Shkurtim vendesh pune në BBC
BBC ka kohë që duhet të kursejë. Tani njoftohet se pritet të shkurtohen deri në 2.000 vende pune. Sindikatat janë të alarmuara. BBC-ja njoftoi në faqen e saj zyrtare se planifikon të shkurtojë deri në 2.000 vende pune. Në BBC punojnë rreth 21.500 vetë. Drejtori i përgjithshëm i përkohshëm, Rhodri Talfan Davies, nuk e përjashtoi


BBC ka kohë që duhet të kursejë. Tani njoftohet se pritet të shkurtohen deri në 2.000 vende pune. Sindikatat janë të alarmuara.
BBC-ja njoftoi në faqen e saj zyrtare se planifikon të shkurtojë deri në 2.000 vende pune. Në BBC punojnë rreth 21.500 vetë. Drejtori i përgjithshëm i përkohshëm, Rhodri Talfan Davies, nuk e përjashtoi as mundësinë e mbylljes së kanaleve apo të shërbimeve të tëra dhe e quajti këtë një “lajm vërtet të vështirë”. Sindikatat britanike paralajmëruan për rënie të cilësisë.
Shkurtimi i vendeve të punës është pjesë e përpjekjeve për të kursyer në tri vitet e ardhshme 10% të shpenzimeve. BBC ndodhet prej kohësh nën presion të madh financiar dhe është detyruar vazhdimisht të bëjë shkurtime të dhimbshme.
Probleme me të ardhurat dhe padia e Donald Trumpit
BBC financohet përmes një takse për mediat publike. Çdo shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar duhet të paguajë rreth 210 euro në vit. Megjithatë kohët e fundit të ardhurat kanë rënë. Qeveria e mëparshme konservatore, e cila e akuzonte BBC-në për prirje të majta, e pezulloi rritjen e kësaj takse për dy vjet. Gjithashtu kishte edhe plane për ta hequr krejtësisht këtë taksë dhe për ta zëvendësuar me një model abonimi, si ai i shërbimit të transmetimit Netflix. Me qeverinë aktuale të Partisë Laburiste po zhvillohen bisedime për një përshtatje të kësaj takse.
BBC-në e vë gjithashtu nën presion ekonomik edhe një padi për shpifje e presidentit amerikan Donald Trump . Ai kërkon të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim për një dokumentar të transmetuar nga BBC-ja, në të cilin pjesë nga fjalimi i tij i 6 janarit 2021 ishin montuar në mënyrë të tillë që krijonin përshtypjen se ai i kishte nxitur drejtpërdrejt mbështetësit e tij që të sulmonin Kapitolin./DW/
