszgjedhjen në një funksion; fillon pikërisht atëherë. Në vend të angazhimeve deklarative, institucioneve u duhen njerëz që do të punojnë me përkushtim, pavarësisht rezultatit personal. Çdo gjë tjetër është vetëm një tjetër dëshmi se për disa prej tyre drejtësia ka qenë çështje pozite për kontroll, e jo parimi”, thuhet në reagimin e partisë.

Sipas VMRO-DPMNE-së, Ristovska ishte pjesë e sistemit të prokurorisë për të cilin vetë ajo ka deklaruar se i është shkatërruar besimi. Gazeta Flaka

The post Saveski thirrje për ruajtjen e integritetit profesional pas largimit të Ristovskës appeared first on Flaka, në çdo lajm... .