Shenoll Muharremi: Kurti po i përdor përplasjet me komandantët për të kamufluar dështimet në qeverisje
Opinionisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po e përdorin përplasjen me ish-komandantët e luftës për të larguar vëmendjen nga problemet ekonomike dhe dështimet në qeverisje. Përmes një postimi në Face...


Opinionisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po e përdorin përplasjen me ish-komandantët e luftës për të larguar vëmendjen nga problemet ekonomike dhe dështimet në qeverisje.
Përmes një postimi në Facebook, Muharremi ka thënë se sa më shumë që figura si Sami Lushtaku dhe Daut Haradinaj dominojnë diskursin publik, aq më shumë, sipas tij, LVV-ja arrin ta menaxhojë rënien elektorale.
“Deri tani, LVV po e kamuflon me sukses dështimin në qeverisje me betejat direkte me komandantët. Kjo i konvenon tej mase Albin Kurtit, sepse ai po e elektrizon elektoratin e tij dhe po tenton të përcjellë një mesazh që ish-partitë opozitare nuk janë gati me qeverisë”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka shtuar se reagimet e figurave opozitare po përdoren nga pushteti për t’u paraqitur si kërcënime politike.
“Sa më shumë të jenë prezentë në diskursin publik dhe mediatik Sami Lushtaku e tani edhe Daut Haradinaj, aq më mirë LVV do ta menaxhojë rënien e saj elektorale. Ata, duke i provokuar këto personalitete, po arrijnë me sukses me i pas reagimet e tyre, e që pastaj kjo parti po i paketon si kërcënime”, është shprehur ai.
Sipas Muharremit, temat kryesore që duhet të dominojnë debatin publik janë kriza energjetike, inflacioni dhe çmimet e larta, e jo përplasjet politike me ish-komandantët.
“Kështu, në vend se të flasim për varfërinë, krizat energjetike, çmimet astronomike e inflacionin më të lartë në rajon e Europë 7.5%… po përfundojmë duke i parë herë një komandant e herë një tjetër”, ka deklaruar ai.
Muharremi ka theksuar se as Sami Lushtaku dhe as Daut Haradinaj nuk përfaqësojnë alternativë politike për qytetarët.
“Ne nuk jemi në ‘luftë’, shyqyr Zotit, prandaj edhe nevojat janë për persona me fokus tek politikat publike, zhvillimi, kapacitetet e energjisë, teknologjia, përkrahja për biznese etj.”, ka shkruar ai.
Në fund, ai u ka bërë thirrje ish-partive opozitare që të fokusohen në temat ekonomike dhe zhvillimore, duke paralajmëruar se vazhdimi i debatit mbi temat e luftës mund ta favorizojë edhe më tej pushtetin aktual.
“Ish-partitë opozitare duhet me i theksu temat dhe kapacitetet që ndërlidhen me sfidat e tashme të Kosovës dhe me zhbllokimin e potencialit të Kosovës. Përndryshe, duke i mbajtur komandantët në temë dhe fokus, ne po kthehemi tek temat e luftës”, ka përfunduar Muharremi.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
