Punonjësit e administratës në RMV këmbëngulin për paga më të larta, Qeveria për prapavijë politike të protestave
Punonjësit e administratës publike në Maqedoninë e Veriut kanë vazhduar ditën e dytë të protestave për nënshkrimin e kontratave kolektive dhe rritjen e pagave për 30%. Ata kërkojnë që opozita të mos iu “ngjitet”, ndërsa iu përgjigjën edhe Qeverisë se është e kotë përpjekja për të dëshmuar se revolta e tyre ka prapavijë politike. Ndërkohë […]
Punonjësit e administratës publike në Maqedoninë e Veriut kanë vazhduar ditën e dytë të protestave për nënshkrimin e kontratave kolektive dhe rritjen e pagave për 30%. Ata kërkojnë që opozita të mos iu “ngjitet”, ndërsa iu përgjigjën edhe Qeverisë se është e kotë përpjekja për të dëshmuar se revolta e tyre ka prapavijë politike. Ndërkohë nga kjo e fundit pranojnë se rrogat janë të ulëta por se mundësitë janë të kufizuara, transmeton Portalb.mk.
“Çdo përpjekje e Qeverisë apo e partive politike për të dëshmuar se ka politikë në protesta apo në punën e Sindikatës do të jetë e kotë”, tha sot kryetari i Sindikatës së administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve (SAOGjShQ).
Deklarata e Deanoskit vjen pasi në konferencën e djeshme për media zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva tha se Qeveria shpreh dyshime se pas grevës fshihet prapavijë politike, e cila, sipas tyre, është dorë e zgjatur e partive që kanë abuzuar me të drejtat e punëtorëve.
Miteva, duke folur në emër të Qeverisë, po ashtu ka thënë se është befasues fakti që Sindikata e SAOGjShQ-it në vend të dialogut, si hap të parë vendosi grevën, për të cilën tha se ishte organizuar ilegalisht.
Duke komentuar akuzat e tilla, Deanoski tha se dëshiron ta korrigjojë deklaratën e djeshme të Qeverisë sepse, siç tha ai, nga Ilindenska numër 2 dukshëm e kanë ngatërruar Sindikatën e SAOGjShQ-it me dikë tjetër.
“Si përkujtim, vetëm në vitin 2022, 2023 dhe 2024 sindikata e SAOGjShQ-it ka organizuar tri greva, së paku 20 protesta, prej të cilave në protestën e dhjetorit 2023, mbi 5000 punonjës të administratës dhe gjyqësorit dolën në rrugë dhe kërkuan paga e jetesës dinjitoze. Ndërsa në vitin 2024, së bashku me Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) kemi pasur 20 protesta. Kërkesat mbeten të njëjta dhe apelojmë nga Qeveria dhe ministritë përkatëse që sa më shpejt të fillojnë negociatat dhe të gjendet një zgjidhje e pranueshme për këtë problem”, tha Deanoski.
Veç kësaj, ai tha se nuk është grevë, por protestë.
“Kjo nuk është grevë, siç thotë qeveria, kjo është protestë. Protesta prej gjysmë ore duke marrë parasysh detyrat e punës së punonjësve që duhet të kryejnë në mënyrë që ministritë të mos ndalen me shërbimet që u ofrojnë qytetarëve dhe sektorit privat. Nëse do të donim të shkaktonim dëm, do të kishim hyrë në grevë. Qeveria ka gjithmonë një dorë ndihme nga ana jonë dhe ne i kujtojmë që të ulen dhe ta zgjidhin problemin sa më parë”, tha ai.
Deanoski u ka dërguar mesazh edhe opozitës, duke u thënë atyre që të mos iu “ngjiten” në këto protestave, sepse këto parti kishin shtatë vite sa ishin në pushtet për ta zgjidhur problemin e pagave.
“Por në vend që ta zgjidhin, ata bënë gjithçka për të ndaluar marrëveshjet kolektive dhe madje ishin qeveria e parë që anuloi një marrëveshje kolektive”, shtoi kryetari i Sindikatës së SAOGjShQ-it.
Por, Qeveria këmbëngul se “protestat janë politikisht të motivuara, se pagat nuk janë të larta, por mundësitë e buxhetit janë të kufizuara”.
“Protestat nuk janë mënyra më e mirë e komunikimit, Qeveria është e hapur për të arritur një marrëveshje me të gjitha organizatat sindikale përmes dialogut. Çdo propozim ose sugjerim nga sindikatat diskutohet, me qëllim që të gjendet një zgjidhje e pranueshme dhe në interes të qytetarëve. Vitin e kaluar edhe përskaj gjendjes katastrofike që trashëguam nga Qeveria e kaluar, së bashku me sindikatat arritëm marrëveshje për rritjen e pagave për punonjësit në shëndetësi dhe arsim dhe gjithashtu rritëm pensionet për mbi 300.000 pensionistë në mënyrë lineare. Qeveria e kaluar gjatë përgatitjes së Buxhetit për vitin 2024 nuk kishte parashikuar mjete për pagesën e K-15 për punonjësit në administratë, ndërsa me rishikimin e Buxhetit, kjo Qeveri i parashikoi dhe i pagoi K-15 për 84.000 punonjës në vlerë prej 1 miliard denarë. Për gjashtë muaj si Qeveri kemi bërë shumë më tepër për qytetarët se sa ajo që bëri Qeveria e kaluar për 7 vjet. Nëse AOJSH vërtet kujdesen për pagat e punonjësve, i ftojmë ata për bisedime me qëllim që të gjejmë zgjidhje të vërteta. Përndryshe mbetet dyshimi se AOJSH është organizatë sindikale që punon për interesa të partive të caktuara, të cilat nuk mendojnë asgjë tjetër veçse për të grumbulluar pikë politike në kurriz të qytetarëve”, thonë nga Qeveria.
Kujtojmë se edhe punonjësit e Avokaturës Shtetërore përmes grevës kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje kolektive që parashikon rritje shtesë të pagave me 30 përqind.
Nga Avokatura Shtetërore thanë se të gjitha prokuroritë në vend janë në grevë dhe se kjo do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave.
- LEXO: Punonjësit e administratës publike të RMV-së kërkojnë shtesa në paga, nëse s’ka zgjidhje protesta do të vazhdojë edhe ditëve në vijim
- LEXO: Nesër do të protestojnë punonjësit e gjashtë ministrive dhe të Entit Shtetëror të Statistikave në RMV
- LEXO: Të punësuarit në Avokaturën e Shtetit në RMV kanë hyrë në grevë, kërkojnë rritje të shtesave të pagave